Lajme

Dy ndërhyrjet strategjike në Reformën e Pronës

Qeveria shqiptare miratoi të mërkurën paketën ligjore për Reformën e Pronës, e cila së shpejti do të diskutohet dhe miratohet në Kuvend.

Kjo reformë ka në fokusin e saj krijimin e një Sistemi të Menaxhimit të Integruar të Tokës.

Kuadri i ri ligjor do t’i japë zgjidhje njëherë e mirë problematikave të mbartura, duke filluar që nga regjistrimi i titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore.

Po ashtu, do t’i japë gjithashtu fund sorrollatjeve sa nga ALUIZNI tek ZVRPP. Shkurtimi i procedurave do të mundësojë regjistrimin e lejeve të legalizimit brenda një afati kohor 60-ditor. Kjo sepse kalimi i pronësisë mbi truallin do të jetë procedurë e njësuar me atë të legalizimit, falë krijimit të agjencisë unike.

Konkretisht, qeveria ka planifikuar dy ndërhyrje strategjike për çeljen e një kapitulli të ri me pronat. Projektligji për krijimin e agjencisë unike të titujve të pronësisë, ku do të përfshihen kompetencat e institucioneve si ALUIZNI apo Hipotekat dhe ai për kuadrin e ri ligjor, për të mundësuar integrimin e proceseve dhe përmbylljen e proceseve tranzitore mbi pronën si legalizimet apo regjistrimi i AMTP-ve.

Integrimi i të gjitha proceseve që prekin pronën do të kryhet nëpërmjet krijimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si institucioni shtetëror përgjegjës për administrimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme, si dhe për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.

Krijimi i kadastrës dixhitale shumëqëllimshme mundëson gjithashtu që çdo pronë të jetë e regjistruar, të jetë e pasqyruar saktë dhe të ketë një pronar të identifikueshëm.

Projektligji i dytë, ai për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në vend, do t’i hapë rrugën zgjidhjes së çështjeve të mbartura me legalizimin e ndërtimeve pa leje, lëshimin dhe regjistrimin e AMTP-ve, si dhe përmirësim e regjistrit të të dhënave të pasurive.

Ky kuadër i i ri ligjor do të mundësojë eliminimin e çdo hallke të panevojshme, që shkakton barrë për qytetarët dhe për vetë strukturën shtetërore, përmes dixhitalizimit të të gjitha proceseve administrative të lidhura me pronësinë./ATSH

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: