Categories Lajme

Divorci me kumarin mund t’i kushtojë qeverisë 45 milionë euro

Biznesi i kumarit ka qenë gjithmonë një ndër lobet më të fuqishëm në vend. Jo rastësisht dy vite më parë ia dolën që të shtynin ligjin, duke marrë më shumë kohë para ndalimit. Por duket se në çdo marrëdhënie ka një krisje dhe këtë herë u kurorëzua me “divorc”. Një vendim që duhet të ndalonte vetëm kazinotë elektronike u kthye në ortek, që mori me vete bastet sportive dhe lojërat elektronike në distancë. Në aspektin social, qeveria ka fituar pikët e saj, në aspektin e trajtimit të një biznesi kontribuues në buxhet nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Kompanitë e basteve sportive pranojnë se ky biznes kishte dalë jashtë kontrollit, por sipas tyre, bashkëfajtore është qeveria, e cila ka miratuar kaosin ku “notonte” sektori. Ashtu siç pritej, divorci do të bëhet në Gjykatë dhe kompanitë pretendojnë rreth 45 milionë euro dëmshpërblim.

Nga Nertila Maho/ Monitor

Vulosja nga parlamenti e ligjit për lojërat e fatit i ka hapur rrugë dy aspekteve shumë të rëndësishme. Së pari, kazinotë elektronike, bastet sportive dhe lojërat elektronike në distancë nga data 1 janar 2019 nuk do të funksionojnë më, duke konfirmuar atë që tha kryeministri se “asnjë qepen i këtyre njësive nuk do të ngrihet” dhe së dyti, shteti kalon përgjegjësinë e tij në një tjetër nivel. Tashmë, organizimi dhe zhvillimi do të jenë tagër i tij. Deri më sot, në listën e përgjegjësive, shteti kishte licencimin dhe mbikëqyrjen. Vendimi për ndalimin e bixhozit, si një plagë sociale, sigurisht që ka marrë më shumë përgëzime sesa kritika, por të vetmit të gjendur pa përgatitur në këtë revansh ndryshimesh janë bizneset e basteve sportive. Të anatemuar gjerësisht si industri, por ama të licencuar nga qeveria, këta të fundit shprehen të shqetësuar për formën me të cilën u trajtuan. Sipas tyre, kazinove elektronike iu lanë dy vite kohë për t’u përgatitur për mbylljen, ndërsa bastet sportive u gjendën përballë vendimit me një afat dymujor.

Çështja drejt gjykatës, do të kërkohet dëmshpërblim 45 milionë euro

Deri në momentin e fundit kur ndryshimet ligjore ishin ende një draft, përfaqësues të basteve sportive shprehën gatishmërinë për të negociuar me qeverinë, duke kërkuar një zgjidhje alternative. Me kthimin e këtij drafti në ligj, kompanive u ka mbetur si rrugë gjykata. Artan Shyti, kryetar i Shoqërive Shqiptare të Basteve, shprehet se kompanitë do të kërkojnë 30-45 milionë euro dëmshpërblim në gjykatë. “Vlera e llogaritur e dëmshpërblimit që do të kërkojmë nga qeveria shqiptare është 30-32 deri në 40-45 milionë euro. Kemi këtë lloj luhatshmërie pasi ende mbeten gjëra që janë të paqarta. Dëmi ka filluar që në këtë moment, pasi kemi probleme për të arkëtuar xhiron në pika. Janë detyrime të ndryshme.

Kemi disa elemente që janë shumë komplekse, si qiratë e dhëna apo ato të parapaguara, pretendime nga qiradhëniet që duan të marrin në varësi të kontratës. Punonjësit mund të kenë pretendimet e tyre dhe nëse zbatojmë pikë më pikë Kodin e Punës për çdo punonjës, vetëm kostoja e pagave na shkon 10 milionë euro. Ata nuk mund t’ia kërkojnë shtetit. Do të na i kërkojnë ne. Ne pastaj do t’ia kërkojmë shtetit se ndërhyri në ligj, pa menduar për pasojat tona. Tek e fundit, ne kemi një licencë që është pronë që na i ka dhënë po shteti dhe na mbaron në 2026”, – shprehet Shyti.

Potenciali i tregut të lojërave dhe shifra 700 milionë euro

Një nga shifrat që ka ngritur më shumë debat këto ditë ka qenë në deklaratën e Kryeministrit. “Me ndalimin e basteve ne kalkulojmë një mesatare 700 milionë euro që shkojnë nga llumi dhe lumi i basteve në konsumin racional të familjeve”, u shpreh Kryeministri. Qarkullimi vjetor i bixhozit (kazinove, basteve, loto, bingo, lotari) në vend sipas bilanceve të kompanive depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit llogaritet 16.6 miliardë lekë, ose rreth 132 milionë euro në 2017-n, me rritje vjetore 9.3%.

Biznesi më i madh është te kazinotë, që raportuan 10 miliardë lekë të ardhura (60% e totalit). Megjithatë, rritja e aktivitetit të kazinove ishte minimale në 2017-n, ndryshe nga kompanitë e basteve sportive, që panë zgjerim të të ardhurave me 20%.

Sigurisht, duke marrë parasysh edhe pjesën e informalitetit në sektor, qarkullimi i këtij tregu rritet dukshëm, por shifra 700 milionë euro nuk tingëllon realiste. Një studim i zhvilluar nga “Purcell and Assosiation” në vitin 2012, për llogari të qeverisë shqiptare dhe që disponohet nga “Monitor”, thekson se informaliteti ishte dukshëm i lartë në biznesin e kumarit në vend. Tek bastet sportive, arrinte të paktën 40%, ndërkohë që kazinotë elektronike vlerësoheshin se kishin 7500 makina, nga të cilat vetëm 2200 të licencuara.

Në gjithë variantet e zhvillimit, konsulenti nënvizonte se tregu shqiptar i lojërave të fatit mund të arrinte në potencialin e vet pak më shumë se 300 milionë euro. Lakimi i një shifre të frikshme prej 700 milionë eurosh tregon anën e errët të kësaj industrie të dalë jashtë kontrollit, që duket se vuri nën ethe edhe qeverinë për të marrë masa drastike dhe për ta ndryshuar ligjin deri në momentin e fundit para votimit në Kuvend.

Çfarë lojërash fati mbeten sot në treg, opsioni i lojës online në faqe të huaja

Ligji për lojërat e fatit, me ndryshimet e fundit, nuk i bllokon gjithë lojërat e fatit. Disa prej tyre do të vijojnë të funksionojnë. Nga 1 janari 2019, askush nuk mund të vendosë baste sportive në pikë fizike dhe online në kompani shqiptare, askush nuk mund të luajë në makina slot në kazino elektronike, nuk ka më baste për gara me kuaj. Aktualisht të vetmet lojëra që parashikon ligji janë bingot televizive, bingot tradicionale dhe lojërat e Lotarisë Kombëtare. Kjo e fundit është një koncesion 10-vjeçar që, sipas ligjit në fuqi, ka në treg disa lloje lojërash, por asnjëra prej tyre nuk përfshin element të VLT. Po kështu, kazinotë do të funksionojnë vetëm në hotelet me 5 yje, pra resort-kazino.

Për të gjithë ata që duan të luajnë online, sot janë me qindra faqe të cilat e ofrojnë këtë mundësi. Ekspertë të fushës sqarojnë se aksesi në faqet online jashtë Shqipërie është i lehtë, mjaft të disponosh një kartë krediti. Pra nëse një lojtar kërkon të luajë, duhet që të hapë një llogari në faqen online. Pas kësaj, ai vendos të luajë shumën e caktuar në një ndeshje të caktuar. Nëse fiton, paratë i transferohen në llogarinë e tij duke iu taksuar pjesa e fitimit, sipas vendit ku rezulton e regjistruar kompania online. Këto sajte mund të identifikohen dhe të bllokohen më pas me ndihmën e Autoritetit të Komunikimeve Elektronik edhe Postare, por gjithmonë ndryshimi i vazhdueshëm i IP të kompjuterëve e vështirëson procesin.

Identifikimi i lojtarëve mund të bëhet vetëm nëse ka bashkëpunim mes Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të Parave dhe bankave, të cilat duhet të raportojnë këto lloj transaksionesh. Ekspertët vlerësojnë se ka vende që aplikojnë këtë lloj monitorimi dhe ndërkohë shumat e luajtura i konsiderojnë si blerje online duke i taksuar në të njëjtin nivel. Nga njëra anë, kjo dekurajon lojërat në internet dhe, nga ana tjetër, bën të mundur që një pjesë e parave të shkojnë në buxhet.

Shtetëzohet kumari, ristrukturohet AMFL, ulet fitimi i koncesionarit

Dinamika e ndryshimeve në biznesin e kumarit ka qenë me ritme të shpejta në vitet e fundit, nga miratimi i ligjit bazë e deri në situatën që kemi sot. Ndryshimi i dytë më domethënëse, në gjithë hapin e ndërmarrë nga qeveria, është shtetëzimi i kumarit. Përpara nenit 1 të ligjit, së fundmi u shtua “Organizimi, zhvillimi dhe ndërmjetësimi i lojërave të fatit, basteve sportive dhe lotarisë është përgjegjësi e shtetit”.

Kjo do të thotë që mbyllja e gjithë basteve sportive dhe lojërave të fatit është kapitull me fund të palumtur për privatët që kishin deri më sot licencat, ndërkohë që nga nesër është shteti ai që do t’i organizojë. Praktikisht monopoli i kalon qeverisë. Në përputhje me situatën e re në treg është miratuar një vendim që pezullon ristrukturimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Veprimtaria e këtij të fundit pritet të nisë në janar 2018 me regjimin e ri dhe subjektet e vetme operuese do të jenë të pakta në numër. Ajo që mbetet ende e paqartë është pjesa e Sistemit të Monitorimit Online të Lojërave të Fatit.

Ky sistem, në kohën kur u dha me koncesion, u argumentua se do të monitoronte dhe kontrollonte më mirë xhirot e kompanive, çka do të përkthehej në një saktësi më të madhe dhe përfitim në buxhet. Sipas marrëveshjes me koncesionarin, me një akt nënligjor të veçantë, ky i fundit do të arkëtonte tarifa për disa kategori. Kështu, tarifa ditore për çdo pikë bastesh në vend sipas vendimit është 0.70 euro, ose 21 euro në muaj. Kjo e çon totalin që do të paguante një pikë basti në 252 euro në vit. Automatikisht mbyllja e pikave të basteve zeron këtë pjesë të tarifës për koncesionarin. Kategoria e dytë që do të paguante tarifë për sistemin e monitorimit ishte ajo e kazinove elektronike, 1.25 euro për çdo aparaturë apo makinë loje. Kjo do të thotë që, për një aparaturë në muaj, do të paguhej 37.5 euro, çka në një vit e çonte detyrimin për t’u paguar në 450 euro. Por edhe këto të fundit dalin tashmë nga tregu.

Lidhur me Lotarinë Kombëtare, tarifa për t’u paguar është 1 euro në ditë për njësi. Në total, gjithë njësitë do të paguajnë rreth 150 mijë euro për sistemin e monitorimit në vit.

Kryetari i Shoqatës së Basteve Sportive Artan Shyti

“Mbyllja e basteve do t’i çojë shqiptarët drejt informalëve dhe faqeve online”

Kompanitë e basteve do të kërkojnë dëmshpërblim në gjykatë lidhur me vendimin e fundit të qeverisë për mbylljen e aktivitetit të tyre nga 1 janari 2019. Sipas tyre, licenca e dhënë me afat 10-vjeçar mbaron në vitin 2026 dhe si e tillë duhet të respektohej. Të gjendur para një “surprize” me një paralajmërim dymujor, kompanitë e basteve vlerësojnë se dëmi që ju është shkaktuar luhatet mes 30-45 milionë euro.

Kryetari i Shoqatës së Basteve Sportive, Artan Shyti, vlerëson se sektori ndodhet sot vërtet në një nevojë për rregullim dhe ligjshmëri, por vendimi drastik nuk pritet të zgjidhë tërësisht problemin. Ai nënvizon se heqja e kësaj alternative thjesht do t’i çojë lojtarët në kanale të tjera si faqet online jashtë Shqipërisë, si dhe te pjesa informale.

Si e gjen sot biznesin e basteve ndryshimi ligjor i ndërmarrë nga qeveria? A keni një vlerë të dëmit që ju shkaktohet nga kjo situatë në kushtet kur jeni lajmëruar vetëm pak javë më parë?

Ky biznes është kapur i papërgatitur nga ky vendim. Edhe në drejtim të llogaritjes së dëmit apo të trajtimit të stafit e bashkëpunëtorëve, situata mbetet e paqartë. Na është thënë sot për nesër që nuk do të jeni më, ndërkohë që kazinotë morën dy vite kohë për t’u përgatitur për këtë fazë. Nuk mund t’i thuash një biznesi që e ke licencuar vetë, që ke dy muaj kohë, pra deri më 31 dhjetor dhe më pas do të mbyllesh. Njerëzit që kanë punuar në këtë biznes kanë marrë përsipër një kostom, përfshirë edhe atë që janë etiketuar si llum apo si kriminelë dhe kjo është pjesa e pandershme dhe e pandërgjegjshme në këtë trajtim. Këta njerëz, që punojnë në këtë sektor, kanë detyrime, kanë familje, kanë kredi. Pesha e trajtimit të tyre u bie kompanive.

A do t’i drejtohen Gjykatës kompanitë e basteve lidhur me ndryshimet e fundit në ligjin “Për lojërat e fatit”? Cila është vlera që do të kërkoni si dëmshpërblim?

Nëse ligji hyn në fuqi, e vetmja rrugë për ta kontestuar është gjyqësori, sepse aty mund të kesh një shans për të pasur të drejtë, duke paraqitur këto argumente që po themi, të cilat mund të bëjnë që ligji të mos hyjë në fuqi, ose të hyjë në fuqi, por kompanitë të dëmshpërblehen për dëmet që kanë pasur. Besoj se duhet bërë, sepse s’ka rrugë tjetër nëse nuk je dakord me këtë ligj. Dhe nëse ky ligj dëmton bizneset, si të gjithë e pohojnë, është një mbyllje e papritur, e penalizuar, atëherë dhe autoritetit të qeverisë do t’i përgjigjesh vetëm me një rrugë, që është ajo ligjore. Dëmi i momentit për të gjitha kompanitë, me gjithë fitimin e munguar, është llogaritur në një nivel 30-45 milionë euro. Kemi këtë lloj shtrirjeje, sepse ka ende shumë elemente që mbeten të paqartë, por dëmi ka filluar që tani.

Që në këtë moment, kemi probleme për të arkëtuar xhiron në pika. Janë detyrime të ndryshme. Kemi gjithashtu disa elemente që janë shumë komplekse si qiratë e dhëna, qiratë e parapaguara, pretendime nga qiradhënësit që duan të marrin në varësi të kontratës. Punonjësit mund të kenë pretendimet e tyre dhe nëse zbatojmë pikë për pikë Kodin e Punës për çdo punonjës, vetëm kostoja e pagave na shkon 10 milionë euro. Ata nuk mund t’ia kërkojnë shtetit dhe do të na i kërkojnë ne, ndërkohë që ne do t’ia kërkojmë shtetit, sepse është ndërhyrë në ligj. Licenca është pronë që na është dhënë dhe afati i mbaron në vitin 2026.

Në vitin 2013 është bërë një studim që nxirrte që potenciali i lojërave në vend është 350 milionë euro, kurse Kryeministri thotë 700 milionë euro. Cila nga këto është realiste?

Shifrat që besoj janë shifrat zyrtare. Janë ato shifra mbi të cilat sot mund të gjykojmë dhe që lidhen me numrin e të punësuarve në pikat e basteve, tatimet që shteti mbledh nga këto pika dhe taksa të ndryshme që ne si biznes paguajmë. Këto janë shifrat zyrtare. Pastaj sigurisht ka shifra të fshehura, që janë paratë që shqiptarët luajnë jo në sistemin shqiptar të lojërave të fatit, që janë shumë, por nuk e dimë sa janë. Ky ishte problemi i madh që ne kemi thënë se duhet të rregullohej.

Ndërkohë që kjo nuk u rregullua, por po mbyllet pjesa brenda vendit. Ne besojmë se mbyllja e basteve sportive fizike dhe online në vend do t’i çojë këto para jashtë dhe nuk do të shkojnë ashtu siç po thuhet te familjet shqiptare. Natyrisht do t’i shkojë një pjesë, por ne besojmë se pjesa tjetër, ajo e luanit, që është e fshehtë dhe jo e ligjshme aty, do të luhet aty. Ne e pranojmë që ajo që shohim sot me pikat e basteve është shumë e ekzagjeruar si në shpërndarjen që ka edhe në vendosjen, dhe qeveria ka të drejtë të thotë se kështu nuk vazhdohet. Por kjo është pjesa e vogël e sasive që luhen. Kjo është pjesa e ligjshme, që ne kemi frikë, nëse mbyllet si aktivitet, do të kthehet në një pjesë të madhe në paligjshmëri dhe duke u kthyer në paligjshmëri, është mënyra më e mirë dhe më e saktë për të financuar krimin e organizuar, i cili do të bëhet pronar i këtij aktiviteti.

Ky ligj mbyll pikat e licencuara. A mund të sjellë lulëzimin e pjesës informale?

Besoj që një pjesë e mirë e atyre që luajnë sot nëpër pikat e basteve të licencuara do të kthehen në online apo struktura të tjera të paligjshme. Kam përshtypjen që është e pamundur edhe në botë, jo vetëm në kushtet tona, të frenohet ky aktivitet sepse edhe në kohën e diktaturës, është bërë kjo, jo më në demokraci që ka aq shumë forma nga më të stërholluarat, të cilat është e pamundur që qeveria t’i kontrollojë. Qeveria nuk ishte e zonja t’i menaxhonte këto që ishin në dritën e diellit, imagjino tani të hyjë nëpër shtëpitë e njerëzve, në celularët e njerëzve apo sistemin online për të gjurmuar. Nuk besoj se jam personi i duhur për elemente teknike. Di që këto forma të paligjshme janë të pranishme, di që pjesa e madhe e parave, por këto janë perceptime, fakte sporadike, luhen online dhe nuk shkojnë te pikat e basteve.

Qeveria ka vendosur që organizimin, zhvillimin dhe ndërmjetësimin ta kalojë te përgjegjësitë e veta. A mendoni se kjo do ta rregullojë tregun?

Ajo që ne konstatojmë është pikërisht mënyra skandaloze e përballimit të këtij problemi. U lanë tre vjet kohë kazinove elektronike për t’u bërë gati dhe jo vetëm që i lënë dy muaj një biznesi që ka 10 herë më tepër njerëz të punësuar, por bëjnë edhe të tilla lëvizje brenda ditës ndrysho këtë, hiq këtë, kalo këtë. Ajo që mendojmë se duhet theksuar është që a mundet që një degë e biznesit, biznesi më i dëmshëm, por i licencuar nga qeveria të trajtohet në këtë mënyrë. Kryeministri thotë se shkojnë 700 milionë euro për lojërat, ndërsa 650 milionë euro janë duhan të djegura. Pse nuk i shkon ndonjërit mendja që të thotë që, meqë dëmton e bën keq, do ta heqim, nuk do të pini më cigare, sepse është e njëjta gjë.

Cili është profili i lojtarit tipik që kemi sot, a ka mundësi që ky lojtar të aksesojë pjesën e faqeve online, qoftë dhe jashtë?

Është e njëjta tipologji që kishim para 5 vjetësh me gazetat që shkonim, i blinim dhe sot lexojmë çdo gjë online. Përshtatet. Kishte një trend për të shkuar drejt online dhe kompanitë e basteve ekzistuese e kanë marrë licencën dhe do të shkonin gradualisht nga fiziku tek online. Por veçoria e basteve në Shqipëri janë ato sallonet e mëdha të bukura, me disa televizorë ku sheh 5-6 ndeshje. Të gjitha kompanitë e morën licencën për online, ndërsa vendimi i qeverisë i ka bllokuar licencën për të dyja. Ende nuk po e kuptojmë motivin e këtij veprimi drastik. Janë shtatë lloje lojërash fati në vend, por po mbyll disa e po lë disa të tjera. Për shembull, kazinotë apo resort- kazinotë, bingot televizive dhe ato tradicionale dhe Lotaria Kombëtare do të vazhdojnë.

A keni besim te pjesa e Gjyqësorit, duke qenë se jeni një biznes i paragjykuar?

Ata që marrin vesh nga ky aktivitet e kanë të qartë se ku fillon dhe ku mbaron anatemimi. Ne kemi qenë bashkëpunëtorë të qeverisë në privatizimin e këtij aktiviteti. Ne kemi qenë operatorë siç janë tregtarët e duhanit, ata të karburanteve. Qeveria na ka dhënë një licencë. Kur të jep një licencë, të bën bashkëpronar. Ne jemi bashkëpronarë me qeverinë në baste. Qeveria nuk mund të thotë që e keni bërë ju gabimin dhe unë nuk kam faj.

Në disa deklarata është vënë theksi te lidhja e këtij sektori me krimin. Ju si e shihni këtë?

Nuk ka një sektor në ekonominë shqiptare apo ballkanike që nuk ka ndikim nga kjo punë. Te ndërtimi është thënë, te hoteleri-turizmi gjithashtu, te rrugët është thënë. Unë di që nga aksionerët zyrtarë, askush nuk ka të drejtë të ketë kompani bastesh, nëse nuk është i pastër nga pikëpamja penale. Nga 8 mijë operatorë që janë të punësuar, të gjithë dorëzojnë certifikata penale. Këta nuk janë. Nëse ka ndonjë dhe ne nuk e dimë, të shkojë ta kapë shteti ç’punë ka pjesa tjetër e ndershme. Është si të thuash që nëse një ndërtues ka precedent penal të mos ndërtohet në Shqipëri. Nuk është ky modeli.

Shteti thotë jemi kriminelë. Por ne shteti na ka licencuar, nëse jemi kriminelë, ti ke licencuar një kriminel, ma ke dhënë ti licencën. Këto 4300 pika janë me NIPT, sepse për çdo pikë shteti merr 40-60 mijë lekë tatim shteti. I ka interesuar të bëjë shumë, që të marrë shumë para. Ne kemi bërë gabim që kemi çuar kërkesë, ai ka bërë gabim që ka licencuar. Gjithë këtë bashkëfajësi në këtë lulëzim pa precedent dhe shumë të dëmshëm e kemi bashkë. Ka nevojë të rregullohet, rregulloje. Ka nevojë të ligjërohet. Janë 20-30% të paligjshëm të cilët duhen bërë zero dhe nuk shtuar. Se të gjithë këta që kanë rekorde kriminale mendoni se do ndalojnë. Pasojat sociale do të jenë më të mëdha.

Nëse kompanitë do të rishiteshin në një vlerë hipotetike tregu sot, duke mos pasur variantin e mbylljes, cila do të ishte vlera e tyre?

Vlera e shitjes në këtë biznes ka dy modele standard. Njëri llogaritet mbi fitimin 4-5-vjeçar për të nxjerrë vlerën e shitjes dhe një tjetër varet mbi potencialin dhe rritjen. Ti si kompani mund të jesh jo mirë nga fitimi, por ke ardhur me rritje. Kjo bëhet duke pasur parasysh asetet, mundësitë financiare për të gjeneruar të ardhura. Por me një përllogaritje të përafërt, kjo vlerë luhatet mes 7-15 milionë euro sipas kompanisë por kjo është evazive.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit (Emrat)

SPAK ka sekuestruar pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit, biznesmenëve Valter Begaj  dhe Ervis…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

EMRI/ Vdes në punë shqiptari në Itali, baba i katër fëmijëve

Një shqiptar vdiq i shtypur nga një ngarkesë që peshonte mbi një ton ndërsa po…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Beleri dhe Goro në burg, pas tensioneve në Këshillin bashkiak të Himarës, zgjidhet kryetari i komanduar

Blerina Balaj është zgjedhur kryetare e komanduar e Bashkisë Himarë pas mbledhjes me tensione në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Ngjarja në Memaliaj, policia: 41-vjeçari qëlloi në ajër për të kanosur dy persona

Një person ka qëlluar në ajër në Memaliaj ditën e djeshme dhe si pasojë e të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Emërimi i kryetarit të përkohshëm deri në zgjedhjet e reja, mblidhet këshilli bashkiak i Himarës! Banorët përplasen me policinë

Sot në orën 10:30 nisi mbledhja e radhës në këshillin e Bashkisë së Himarës ku…

LEXO ME SHUME