
Nuk ka burokraci, të rinjtë kanë dëshirë të mësojnë, jemi dy popuj të ngjashëm, klima për të bërë biznes, është shumë e mirë, këto janë përshtypjet e një investitori italian i cili operon prej vitesh në Shqipëri.
Pierangelo Roseti në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tregoi për eksperiencën disa ditore në panairin ndërkombëtar “Klik Ekspo Grup” që u zhvillua në Tiranë. Sipërmarrësi italian, rrëfeu se fillimisht biznesin e ka hapur në jug të vendit dhe më pas është transferuar në Tiranë.
“Uellis Technology” projekton dhe prodhon të gjitha produktet e qendrave estetike, xhakuzi, sauna, banja turke dhe gjithçka tjetër brenda një qendre estetike. Operojmë në Shqipëri prej 4 vjetësh. Fillimisht sipërmarrja jonë ka qenë në jug të vendit në Vlorë, më pas në Durrës dhe tani jemi në Tiranë”, tha Roseti.
Sipërmarrësi Pierangelo Roseti tha se ndjehet shumë mirë në Shqipëri.
“Jam shumë mirë në Shqipëri, kam bashkëpunëtorë shumë të mirë, edhe klientët në Shqipëri janë shumë të mirë. Ne si popuj, pra italianët dhe shqiptarët jemi shumë të ngjashëm, pastaj është e thjeshtë të shkosh edhe në Itali, për një orë me avion. Punojmë shumë mirë në Shqipëri, jam si në shtëpinë time”, shprehet ai.
Investitori italian, vlerësoi edhe thjeshtësinë dhe mungesën e burokracisë për të operuar në fushën e biznesit në Shqipëri.
“Kur e hapëm sipërmarrjen në Shqipëri ishte shumë e thjeshtë, shumë shpejt dhe pa kurrfarë burokracie, gjë që në Itali është e paimagjinueshme. Edhe kostot e punës janë shumë të lira për një investitor italian”, tha ai.
I vetmi shqetësim që ka ndeshur në vendin tonë, është mungesa e punonjësve të kualifikuar, por edhe këtij ngërçi ia ka gjetur zgjidhjen.
“Nuk është e lehtë të gjesh personel të kualifikuar, por ne po punojmë për t’i trajnuar ata. Shoh që ky popull ka dëshirë për të mësuar, sidomos të rinjtë kështu që rritemi bashkë, italianë dhe shqiptarë”.