
Selenica mirëpret kryetarin e ardhshëm të bashkisë, Nertil Bellaj!
Në një atmosferë entuziaste, në prani të drejtuesit politik të PS për qarkun e Vlorës, Blendi Klosi, kryetarit të bashkisë të Selenicës, Pëllumb Binaj si dhe shumë anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste, u prezantua kandidati për kryetarin e bashkisë të Selenicës në zgjedhjet e 14 majit, Nertil Bellaj.
Ky prezantim erdhi pas përzgjedhjes dhe shpalljes së kandidaturave për kryetar bashkie në të gjithë vendin, në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialiste në Tiranë.
Nertili është një i ri energjik që e do punën, ndaj unë kam besimin se ai do të dijë t’i përmbushë pritshmëritë e banorëve të Selenicës në përgjegjësinë e re.
Siç e thotë vetë Nertili, ai nuk do të jetë thjesht kryetar i bashkisë, por një shërbëtor i devotshëm i qytetarëve të Selenicës.
Ai ka përfunduar fakultetin Ekonomik dhe ka mbajtur detyra me përgjegjësi si, drejtor i AKU për qarkun Vlorë dhe drejtor i Ndërmarrjes së Naftës në Gorrisht ku është dalluar për aftësi drejtuese dhe marrëdhenie shumë të mira me stafin.
Si angazhim politik, ai mban detyrën e kryetarit të Partisë Socialiste në Selenicë.
Kam bindjen se më 14 maj, qytetarët e Selenicës do t’i besojnë alternativës së Partisë Socialiste dhe Nertil Bellajt, i cili pas kalimit të stafetës nga kryetari aktual i bashkisë, Pëllumb Binaj dhe me mbështetjen e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, do t’i shumëfishojë përpjekjet për të bërë punë të mira për komunitetin.
Të gjithë së bashku, do të jemi në shërbim të qytetarëve! Ju uroj një fundjavë të mbarë!