
Është vetëm 22 vjeç dhe është një nga drugdhendësit e paktë që vijojnë ta ruajnë këtë zanat të vjetër në Qarkun e Korçës.
Gjergji Demika jeton në fshatin Rëmbec, atje ku ka edhe punishten në të cilën realizon punimet e tij artistike. Gdhendjen e drurit e ka mësuar nga gjyshi dhe i ati ndërsa sot është kthyer në një zanatçi të mirëfilltë
“Këtë profesion e kam trashëguar nga familja, nga mosha 15-16 vjeçare më lindi dëshira ta çoj më të tej duke u më përpara, nga mobilieria të merem me gdhendjen e drurit”, tregon Demika.
Pasioni dhe dëshira për të punuar, e ka kthyer Gjergjin në një artist të vërtetë që sot realizon punime të ndryshme, nga portretet, zbukurimet e mobiljeve si dhe të preferuarat e tij që janë gdhendjet e ikonostaseve në kisha të ndryshme.
Ndërsa e sheh edhe si profesionin e së ardhmes pasi edhe të ardhurat që siguron përmes tij, janë të kënaqshme. “Punën e kam vazhduar si pasion dhe mendoj se është një punë që ja vlen”, sugjeron ai
Si një profesion pas të cilit është tepër i apasionuar dhe si një trashëgimi e vyer familjare, Gjergji ruan dhe i përdor ende, edhe veglat e vjetra të gjyshit.