Categories Lajme

Çfarë po ndodh me dasmat në Shqipërinë covidiane?

Pandemia ndaloi dasmat, por jo dashurinë. Në kushtet e rritjes së numrit të të infektuarve në vend, biznesi i organizimit të eventeve u mbyll tërësisht. Rihapja këtë vit, graduale dhe me rregulla të forta, shihet si një ogur i mirë, por me problematika, të cilat lidhen me shkurtimin e vendeve të punës, uljen e buxheteve familjare për organizimin e dasmave, si dhe anulime të eventeve. Ekspertët e fushës presin një bum rikthimi në fund të 2022 dhe fillim të 2023…

Nga Deada Hyka

Yllit dhe Armelës, dy të rinj të fejuar të cilët jetojnë prej vitesh në Itali, nuk do t’ua merrte mendja kurrë se, data e vendosur për të festuar dashurinë e tyre në fillim të gushtit 2020 do të anulohej. Të rinjtë ishin ndër të parët që u përballën me izolimin, duke qenë se jetojnë në një nga zonat më të prekura të Italisë nga Covid-19. Si ky çift pati e shumë të tjerë, të cilët në kushtet e një situate emergjence shëndetësore të panjohur, shtynë planet e gëzimit ose i anuluan.

Shprehja e famshme e industrisë së eventeve në vitin 2020, “dashuria nuk anulohet”, bëri thirrje për çiftet që të martoheshin në momentet e rihapjes apo organizime të dasmave më të vogla mes pandemisë dhe të ruajnë një festë madhështore për më vonë.

Në fakt, më shumë se gjysma e çifteve e shtynë vendimin për t’u martuar për një moment të dytë, një pjesë fare e vogël e anuluan tërësisht dhe pjesa e mbetur ishin ata që organizuar një event familjar me rreth 25 veta, duke respektuar rregullat. Po këtë vit, si është panorama e organizimit të eventeve familjare? Bizneset shqiptare pohojnë se si, dritë në fund të tunelit, 2021 po sjell rritje të kërkesës, e cila është në nivelet e vitit 2019, por me një buxhet dukshëm të kufizuar. Shqiptarët po rinisin të martohen, por me organizime më pak vanitoze dhe më ekonomike.

Sipas kontakteve me dhjetëra shitës vendorë, përfshirë fotografë, planifikues e organizues dasmash, luleshitës dhe make up artistë, për të parë se si po zhvilloheshin gjërat në vend, na u bë e ditur se: Disa çifte e kanë anuluar plotësisht; të tjerë po e shtyjnë sërish; një pjesë e tyre e organizuan por me numër të kufizuar të ftuarish; çifte të tjerë bënë dasma në ilegalitet vitin e shkuar, si dhe ka shumë presion për në vjeshtë 2021.

Frederika Muço është administratore e një prej kompanive të para në këtë sektor. Fillimisht, ajo e nisi duke dhënë fustanet e nusërisë me qira, më pas zgjeroi shërbimet, duke përfshirë edhe dekore. Sipas Frederikës, vihet re një sofistikim i kërkesave te fustanet e nusërisë dhe ulje e kërkesës për dekore.

Sipas saj, edhe për shkak të pandemisë, po preferohen dasmat e limituara në numër të ftuarish dhe po kthehet vëmendja te detajet, seti fotografik i mirëkuruar dhe më pak vëmendje te dasmat e mëdha. Për sa u përket kostove, çdo gjë varet nga buxheti i çiftit. Sipas saj, kostot e një fustani nisin nga 400 euro dhe nuk vihet re një ulje e tyre për shkaqe të mbylljes së aktivitetit prej më shumë se një viti.

Violanta Daku, administratore e agjencisë “Class Event”, thotë se puna ka ecur mirë pas rihapjes dhe shqiptarët janë popull që duan të festojnë. Por, sipas znj. Daku, ajo çfarë është vënë re këtë vit është ulja e shpenzimeve. Çiftet e reja e duan luksin dhe të bukurën dhe po i përqendrojnë shpenzimet te vetja dhe më pak te dekori këtë vit, zgjedhim paketat më ekonomike. Ndër vite, sipas saj, kërkohen edhe shërbime si make up, veshje edhe të familjarëve, dekori etj.

Menaxherja e “Ami Event” thotë për “Monitor” se viti i shkuar ishte më i vështiri në dekadën e fundit, në të cilin ajo merret me këtë biznes. Sipas Arjolës, 2021 po nis të sjellë një frymë të re tek industria e eventeve, sidomos ato familjare, me një pjesë të tyre që janë të etur t’i kthehen normalitetit dhe një pjese tjetër, që kanë vuajtur humbjen e njerëzve të dashur dhe nuk mendojnë më për festime. Sipas saj, parashikohet një rritje e kërkesave pas 2022.

Armand Peza, drejtues i “Geraldina Sposa”, pohon se këtë vit kërkesa ka por janë pretendime të ulëta, me buxhet të reduktuar. “Mendoj që industria e eventeve shpërthimin do ta ketë pas 2023. Krizat e mëdha duan kohë. Jemi sektor vanitoz, luksi gjithnjë lihet në fund në kohë krize. Këtë vit e kemi nisur mirë, por gjithsesi jemi në përpjekje të vazhdueshme, s’bëhet fjalë më për fitime dhe çmimet nuk mund të zbresin. Ne jemi Ballkan, ne vazhdojmë të festojmë, ne shpenzojmë edhe atë që nuk e kemi” – thotë ai.

Peza pohon se aktualisht, i gjithë tregu është i tkurrur. Ka rënë numri i eventeve si prezantime produktesh, promovime e biznesesh apo protokolle shteti. Ndërsa eventet familjare, vijojnë të zhvillohen.. Sipas tij, tregu ndërkombëtar nuk është gati, Shqipëria është një hap përpara pasi nuk pati mbylljen e Europës. “Sektori ynë ka qenë ndër më të goditurit, pasi përveç kaosit të momentit të parë, që askush nuk e dinte se si do të duhet të ristrukturonte veten për të vepruar në një treg me pandemi, nga ana tjetër kemi qenë të varur nga urdhrat e qeverisë, të cilat nuk ishin favorizuese për ne.

Nuk diskutohet që në ruajtje të shëndetit, masat e para ishin të drejta, por më tej, viti ishte aspak favorizues për zhvillimin e organizimin e eventeve. Nuk ishin vetëm dasmat që u ndërprerë. Ishin evente promovimi, korporatash, etj. Të gjitha u zhvendosën në një normalitet të ri, atë online. Për hir të së vërtetës, janë bërë edhe festa familjare, por në shkelje dhe të fshehura.

Kjo ka ndodhur sepse shqiptarët e kanë të shenjtë ditën e dasmës, nuk duan kurrsesi që ta shtyjnë, lidhet me një besëtytni. Çiftet më intelektuale gjetën një zgjidhje më operative, realizuan një set fotografik dhe një darkë të ngushtë familjare. Kjo të kushtëzon, sepse shpenzimet e tyre ishin më të tkurrura, nuk ishin të gatshëm të përballonin strukturat tona që, në rastin e Geraldinës ka 64 punonjës. Ne dëshironim që të riaktivizonim motorin tonë, por s’e bëmë dot me sukses. U detyruam të shkurtonim vende pune, aktualisht kemi 22 punonjës” – thotë ai.

Sipas z. Peza, problematikë të madhe patën me paradhëniet. “Nëse xhiroja jonë vjetore shkon në rreth 600 mln lekë të vjetra, 1/3 e vlerës ishte parapagim. Nëse do ndiqnim udhëzimet e qeverisë, 200 mijë euro do na duhet të kthenim, para të cilat nuk ishin pasi përdoren për riinvestime, prodhime etj. Gjetëm një kompromis me klientët tanë, që kjo shumë ju njihet deri në një moment që do vendosni për një datë tjetër ose mund ta merrni përmes shërbimeve të brendshme të kompanisë në formë tjetër nëse çifti nuk të dojë të bëjë dasmë më. Eventet që u anuluan ishin të pakta, të tjerat u shtynë për një moment të dytë, ”-thotë ai.

Problematika e parapagimit në kohën e mbylljes

Analizë e Geraldina Sposa referuar vitit 2019: xhiro vjetore = 481 770 € parapagime = 1/3 e xhiros = 160 590 €

Pyetje:

Çfarë do të ndodhë nëse ne do të kthejmë të gjithë shumën e parapagimeve për të gjithë klientët, ndërkohë që shtetit ia kemi paguar taksat për këto parapagime?!

Çfarë do të ndodhë nëse të 1 350 subjektet në të gjithë Shqipërinë që operojnë në sektorin e eventeve, do të jenë të detyruar që t’u kthejnë klientëve parapagimet?! 1/3 e xhiros vjetore në sektorin e eventeve është me përafërsi 55 112 396 €.
A i kanë subjektet këto para për t’ua kthyer klientëve që po insistojnë?

Cilët u dëmtuan nga mungesa e eventeve familjare?

Dëmet sipas sektorëve si më poshtë: Te fermerët, të cilët po e ndiejnë krizën. Tufa të tëra të bagëtive të imta të destinuara për tregun e eventeve do të ngelen pa shitur, pasi dihet që tregu më i madh për ta është pikërisht. Për njësitë tregtare me shumicë dhe pakicë të produkteve të kuzhinës.

Për bujqësinë, pasi frutat dhe perimet zënë një vend të rëndësishëm në tavolinë. Për verërat, birrat dhe pijet e tjera shqiptare, të cilat nuk do të kenë mundësinë për t’u konsumuar në evente. Te bulmeti shqiptar, i pranishëm në kuzhinën e eventeve. Te dyqanet e luleve. Të gjitha parukeritë dhe sallonet estetike. Për pastiçeritë dhe furrat e bukës. Për agjencitë e animatorëve (tullumbace, facepaint, animatorë etj.) Për bandat muzikore dhe DJ. Për shërbimin e kameramanëve dhe fotografëve.

Numri i martesave ra me 22% më 2020 për shkak të pandemisë

Numri i martesave, vitin e kaluar, shënoi rënie drastike për shkak të pandemisë. Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar në të gjithë vendin u realizuan rreth 17 mijë e 500 martesa, mbështetur te të dhënat zyrtare që janë marrë nga Gjendja Civile, me një rënie rreth 22% në raport me vitin 2019. Shumë martesa u shtynë në kohë për shkak të masave kufizuese dhe ndalimit të grumbullimeve, pasi ceremonitë nuk mund të realizoheshin.

Numri mesatar i martesave në vend në një vit normal është 22-23 mijë, por gjatë viteve në vijim, kjo normë pritet të pësojë rënie, edhe për shkak të uljes së popullatës së re në moshë. Tek gratë, rreth 50% e martesave realizohen deri në moshën 24 vjeç, dhe deri në moshën 29 vjeç janë kryer 78% e tyre. Kjo shpjegon dhe moshën relativisht të re (krahasuar me burrat) në martesë për gratë e cila është 27,7 vjeç. Për burrat, 52% e martesave realizohen deri në moshën 29 vjeç, dhe 81% e martesave deri në moshën 34 vjeç. Mosha mesatare e martesës për burrat është 31,1 vjeç.

Norma e martesave të grave sipas grupmoshave ndër vite tregon se ka një rënie të normës së martesës deri në moshën 24 vjeç. Kjo shpjegon dhe rritjen e moshës mesatare në martesë të vajzave. Numri i vajzave të martuara para moshës 18 vjeç gjatë vitit 2020 është 16. Ky numër është ulur në krahasim me një vit më parë, kur u regjistruan 20 martesa të vajzave nën 18 vjeç. Përqindja e vajzave të martuara në moshat 15 deri 17 vjeç është shumë e ulët, ndërsa shënon vlerat më të larta në moshën 18 dhe 19 vjeç, përkatësisht 6,4% dhe 5,5%. Ndërsa djemtë nuk kanë martesa para moshës 18 vjeç dhe përqindja e djemve të martuar në moshën 18-19 vjeç është nën 1%.

Shqiptarët mbeten ende tradicionalë sa i përket martesës si institucion. Martesa mbetet një ngjarje e rëndësishme në jetë dhe në shumë raste ceremonitë marrin një pjesë të konsiderueshme të jetës që çiftit. Në vitin 2018, Shqipëria ishte vendi me numrin më të lartë të martesave në Europë për 1000 persona. Në vitin 2018, për çdo 1000 persona që jetojnë në Shqipëri, u lidhën 8.1 martesa. Së bashku me martesat që janë lidhur nga shqiptarët e Kosovës, thyejnë rekordin në Europë dhe rajon për numrin më të lartë të tyre. Sipas Eurostat, në Kosovë u lidhën 9.6 martesa për çdo 1000 banorë, thuajse dyfishi i martesave që janë lidhur në të gjithë Bashkimin Europian. Eurostat raporton se në vitin 2018, kishte 4.4 martesa për 1000 banorë.

Në vitin 2018, vendet e Bashkimit Europian me numrin më të madh të martesave në raport me popullsinë ishin Qipro (7.8 martesa për 1 000 banorë), Rumania (7.4), Lituania (7.0) dhe Letonia (6.8). Këto ndiqen nga Malta (5.8), Sllovakia (5.7) dhe Danimarka (5.6). Nga ana tjetër, vendet me nivelin më të ulët të martesave rreth 3 martesa për 1 000 banorë, ishin Luksemburgu (3.1), Italia (3.2) dhe Portugalia (3.4), ndjekur nga Spanja, Franca (të dhënat e vitit 2017) dhe Sllovenia (të gjithë 3.5) .

Industria e dasmave përgatitet për “shpërthimin” në 2022

Çiftet që u desh të shtyjnë ose anulojnë planet e dasmës për shkak të pandemisë COVID-19 tani kanë filluar të bëjnë plane për festime në 2022, duke krijuar një rritje masive në biznes për industrinë e dasmave. Pandemia shkatërroi industrinë globale miliarda dollarëshe të dasmave e eventeve, duke sjellë ndalim të menjëhershëm. Për çiftet e fejuara, kjo nënkuptonte zhvendosjen e datës në një moment më të përshtatshëm, ndërsa bizneset luftuan për të gjetur linja jetësore ekonomike mes një bote ku mikpritja dhe argëtimi u anuluan për një periudhë të papërcaktuar.

Tani, ndërsa rastet e koronavirusit globalisht kanë filluar të ulen dhe nivelet e vaksinimit vazhdojnë të rriten, dasmat – siç i dinim para-pandemisë – kanë filluar të rikthehen. Por për sa kohë dhe cilat tradita të dasmave të epokës COVID do të qëndrojnë ose do të shkojnë, kjo mbetet për t’u parë. Me kufizime të ngjarjeve të mëdha, planifikuesit e dasmave dhe të tjerët që bëjnë magjinë thanë se ata kanë filluar të shtyjnë rezervimet në fund të vitit 2022 dhe në fillim të vitit 2023.

Studimi

Në vitin 2020, ndikimi i COVID në dasma ishte aq i rëndësishëm sa që 90% e të gjitha çifteve të vendosura për martesë u prekën nga pandemia. Që nga marsi i vitit 2020, shumica dërrmuese e të martuarve (96% për të qenë të saktë) ose kanë ecur përpara me planet e ndryshuara të dasmës, ose i kanë shtyrë në vitin 2021. Dasmat nuk do të kthehen vetëm në fund të vitit 2021; viti i ardhshëm do të jetë një periudhë e konsoliduar e festimeve.

Studimi vjetor – i cili anketoi 7,600 çifte në SHBA, të cilët fillimisht vendosën datën e tyre të martesës midis 1 janarit dhe 31 dhjetorit 2020 – zbuloi se një në çdo dy çifte (47%) ka planifikuar mbajtjen në vitin e ardhshëm. Pas një viti të planeve të pavendosura, 60% e të anketuarve thanë se janë të sigurt për datën e mbajtjes së dasmës së tyre të planifikuar.

Ekziston edhe një numër në rritje i çifteve të fejuar së fundmi: midis këtij grupi, 8 në 10 të anketuar, të cilët u fejuan vitin e kaluar, tani kanë caktuar zyrtarisht një datë martese. Nëse të dhënat tregojnë ndonjë gjë, ajo që është e sigurt është që numri i dasmave pas COVID do të jetë rritet./

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Euro shënon rritjen më të lartë të vitit, prej muajit gusht. Çfarë pritet në vijim!

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun shënoi një rritje të fortë ditën e djeshme.…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Akuzohen se mësonin djalin të shante në TikTok, Apeli vendos për Kumarakun dhe nënën e tij

Gjykata e Apelit ka lënë në burg Armando Kumarakun dhe nënën e tij, Natasha Rombula,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vrau gruan rumune me çekiç, dënohet me 24 vite burg shqiptari në Itali

Avni Meçja, i akuzuar për vrasje të rëndë për vrasjen e partneres së tij Alexandra…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Elbasan\ Morën peng 68 vjeçarin për t’i grabitur paratë, pranga 47 vjeçares dhe bashkëpunëtorit të saj

Elbasan, Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, finalizohet…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Fier/ U përplas nga “Fouristrada”, ndërron jetë në spital 50-vjeçari

Gjatë mbrëmjes së djeshme (27 mars) një aksident i rëndë ndodhi në vendin e quajtur…

LEXO ME SHUME