Lajme

Bosi i kriptomonedhave rrezikon 40 mijë vite burg, Gjykata e Apelit në Durrës vendos ekstradimin e Faruk Ozer në Turqi

Bosi turk i kriptomonedhave, Faruk Fatih Ozer do të ekstradohet në Turqi dhe atje do t’i bëhet gjyqi për mashtrimin me vlerë 2 miliardë dollarë. Ai rrezikon të dënohet me 40 mijë vite burg në vendin e tij, ndaj avokatët kanë insistuar që ai të ketë një proces të rregullt ligjor në Shqipëri.

Më 17 nëntor, Gjykata e Elbasanit vendosi ekstradimin e shtetasit turk Faruk Ozer. Vendimi nuk u pranua dhe u apelua në Gjykatën e Apelit në Durrës, e cila ka dhe juridiksionin. Pasi seancat u shtynë disa herë, së fundmi është marrë vendimi që Faruk Ozer të ekstradohet.

Ozer u arratis në prill të 2021, dhe më pas u bë me dije se ai kishte udhëtuar në katër shtete të ndryshme, përfshi edhe Shqipërinë ku dyshohet se fshihej për një kohë. Madje policia e vendit tonë u raportua se ofroi një shumë prej 10 mijë eurosh shpërblim për këdo që jepte informacion që do të çonte në kapjen e tij.

Në verën e këtij viti, pas më shumë se një viti qëndrim në Shqipëri, bosi turk i kriptomonedhave u arrestua në Palasë nën shoqërinë e një vajze dhe personave të tjerë me orgjinë shqiptare. Operacionalja ndërhyri në vilën luksoze dhe e prangosi në flagrancë.

Organi i akuzës në Turqi ka kërkuar plot 40,564 vite burg për Faruk Ozer dhe 20 punonjësit e tjerë të kompanisë “Thodex”, të cilët u larguan pas falimentimit me paratë e vjedhura nga mbi 700 mijë qytetarë, dhe besohet se shkojnë në mbi 2 miliardë dollarë.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close