Categories Lajme

Edhe autostradat e Kosovës me pagesë, kur do të fillohet me tarifa dhe sa do të jetë çmimi?

Pas Rrugës së Kombit, kosovarët do të paguajnë taksë edhe për të kaluar nëpër dy autostradat e vendit. “Ibrahim Rugova” e “Arbën Xhaferi”, pritet që shumë shpejt të bëhen me pagesë. Në Ministrinë e Infrastrukturës deklarojnë se janë në pritje të studimit të fizibilitetit për të caktuar çmimin dhe kushtet e pagesave, derisa thonë se çmimi do të jetë shumëfish më i ulët se ai që ka caktuar Edi Rama në “Rrugën e Kombit”

Arjeta Shabani

Qytetarëve të Kosovës shumë shpejt do t’iu duhet të ndajnë para edhe për dy autostradat e vendit. Arsye për këtë është plani i Ministrisë së Infrastrukturës që të aplikojë pagesë për qarkullim edhe në Autostradën “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi”.

Por, se kur do të aplikohet një taksë e tillë, nuk e kanë vendosur ende as në MI, pavarësisht se ka më shumë se një vit që është paralajmëruar një gjë e tillë.   Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka treguar për Gazetën Express se si po planifikohet që të vendoset tarifa në autostradat e Kosovës.

“Përfundimi i dy autostradave dhe angazhimi për përfundimin e dy të tjerave, është e kuptueshme që janë kosto për buxhetin e shtetit dhe prandaj, rrjedhimisht edhe është e kuptueshme që këto rrugë me standarde të larta duhet të kenë mundësi të mirëmbahen po në këtë standard, prandaj edhe po punohet, pa u ngutur, që të kemi në një të ardhme edhe pagesën rrugore, sikur çdo shtet i rajonit dhe më gjerë”, ka thënë Lekaj. Mirëpo, ndonëse më parë është thënë se në fillim të 2020’ës kalimi nëpër autostradat e Kosovës më nuk do të jetë krejt falas, Lekaj nuk jep ndonjë afat se kur do të vihet saktësisht tarifa.

“Ditën, javën e as muajin nuk mund ta themi se kur do te fillojë se aplikuari, por gjithsesi se në një kohë jo të largët një shërbim i tillë do të duhet të aplikohet”, ka thënë ministri në detyrë. Ka pasur shumë reagime vendosja e tarifës prej pesë eurove në “Rrugën e Kombit” nga Qeveria e Shqipërisë. Lekaj nuk jep çmim konkret se sa do të kushtojë kalimi nëpër autostradat e Kosovës, por thotë se tarifa mendohet të jetë e përballueshme për të gjithë. “Aq sa është e mjaftueshme për t’u mirëmbajtur këto autostrada nq nivelin e duhur dhe sipas standardeve evropiane. Por kjo gjithsesi jo që të rëndohet papërballueshëm ekonomia familjare e as ajo e bizneseve të pjesëmarrësve në komunikacion”, thotë Lekaj.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, i ka thënë Gazetës Express se janë në pritje të studimit të fizibilitetit që t’i caktojnë çmimet për qarkullim dhe kushtet e pagesave. Deklaron se në momentin që e pranojnë këtë studim do të marrin masa. “Sa i përket vendosjes së tarifave për pagesa në të dy autostradat e Kosovës, realisht akoma nuk e kemi marrë studimin e fizibilitetit për me caktu çmimin dhe kushtet e pagesave. Jemi ende në pritje dhe në momentin që vjen do ta shqyrtojmë dhe do të marrim masa”, ka thënë ai. Kadriu thotë se janë duke punuar në të gjitha udhëzimet dhe se për koston do të marrin mendimin e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. “Jemi duke punuar në të gjitha udhëzimet dhe në studimin e fizibilitetit sepse nuk mund të hyjmë në pagesë të taksës rrugore derisa nuk e marrim opinonin e të gjitha organizatave jo qeveritare, qytetarëve, transportuesve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion”, sqaron ai.

E ndonëse ende nuk është vendosur ende për vlerën e kësaj takse, Kadriu thotë se pagesa do të jetë minimale. “Dojmë që këto pagesa të jenë minimale sa për t’i mbuluar shpenzimet e mirëmbajtjes së këtyre autostradave. Akoma nuk dihet se sa do të jetë pagesa, por do të jetë shumëfish më e ulët se sa ajo në Rrugën e Kombit”, ka thënë Kadriu për Express. Gazeta Express ka provuar që të marrë qëndrim për këtë çështje edhe nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, parti këto që pritet ta krijojnë Qeverinë e re, por në asnjërën prej këtyre partive nuk kanë kthyer përgjigje. E se këto autostrada do të bëheshin me pagesë kishte paralajmëruar vjet edhe Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj. Lekaj kishte bërë me dije se të gjitha vendimet rreth pagesave do të jenë transparente.

“Ajo çka mund të themi tani për tani është se nuk do të ngutemi për çmimin të cilin do ta parashohim për pagesë. Ky proces do të jetë shumë transparent dhe i hapur për publikun, sepse rrugët bëhen për qytetarët dhe ne jemi të interesuar që ato të mos bëhen barrë për ta, por diçka që ju shërben atyre”, kishte thënë për Express i pari i MI-së. Dy autostradat e Kosovës të ndërtuara me buxhetin e vendit kapin një shifër prej mbi një miliard e gjysmë euro pa asnjë ndihmë nga jashtë. Autostrada që lidh Kosovën më Shqipërinë e quajtur “Ibrahim Rugova”, është lëshuar për qarkullim më 27 nëntor të 2012’ës. Ndërkohë, autostrada Prishtinë – Shkup e quajtur “Arbën Xhaferi” me gjatësi prej rreth 60 kilometrash, është lëshuar për qarkullim më 29 maj të këtij viti, dhe i ka kushtuar buxhetit rreth 700 milionë euro. Të dy autostradat janë ndërtuar nga konsorciumi turko-amerikan, Bechtel-Enka.

Ndryshe, taksa për Rrugën e Kombit ka filluar të zbatohet që nga 17 shtatori i vitit të kaluar. Kjo pagesë është kundërshtuar ashpër nga kosovaët dhe ishte konsideruar e papërballueshme për xhepat e tyre. Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj muaj më parë kishte thënë se Shqipëria duhet të heq gjitha barrierat ndaj Kosovës në mënyrë që të ndihmohet fuqizimi i ekonomisë nga dy të vendet.  “Është me rëndësi që Kosova dhe Shqipëria të thellojnë bashkëpunimet e gjithanshme t’i heqin gjitha pengesat edhe taksën e rrugës do ishte mirë të veprohej kështu dhe me ndihmuar lidhjen më të fuqishme ekonomike të gjithanshme Kosovë Shqipëri”, kishte thënë Haradinaj.

Kundër taksës së vendosur nga shteti shqiptar ishin organizuar protesta nga qytetarët e qytetit të Kukësit, të cilat më pas kishin eskaluar duke shkatërruar të gjitha sportelet e vendosura që do të shërbenin për pagesën e kësaj takse. Gjatë përplasjeve të ashpra ndërmjet banorëve të asaj pjese dhe policisë ishin lënduar të paktën 12 punonjës policie dhe drejtuesi vendor i Kukësit.

“Rruga e Kombit”, filloi të ndërtohej në vitin 2006 dhe përfundoi në vitin 2010, me ndërtimin e Tunelit të Kalimashit. Kjo autostradë njihet si një nga projektet më madhore infrastrukturore që ka intensifikuar komunikimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, por kostoja e kësaj rruge, e paguar me buxhetet shtetërore të të dyja vendeve, vazhdon të jetë shënjestër e kritikave për barrën buxhetore që e ka shkaktuar. Krahasuar me vendet e rajonit dhe Evropës, pagesa në Rrugën e Kombit, konsiderohet të jetë e lartë. Për të kaluar nëpër Maqedoni nga kufiri i Kosovës deri në Gostivar, duhet paguar në dy pika pagese me gjithsej 70 denarë, por nëse pagesa bëhet me euro, atëherë pagesa shkon në 1.5 euro në një drejtim.

Në Mal të Zi, tuneli i Sozinës paguhet 2.5 euro, ky tunel e lidh Podgoricën me Detin Adriatik dhe është i gjatë 4.2 kilometra. Nëse udhëtoni nëpër Serbi, përkatësisht për ta kaluar tërë vendin autostrada ka një gjatësi prej 554 kilometrave dhe që është me e gjatë se Rruga e Kombit, në tri pika pagese në Serbi do të paguani 10.60 euro në një drejtim.

Parapagimi vjetor i shfrytëzimit të autostradës në Slloveni është 55 euro, në Austri 34.7 euro, në Zvicër 40 franga zvicerane apo 37 euro, në Hungari 137 euro dhe Bullgari 50 euro. Në Kroaci paguhet pak më shumë se 5 euro për 100 kilometra, në Itali rreth 9 euro për 100 kilometra dhe në Greqi 6-9 euro për 100 kilometra.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit (Emrat)

SPAK ka sekuestruar pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit, biznesmenëve Valter Begaj  dhe Ervis…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

EMRI/ Vdes në punë shqiptari në Itali, baba i katër fëmijëve

Një shqiptar vdiq i shtypur nga një ngarkesë që peshonte mbi një ton ndërsa po…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Beleri dhe Goro në burg, pas tensioneve në Këshillin bashkiak të Himarës, zgjidhet kryetari i komanduar

Blerina Balaj është zgjedhur kryetare e komanduar e Bashkisë Himarë pas mbledhjes me tensione në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Ngjarja në Memaliaj, policia: 41-vjeçari qëlloi në ajër për të kanosur dy persona

Një person ka qëlluar në ajër në Memaliaj ditën e djeshme dhe si pasojë e të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Emërimi i kryetarit të përkohshëm deri në zgjedhjet e reja, mblidhet këshilli bashkiak i Himarës! Banorët përplasen me policinë

Sot në orën 10:30 nisi mbledhja e radhës në këshillin e Bashkisë së Himarës ku…

LEXO ME SHUME