
E reja, e cila u dhunua barbarisht nga bashkëjetuesi, Gleard Gusholli, ka rrëfyer si nisi gjithçka mes tyre, nga njohja në Gjermani, tek tortura që 31-vjeçari ushtroi ndaj saj.
Në emisionin “Me zemër të hapur”, ajo tregoi se me Gleardin u njohën në një spital në Gjermani ku 28-vjeçarja punonte dhe nisën bashkëjetesën.
Por, gjatë kësaj kohe ai e ka torturuar duke ushtruar dhunë ndaj saj deri në momentin kur prindërit e të resë u bënë dëshmitarë të dhunës që Gleard Gusholli ushtronte ndaj të bijës dhe vendosën që ta largonin nga banesa.
Pas 3 muajsh të ndarë, çifti vendosën të ribashkoheshin dhe 28-vjeçarja u zhvendos për të bashkëjetuar me të riun në banesën e nënës së tij, kur rinisën sërish torturat ndaj saj.
Dëshmia e të dhunuarës:
Gjendja ime nuk është e mirë, psikologjikisht ndihem shumë keq. Shpirtërisht jam e vdekur. Javën e dytë të bashkëjetesës filloi një xhelozi shumë e tmerrshme. Jemi ndarë për 3 muaj dhe më ka kërcënuar në Gjermani, u ribashkuam për një jetë më të mirë.
Unë kam lindur dhe jam rritur në Gjermani, jam infermiere atje. Në spital ka ardhur një ditë Gleardi dhe e ndihmova se nuk dinte gjuhën, aty nisëm kontaktet dhe u lidhëm.
Pas 10 muajsh ai ka rënë në burg. Nuk e kam denoncuar, as prindërit e mi. Unë jetoja me Gleardin, ndërsa prindërit e mi veç. Kisha një javë pa e parë nënën dhe babain tim, sepse s’doja të më shihnin në atë gjendje. Ai shkonte dhe pinte kafe tek prindërit e mi, i thoshte që jam mirë dhe se isha në punë. Unë isha në krevat me shenja në fytyrë, në trup dhe s’doja të bëja denoncim se më thoshte “do të vras prindërit dhe familjarët, motrat, nipërit e tu, do të ta nxi jetën.
I kam bërë këto gabime. Ditën që u ndamë u përplasa në makinë nga goditja e tij, më ka dhunuar edhe në makinë. Aty më panë prindërit e mi. Atë ditë e kanë nxjerrë nga shtëpia, i thanë merr rrobat e ik nga këtu. I jam lutur prindërve që të mos e denonconin nga frika se mos u bënte diçka. E doja me gjithë shpirt dhe s’doja të më kërcënonte më.
E kam dashur por edhe kisha frikë, sepse kam 2 motra, 3 nipër dhe prindërit e moshuar.
Më datën 1 prill erdha në Shqipëri. Mbas datës 1 prill jetova me të tek shtëpia e mamasë së tij.
Kemi jetuar vetëm unë dhe ai, nuk kishte njeri tjetër. Më thoshte këto 3 muajt e fundit që nuk kemi qenë bashkë çfarë ke bërë ti, kë ke takuar. Më mori telefonin. I lutesha të kontaktoja prindërit e mi, s’më lejonte telefonin. Më mbyllte me çelës, thoshte do të hedh në lumë. Merrte thikë ma çonte në trup e thoshte do të ta ngul në bark.
Më ka dhunuar i vetëm. Nuk lejonte as familjarët e tij të hynin. Nuk ma hapte derën, doja të hidhesha nga kati i 5-të i ballkonit, tentova të pija edhe ilaçe. Ai s’më lejonte, më thoshte ‘jo jo do të torturoj unë ty, do të torturoj avash avash’.
Ne ushqeheshim me gjërat që kishim aty. Edhe nëse donim ndonjë gjë, ia sillnin tek dera. Porosiste në restorante, e hapte vetë derën.
Kam parë vdekjen me sy, sidomos ditën e fundit.