
Policia ka arrestuar 22-vjeçarin Bjorsi Shushari, banues në Kuçovë, pasi dhunoi barbarisht 52-vjeçarin Lefter Brisku të cilin e kapi në banesë duke i vjedhur pulat në kotec.
Pas vdekjes së 52-vjeçarit te Spitali i Traumës në Tiranë për shkak të plagëve të marra, policia e Kuçovës ka bërë ndalimin e 22 vjeçarit Bjorsi Shushari.
Njoftimi i policisë/ Kuçovë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kuçovë, bënë ndalimin e shtetasit B.Sh, 22 vjeç, banues në Kuçovë.
Në datën 26.02.2023, gjatë natës në banesën e tij është futur për të vjedhur, shtetasi L.B, i cili u konstatua nga pronari i shtëpisë, shtetasi B.Sh, me të cilin më pas u konfliktuan.
Gjatë konfliktit mbeti i dëmtuar shtetasi L.B, i cili ndodhej në spital për ndihmë mjeksore, por si pasojë e dëmtimeve të marra ndërroi jetë në spital sot më datë 04.03.2023.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale “Vrasja e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.