Covid-19Lajme

Dy frigoriferët e parë të vaksinës anticovid mbërrijnë në Selanik

Pamjet e dy frigoriferëve të parë që kanë mbërritur në Selanik dhe që do të mbajnë dozat e para të vaksinave kundër koronavirusit kanë ngjallur optimizëm në Greqi, ndërsa numri i vi.ktimave prej fillimit të pandemisë ka shkuar në mbi 4000, 96 prej të cilëve vetëm 24 orët e fundit.

Frigoriferët e veçantë që ndodhen në depot farmaceutike të qytetit dhe ku do të ketë masa të rrepta sigurie , janë në gjendje të mbajnë në temperaturën -70 grade sapo të mbërrijnë 15000 shishe secili, me përbërjen e vaksinës, ndërkohë që me një shishe bëhen 5 vaksinime, ndërsa priten edhe frigoriferë të tjerë në ditët në vijim që do të shpërndahen pranë qendrave të vaksinimit.

Kryeministri Mitsotakis duke folur për strategjinë e imunizimit të vendit  ka dhënë disa detaje të operacionit të mbërritjes dhe shpërndarjes së vaksinave në Greqi, me emrin simbolik “Liria”.

Kyriakos Mitsotakis kryeministër i Greqisë: Besojmë se grupi i parë i vaksinave do të jetë në vendin tonë në 26 Dhjetor dhe nga 27 Dhjetori do të jemi në gjendje të kryejmë vaksinat e para në pesë spitale në Athinë dhe menjëherë më pas në Selanik. Do të ketë një përparësi të rreptë se kush nga bashkëqytetarët tanë duhet të vaksinohet i pari.”

Sipas një plani te autoriteteve shëndetësore të parët që do të vaksinohen janë një infermiere dhe një i moshuar, e më pas procesi do të vazhdoje me gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor dhe qytetarët e grupmoshës mbi 65 vjeç me synimin që deri në fund të  qershorit të jetë vaksinuar 70%  e popullsisë.

Vetë kryeministri grek me bashkëshorten e tij duke dhënë një mesazh ndaj skepticistëve dhe kundërshtuesve të procesit do të vaksinohen para kamerave të televizoneve greke në datën 28 dhjetor në një spital në Athinë.

Ndonëse numri i rasteve ditore të të prekurve është ulur , Greqia numëron mbi 525 të intubuar , ndërsa autoritetet kanë vendosur  lockdoën me të rreptë për 3 zona të periferisë perëndimore të Athinës si dhe për qytetin e Kozanit pasi barra epidemiologjike është tepër shqetësuese në këto zona.

Në ndihmë të autoriteteve shëndetësore në javët ardhshme do të jenë edhe forcat e armatosura të cilat me personelin e tyre mjekësor do të kryejnë teste në 130 pika të vendit.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close