Lajme

Denoncimet për spitalet Covid, Rama: Mos njollosni punën e mjekëve me dezinformacione

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas denoncimeve që janë bërë në lidhje me spitalin Covid 1 ku dy motra kanë pretenduar se babai i tyre është lënë pa shërbim dhe ka humbur jetën, por edhe një zonje tjetër që pretendonte se i kishin vjedhur rrobat bashkëshortit të saj të ndjerë.

Sa përket rastit të dy motrave, Rama tha se pretendimet e tyre ishin “deklarata dhimbjeje, por njëkohësisht dhe partie”. Kreu i qeverisë tha se këto raste kanë një sensitivitet të lartë dhe nuk duhen dezinformuar njerëzit. Ai akuzoi mediat për propagandë në funksion të partive dhe vetvetes ndërsa u shpreh se puna e mjekëve përgjatë vitit pandemik nuk duhet njollosur me dezinformacione.

“Në morinë e fjalëve që thuhet ka dhe shumë broçkulla që të jemi të qartë ashtu sikundër ajo që po ndodh është insistimi për të skandalizuar publikun me dëshmitarë që dalin tek gardhet e spitaleve siç ishte një zonjë që pretendonte që as rrobat e të vdekurit nuk po ia jepnin se ia kishin vjedhur, ndërkohë që rasti ishte shumë i thjeshtë. Faktikisht e vërteta e thjeshtë ishte se zonja nuk kishte kartën e identitetit me vete.

Mori kartën e identitetit dhe mori rrobat, por ndërkohë njerëzve iu dha një informacion gjysmak, siç u dha një informacion gjysmak për ato zonjat e tjera që qanin babanë tek gardhi i spitalit, që i ngushëlloj për humbjen e babit, por ndërkohë pjesa tjetër e informacionit ku QSUT dha saktësisht se çfarë dhe si kishte ndodhur dhe që nuk kishte asnjë të vërtetë në atë deklaratë dhimbjeje, por njëkohësisht dhe partie. Ju lutem shumë është sensitivitet i lartë i njerëzve. Ka ndjeshmëri shumë me të drejtë.

Natyrisht që rastet e abuzuesve dhe të batakçinjve si rasti që u demaskua dhe që vuri prapa hekurave katër bluza të bardha që mos qofshin fare dhe siç mund të ketë raste të tjera as nuk mjaftojnë dhe jo më të teprojnë për të njollosur ata njerëz dhe atë personel që ka qysh një vit sot që bën një punë heroike dhe që nuk e meriton të gozhdohet nga balta dhe nga lloj-lloj dezinformacionesh.

Prandaj me shumë respekt për të gjithë njerëzit të cilët kanë dhimbje, e përsëris edhe njëherë mos i ndodhtë kujt dhe ngushëllime, i mirëkuptoj shumë më tepër ata që nga dhimbja çdo fatkeqësi ia faturojnë mjekëve sesa juve që me dhimbjen e tyre bëni propagandë në funksion të njërit të tjetrit, apo vetvetes për të krijuar audiencë apo për të marrë like (pëlqime)”, tha Rama.

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close