Lajme

Drejtori i ARRSH: 100 milionë dollarë për rindërtimin e 27 urave të dëmtuara, ja tre të parat ku do ndërhyhet

100 milionë dollarë do të shpenzohen nga qeveria shqiptare për rindërtimin e urave të dëmtuara.

Në një intervistë televizive, drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ervis Berberi bëri të ditur se, është gati kredia që do të mundësojë këtë projekt.

“Banka Botërore miratoi në bordin e saj kredinë për Shqipërinë. Bëhet fjalë për një investim prej 100 milionë dollarë. Rehabilitimi i urave fillon këtë vit dhe vazhdon edhe në 7 vitet e ardhshme”, u shpreh ai.

Berberi theksoi se, ura e parë që do të nisë ndërtimin është ura e Beshirit.

“Në vitin e parë do të ndërtohen 3 ura, ura e Beshirit që do të bëhet e re, ura e Viroit dhe ura e Dragotit që do bëhet urë e re në lumin e Vjosës që lidh qarkun e Tepelenës me qarqet përballë, dhe i shërben dhe Memaliajt”, tha Berberi.

Berberi vuri në dukje se studimi për gjendjen e urave është bërë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Ai siguroi se, pavarësisht dëmtimit të tyre, asnjë urë nuk është e pakalueshme.

“’Pavarësisht dëmtimit nga tërmeti i 2019-ës, nuk ka asnjë urë të rrezikshme për kalim. Të gjitha investimet janë bërë që këto ura të kthehen në standarde më të larta”, u shpreh Berberi.

Në të gjithë Shqipërinë numërohen 186 ura, por vetëm 101 prej tyre pas studimit kanë rezultuar me problematika dhe do ti nënshtrohen procesit të rindërtimit.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close