Categories Lajme

Detaje të reja nga ndodhia në plazhin e vjetër në Vlorë

Zbardhet dosja e plotë. Anëtarë të familjes Beqiraj rrahën kujdestarin e kalit të Xhezos. Eduart Xhezo shkoi me eskortë dhe armë për tu sqaruar, por vrau Beqiraj e plagosi dy të tjerë.

Fakti që një kalë i ka prishur qetësinë disa pushuesve që po bënin plazh në muajin gusht në Vlorë, ka shërbyer për keqtrajtimin në grup të rojës së kalit. Gazmend Alushi, i cili paguhej 100 mijë lek të vjetra në muaj nga Ermal allias Eduart Xhezo për kujdesin ndaj kalit, është dhunuar me grushte e shkelma në 4 gusht 2019 nga Arben Beqiraj, djali i tij dhe persona të tjerë familjarë që ndodheshin në lokal. Fill pasi ka shpëtuar nga rrahja e mirë, Gazmendi ka shkuar në banesën e tij, ku aty i kishte shkuar Ermali duke i thënë se kush e kishte rrahur, dhe Alushi i ka pohuar se ishte dhunuar nga “Arbeni i Çeçesë”. Fill pas kësaj, Ermal Xhezo, ka mobilizuar shokët e tij si Shpati Lena dhe kunatin e tij Ariel Kingji, ku të gjithë janë armatosur me automatikë dhe pistoleta, duke shkuar në ambientet e lokalit të Arben Beqiraj, për tu sqaruar lidhur me rrahjen që ata i kishin bërë kujdestarit të kalit të Ermal Xhezot. Teksa kanë shkuar për tu sqaruar, janë ulur 3 minuta në një tavolinë dhe më pas kanë nisur përplasjet fizike deri në përdorimin e armëve, duke sjellë vrasjen e Arben Beqirajt dhe plagosjen e djalit të tij dhe Nesim Hodaj. Kjo ngjarje tronditi qytetin e Vlorës në pikun e sezonit turistik, ndërkohë që dy nga personat e përfshirë në këtë ngjarje kriminale si Ariel Kingji dhe Shpati Lena vijojnë të jenë në kërkim nga policia.

Sot “Shqiptarja.com” zbardh të plotë dinamikën e këtij krimi të rëndë, që fatmirësisht nuk u asgjësua një familje e tërë brenda në ambientet e biznesit të tyre.

“Rreth orës 17:30 tek zona e plazhit që ndodhej para lokalit ka kaluar Gazmend Alushi, i hipur mbi një kalë, i cili po vraponte në pistën e rërës duke sjellë shqetësim për pushuesit. Nga ana e pronarit të lokalit Arben Beqiraj është thirrur Gazmend Alushi dhe së bashku me kalin, personat e familjes Beqiraj e kanë shoqëruar prapa lokalit dhe Arbeni e ka qëlluar me grusht, e më pas prej Ergest Beqiraj dhe më tej nga tre persona të tjerë, të cilët e kanë rrahur prapa lokalit. Me ndërhyrjen e disa personave të pranishëm Gazmend Alushi është larguar nga lokali dhe ka vijuar rrugën së bashku me kalin në anën e pasme të lokalit dhe më tej në brendësi të qytetit të Vlorës“, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Kujtojmë që Eduart Xhezo nuk është një emër i panjohur për autoritetet shqiptare. Më herët, ai është dënuar me 9.4 vite burg për një tentativë vrasje të dyfishtë, e ndërsa në 25 janar të këtij viti ai u prangos së bashku me një tjetër person si të dyshuar për tentativë të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali, të një sasie prej rreth 1 ton kanabis. Arrestimi i tij u krye pas operacionit të zhvilluar nga Guardia di Finanza dhe policia shqiptare në një zonë bregdetare mes Fierit e Vlorës, ndërsa mbetet e paqartë se si Xhezo është liruar nga qelia. Ndërkohë disa ditë më parë ai sërish ra në prangat e policisë së Durrësit, ku tentoi tu ikë policisë por që më pas u arrit të kapet dhe të vihet para drejtësisë.

Takimi në lokal pas dhunimit të rojes së kalit, si shpërthyen armët

“Gazmend Alushi, ka njoftuar Xhezon për ngjarjen në fjalë si dhe për faktin se ishte qëlluar prej Arben Beqiraj me grushte, i njohur prej tij si “Arben i Çecesë”. Ndërkohë në orën 19:24 rreth 50 metra mbrapa lokalit afrohet një automjet i markës “Fiat Grande Punto”, me ngjyrë gri të errët, nga i cili zbresin katër persona, ku dy prej të cilëve, afrohen tek lokali ndërsa dy të tjerë, qëndrojnë pranë automjetit në këmbë. Personat që afrohen pranë lokalit përshëndeten me Ergest Beqiraj, djalin e Arbenit dhe më pas ulen në një tavolinë, e cila ndodhej në pjesën e përparme të lokalit poshtë verandës. Këta persona kanë qenë identifikuar si Eduart Xhezo dhe Geno apo Shpati Lena. Në këtë tavolinë shkojnë dhe ulet Arben Beqiraj, djali i tij Ergest Beqiraj dhe një person ende i paidentifikuar nga policia dhe prokuroria e Vlorës. Pasi bisedojnë për rreth 2 apo tre minuta të gjithë personat në tavolinë çohen më këmbë dhe fillojnë të shtyhen me njëri-tjetrin. Në tavolinën që ka qenë fillimisht djali i Arben Beqiraj, ndodhej i ulur një person me kapele me një çantë marsup si dhe vëllai i Arben Beqiraj. Nga ana tjetër Eduart Xhezo pasi është çuar nga tavolina ka lëvizur në drejtim të parkimit të lokalit ku nga pas i është vënë Ergest Beqiraj, Nesim Hodaj si dhe një grua e cila ka dalë nga brenda lokalit.

Ndërsa Geno apo Shpati Lena duke u shtyrë nga 4-5 persona ka ikur në drejtim të plazhit me rërë. Në këtë moment Eduart Xhezo, kur ka qenë tek parkimi ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe duke ikur pas makinave të parkuara qëllon në drejtim të këmbëve Ergest Beqiraj, i cili ishte duke e ndjekur nga pas, duke e rrëzuar në tokë. Më pas Eduart Xhezo afrohet në drejtim të Arben Beqiraj, i cili ndodhej tek makina e parë në parkim dhe qëllon ndaj tij disa herë me pistoletë, ku për pasojë Arbeni ka rënë në tokë. Më tej Eduart Xhezo, ka vijuar të lëvizë me armë në dorë ku i është afruar Nesim Hodaj, i cili ka tentuar t’ia kapë armën. Por Xhezo është tërhequr disa hapa prapa dhe ka qëlluar në drejtim të Hodaj duke e rrëzuar edhe këtë në tokë.

Në momentin që Eduart Xhezo, gjuan me armë Ergest Beqiraj, një person që ishte nga krahu i plazhit, i paidentifikuar ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe duke u afruar nga drejtimi i parkimit qëllon disa herë në drejtim të parkimit. Pikërisht në këtë kohë njëri nga dy personat që po prisnin në automjet, që mendohet se është Aurel Kingji, kunati i Eduart Xhezos, është afruar me një armë zjarri automatike dhe ka gjuajtur në drejtim të parkimit dhe më pas duke u tërhequr gjuan dhe në tokë. Pas kësaj breshërie automatike, Eduart Xhezo ka hipur në makinën tip “Fiat” dhe së bashku me kunatin e tij Ariel Kingji, janë larguar me shpejtësi. Efektivë të policisë kriminale dhe prokurorë të Vlorës kanë shkuar me shpejtësi në vendndgjarje, ku kanë konstatuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës 8 gëzhoja automatiku, 2 gëzhoja pistolete dhe dy fishekë të paplasur automatiku dhe pistolete. Nga të shtënat me armë janë konstatuar dëmtime në makina të parkuara dhe në fasadën e lokalit”, thuhet në dosje.

Dëshmia në polici e kujdestarit të kalit

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, policia e Vlorës identifikoi he shpalli në kërkim tre personat që shkaktuan masakrën në ambientet e biznesit të Arben Beqiraj. Për momentin Eduart Xhezo është arrestuar në Durrës, ndërsa kunati i tij Ariel Kingji dhe shoku i Xhezos, Shpati Lena, vijojnë të jenë në kërkim nga policia. Për këtë ngjarje është marrë në pyetje njeriu që u bë dhe shkaktari i vrasjes së Beqirit, Gazmend Alushi, i cili ishte personi që kujdesej për kalin e Eduart Xhezos.

Në dëshminë e tij ai ka treguar se në 4 gusht 2019 rreth orës 16:30 ka marrë kalin dhe ka shkuar tek plazhi i vjetër dhe pasi e ka lidhur ka shkuar për të pirë një birrë. Pasi ka konsumuar birrën, ka dalë nga lokali dhe është nisur në drejtim të vendit ku kishte lidhur kalin dhe në një moment kali është trembur, ka këputur litarin dhe ka filluar të vrapojë në drejtim të kabinave, duke kaluar pranë lokalit të Arben Beqiraj. Pasi ka arritur që ta kapë kalin, rreth 20 metra në afërsi të lokalit të Arbenit, ky i fundit ka dalë nga lokali dhe ka filluar ta shajë me fjalë fyese, pasi kali kishte kaluar pranë plazhistëve. Gazmend Alushi ka pohuar se i kishte kërkuar falje, por Arbeni e ka goditur me grusht në fytyrë. Pas tij kanë shkuar dhe katër persona të tjerë të cilët e kanë qëlluar me shkelma dhe ai është rrëzuar në tokë. Me ndërhyrjen e disa grave në plazh Alushi është lënë i lirë dhe është larguar së bashku me kalin, që e kishte në pronësi Eduart Alushi. Pasi ka shkuar në banesë, rreth orës 18:00 i ka shkuar në shtëpi me një fuoristradë me ngjyrë bezhë të hapur, ku në të ndodhej Ermal Xhezo, i cili e ka pyetur se kush e kishte rrahur.

Alushi i ka pohuar se e kishin rrahur “Arbeni i Çeçesë” me disa persona të tjerë që ishin tek lokali i tij. Më pas djemtë Luan Xhezos kanë shkuar në lokalin e Arben Beqiraj të shoqëruar edhe nga Shpati Lena dhe Arieli, të cilët kanë qenë të armatosur, duke debatuar dhe kërkuar llogari se përse Arbeni i kishte sharë. Më pas ka filluar përleshja fizike dhe me armë, ku Xhezo ka qëlluar në drejtim të Arben Beqiraj duke e lënë të vdekur në vend,djalit të tij Ergest dhe Nesimit. Ndërkohë gjatë kontrollit fizik të automjetit tip Rang Rover në pronësi të Eduart Xhezos është gjetur një qese me 33 fishekë pistolete dhe një karikator. Nisur nga këto rrethana ndaj Eduart Xhezos, shokut të tij Geno Lena dhe kunatit të tij Aril Kingji, është ngritur akuza e “Vrasjes në rrethana cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa lejë e armëve luftarake dhe municionit”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Në kërkim për prodhim e shitje drogë, arrestohet në Dibër 39-vjeçarja për t’u ekstraduar në Itali

Policia e Dibrës ka arrestuar një 39-vjeçare me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Ajo akuzohet ishte…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Emri/ Përplasen kamionat, vdes në aksident i riu shqiptar në Itali!

25-vjeçari shqiptar, Haris Shala ka humbur jetën në Itali si pasojë e një aksidenti rrugor…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

E dhimbshme, vdes në moshën 27-vjeçare Antigona Emini-Jashari nga Gjilani

Ka ndërruar jetë në moshën 27 vjeçare, e reja nga Gjilani, e cila thuhet se…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Mesazhet mashtruese në telefon/ Oferta joshëse pune, që vetëm ju “grijnë” paratë

Subjekti që prezantohet me emrin Pulse Glide LTD, në fund të mesazhit të dërgon një…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Nga mësuese frengjishtje në stjuardesë, vlonjatja punon për familjen mbretërore arabe: Kam shëtitur në 32 shtete

Geralda Kocirai është vajza nga Vlora, e cila ka një histori shumë frymëzuese. Ajo ka…

LEXO ME SHUME