fbpx
Lajme

Dy precedentë dhe një standart, pse 25 Prilli duhej të qe kokë më kokë

Sapo rinisi jeta politike pas zgjedhjeve të vitit 2017, e fokusuar te ajo parlamentare, gazetarët e politikës qëmtonin me kujdes nëse do kishte një afrim fizik por aspak politik mes PD dhe LSI-së. Kjo, sepse dukej e pamundur pas një fushate ku gjuha e Bashës e kishte denoncuar rëndë partinë e Meta-Kryemadhit, e njëherësh, Meta, me mandat presidenti në xhep, e kishte sulmuar gjithëaq rëndë Bashën.

Ishte një fushatë pra, ku Rama kishte bërë lëvizjen e tij shahistike të menduar prej kohësh; atë të largimit të LSI-së nga qeverisja, për ta shndërruar këtë në një standart të ri politik (siç), me vlerë historike në tre dekada politikë pluraliste, duke e çuar pra në opozitë një forcë politike tipike klienteliste, një kokëçarje për çdo pushtet. Nga ana tjetër, në terma prestigji e jo vetëm, PD s’mund të pranonte të rifuste në përdorim një leckë të hedhur nga PS. Por ditë pas dite, ofroheshin pamje se si Basha e Kryemadhi afroheshin centimetër pas centimetri me njëri-tjetrin, deri sa u shkrinë në një. Sot, LSI është në pozitën e vet, në atë që është profili i saj, e ngjitur si m pas k pas një prej partive të mëdha duke ushqyer shpresën e rikthimit në tepsinë e pushtetit, ndërsa PD përjeton vetëposhtërimin e saj, ku si një parti historike, jeton e varur nga LSI në shpresën për t’u rikthyer në pushtet.

Kjo është drama e saj e madhe, dhe, nuk vlen asnjë debat mbi PD-në me objeksion 25 prillin 2021 – të tipit program, vizion a të ngjashme – gjersa forca simbol e ndryshimit të sistemeve, nuk bën dot pa dyshen Meta-Kryemadhi. Madje as pa kufoma politike si Shehi, Mediu, Ndoka apo Dule, figura të stërkonsumuara, pa asnjë shkëlqim, që s’përfaqësojnë asgjë veç vetes së tyre. Zgjedhjet e 25 prillit nuk janë si të tjerat. Ato vijnë në një kontekst të ri politik, ku më e pakta, PS ka vendosur të rivalizojë e vetme. Me këtë akt, pos që po provon të eliminojë parazitë politikë pa asnjë lloj vlere që u ngjiten e s’u shqiten partive të mëdha për një llokmë në tepsinë e pushtetit – Laço parti – siç i quante Nano, por e fton PD-në “në heshtje” të bëjë të njëjtën gjë, për të shpëtuar dhe ajo prej tyre. Ndërkohë, është një dorashkë sfidë e hedhur për të, e tipit: provo të hahesh kokë më kokë, për nderin tënd! Siç po shihet, në përpëlitjen e saj për rikthimin në pushtet, PD s’i investohet as në nder e as në moral politik.

Që të dyja këto, e donin që PD të futej në betejën e 25 prillit si sigël e vetme, siç PS, siç dhe i takon si Big politik, nëse pretendon se vijon të mbetet kështu përballë rivalit historik. Shkuarja e saj me LSI-në në krah e me emra parazitësh politikë, nën eufemizmin Opozitë e bashkuar, është për të një disfatë ende pa hyrë në garë. Eshtë prej atyre sjelljeve në dukje pragmatike, me hesape të bëra në mënyrë naive, të cilat përkthehen psikologjikisht si dobësi në elektorat. Ndaj, ajo që duket për të si avantazh, nga Rama trajtohet si avantazh i tij. Siç ka thënë, ashtu i do, të dy bashkë. Sepse të dy bashkë i ka mundur dhe në 2011-ën. Nëse PD vërtet do kishte patur një tranformim të atillë që do e bënte atë të denjë për pushtet, e që do e përçonte në publik ndjesinë se e meriton rikthimin në qeverisje, ajo do ishte një parti pa LSI, më e pakta kjo.

Ky do ishte nderi dhe morali i saj, që s’ka gjasë mos përktheheshin në vota. Çështja është se PD ka kohë që s’beson më te këto dy kolona force e prestigji, e dorëzohet para skemave pragmatike, që dhe këto të luajtura keq. Nga ana tjetër, kjo do vlente dhe për LSI-në. Më 25 prill, ajo do duhej që ta provonte të shkonte e vetme, kokë më kokë me PS-në e PD-në, sepse atë ditë do shkruhet historia e të trijave. Atë ditë, të trija do marrin çmimin që meritojnë për atë se ç’janë për elektoratin. Dhe investimi më i madh është dalja vetëm. PS e bëri (njëherë në 2011 dhe njëherë në 2017, dy herë me fitore), po e bën sërish, dhe kjo i ka dhënë një avantazh psikologjik ndaj kundërshtarëve, akoma pa nisur me beteja.

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button