Lajme

Dy orë e gjysmë me autobus për t’u vaksinuar/ Serbët e Kosovës presin në radhë

Prej fillimit të vaksinimit, Serbia dhe Kosova kanë probleme shtesë. Serbia ka filluar të vaksinojë serbët e Kosovës, të cilët po shkojnë në Kurshumli për vaksinim. Para qendrës së vogël shëndetësore në Kurshumli, vetëm tridhjetë kilometra larg kufirit me Kosovën, është mbledhur nga orët e para të mëngjesit një grup i madh njerëzish. Nga porta e oborrit deri në hyrje në ndërtesë janë vetëm pesëmbëdhjetë shkallë.

Shkallët janë bllokuar tërësisht nga njerëzit. Kanë ardhur banorët e enklavave serbe nga Kosova, të cilët po presin të vaksinohen kundër virusit Corona. Edhe brenda në shtëpinë e shëndetit ka një turmë të madhe njerëzish. Para dhomave për vaksinim janë krijuar radhë të gjata. Infermieret shikojnë regjistrat dhe përpiqen të sigurojnë të gjithë se do të vijnë në rend dhe do të vaksinohen.

Dy orë e gjysmë me autobus, për t’u vaksinuar 92-vjeçari Miodrag Kostiq jeton në Laplje Selo, afër Prishtinës. Ai ka udhëtuar dy orë e gjysmë me autobus, për t’u vaksinuar sepse në Kosovë nuk ka vaksina. Miodragu shoqërohet nga djali i tij Radomiri, i cili vet nuk mund të vaksinohet për shkak të alergjisë ndaj pickimeve të bletëve dhe grenzave. Por megjithatë ai është i zemëruar – jo për faktin se nuk mund të vaksinohej, por për shkak se duhet të bëjë një rrugë kaq ta gjatë me babain e moshuar për një vaksinë. „Kështu nuk ka askund në botë, që dikujt t’i ndalohet të marrë vaksinë. Nuk ka askund! Vetëm tek ne atje. Jemi detyruar të vijmë këtu. Jemi regjistruar në Qendrën shëndetësore në Graçanicë, ata kanë organizuar transportin me autobusë dhe kemi ardhur këtu për t’u vaksinuar”, thotë Radomiri.

Babë dhe bir kanë ardhur në Kurshumli, së bashku me rreth 400 banorë të tjerë të Kosovës qendrore, për t’u vaksinuar atje kundër virusit Corona. Deri në fund të javës duhet të vaksinohen rreth 900 qytetarë të tjerë të Kosovës, ndërsa 700 janë vaksinuar javën e kaluar. “Pacientët po vijnë tek ne nga pjesa qendrore dhe juglindore e Kosovës. Ne i marrim listat paraprakisht në mënyrë që të mund të përgatitemi. Gjatë ditës punojmë me 7 ekipe. Unë kam ftuar madje edhe mjekë specialistë për të vaksinuar”, thotë për DW, drejtorja e Qendrës shëndetësore në Kurshumli, Uranija Petroviq.

Organizimi i vaksinimit nga Serbia Sipas Petroviq, ajo listat i ka marrë nga koordinatori përgjegjës për Kosovën, por ata telefonojnë çdo ditë me ndihmësministrin nga ministria e Shëndetësisë, si dhe me përfaqësuesin e Zyrës për Kosovë e Metohi.

“Të gjithë këta persona janë regjistruar edhe përmes portalit elektronik. Ne jemi institucion shëndetësor dhe do të ofrojmë shërbime për çdo pacient. Ne u japim vaksina edhe pacientëve që nuk janë banorë të vendit tonë, të cilët nuk kanë sigurim shëndetësor të Serbisë. Kushdo që aplikon përmes portalit elektrik mund të zgjedhë vendin ku dëshiron të marrë vaksinën. Ne nuk e kemi kthyer asnjë pacient dhe nuk do t’a kthejmë”, thotë drejtorja.

Në pyetjen çfarë mendon për protestat e kolegëve të saj në Kosovë, ajo përgjigjet: “Sigurisht që kanë të drejtë. Në fushën e shërbimeve shëndetësore, nuk duhet të ketë diskriminim, nuk duhet të punohet mbi bazën e përkatësisë kombëtare të pacientëve”, pohon Petroviq. Serbët – udhëtimi i mundimshëm, fajtore qeveria e Kosovës Petroviq thotë, se në mesin e pacientëve që vijnë nga enklavat serbe ka edhe kombësit të tjera. Ata që presin në radhë thonë se në mesin e tyre ka edhe turq e madje edhe shqiptarë.

“Po, me siguri që ka. Ne kemi ardhur me autobusin e shqiptarëve, shoferi është shqiptar. Këto ditë kanë ardhur shumë autobusë dhe të gjitha janë kompani shqiptare. Përveç kësaj, kushdo që ka një letërnjoftim serb mund të vijë këtu të vaksinohet. Unë jam i bindur që ka disa mijëra shqiptarë me letërnjoftime të Serbisë”, thotë një burrë në radhë.

Një i moshuar tjetër thotë se ai ka probleme të mëdha shëndetësore dhe se ky udhëtim ka qenë mundim i madh për te. Por për fat të mirë nuk ka shumë raste të këtilla. Megjithatë ai është i zemëruar: “Do të kishte qenë shumë më mirë, natyrisht, sikur të vaksinoheshim atje. Kështu detyrohemi të kalojmë kufirin… çfarëdo qoftë ai. Këtu vijnë shumë njerëz dhe presin, është e mundimshme. Fajtore është qeveria e Kosovës, sepse ajo po ndjek penalisht personat që janë vaksinuar në Kosovë, kur erdhi një kontigjent atje… Sigurisht që qeveria është fajtore”.

Por, sipas shkrimeve të mediave, në komunën Shtrpce në Kosovë nuk është gjetur asnjë vaksinë, gjatë bastisjeve të inspektorëve të Kosovës, të cilët kërkonin vaksinat që vijnë nga Serbia. Mediat njoftojnë se posedimi i vaksinave të tilla në qendrat shëndetësore në Kosovë konsiderohet si vepër e paligjshme, që ndiqet penalisht. Kjo është arsyeja pse u vendos që qytetarët nga vendet e banuara me serbë në Kosovë të vijnë në Serbi dhe të vaksinohen. Përfaqësuesit e qeverisë serbe nuk janë përgjigjur në pyetjen e DW nëse këto të dhëna janë të vërteta, por bashkëbiseduesit tanë thonë se pohimet janë të vërteta.

Ata rregullisht vaksinohen kundër gripit normal dhe kurrë nuk ka ndodhur që dikush të vijë dhe t’ua marrë vaksinat. „Unë çdo vit vaksinohem kundër gripit, kam probleme të mëdha shëndetësore, marr shumë ilaçe dhe kjo vaksinë më ndihmon të kaloj më lehtë dimrin. Kurrë nuk kemi pasur probleme me vaksinimin, jemi vaksinuar në fshatin tonë ose diku në afërsi. E kjo tani është vërtet një mundim i madh. Kanë mundur të paktën të vendosin këto qendra afër kufirit në Merdarë, por me rëndësi është të vaksinohemi”, thotë Jorgovanka Niçiq, e cila pret në radhë për vaksinim.

Edhe ajo është një grua shumë e moshuar. “Për ne është një mundim i madh, por në pyetje është jeta jonë oj bijë. Tani e di që kur të vi herën tjetër, duhet të marr me vete edhe një karrigë të vogël, sepse nuk mund të qëndroj në këmbë kaq gjatë në radhë”, thotë ajo me buzëqeshje.

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close