
Një 29-vjeçar është arrestuar në Kamzë, pasi dyshohet se shpërndante kanabis.
Mësohet se shtetasi me iniciale K. S., është kapur me 82 doza gati për shitje, të cilat i mbante në banesë, në afërsi të rrugës ‘Xhorxh Bush’.
Bëhet me dije se i riu pasi siguronte lëndën e kanabisit, e përgatiste atë në doza në banesë dhe e shpërndante në lagje të ndryshme të Kamzës.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “House”, për goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Vihet në pranga 1 shtetas që përgatiste dozat e kanabisit në banesë dhe i shpërndante ato në lagjet e Kamzës.
Sekuestrohen sasi lënde narkotike kanabis, një pjesë e saj e ndarë në 82 doza, gati për shitje. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “House”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi K. S., 29 vjeç, banues në Tiranë. Në rrugën “Demokracia”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin K. S., të cilit, gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesë, në rrugën “Xhorxh Bush”, i gjetën dhe i sekuestruan sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, një pjesë e së cilës ishte ndarë në 82 doza, gati për shitje.
Nga hetimet ka rezultuar se 29-vjeçari, pasi siguronte lëndë narkotike kanabis, e përgatiste atë në doza, në banesë, dhe më pas i shpërndante ato, në lagjet e Kamzës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.