
Ina Nuka, efektivja e repartit të “Shqiponjave” që mbeti e plagosur në protestën e banorëve të “Astirit” përpara Kuvendit në 22 nëntor pas kurimit në Turqi ka mbërritur mbrëmjen e sotme në aeroportin e Rinasit.
Ajo është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa u prit në aeroport nga familjarë dhe kolegë të saj.
“Jam shumë mirë. Sipas mjekëve si aplikimi i parë operacioni ka dalë me sukses”, tha Ina përpara gazetarëve.
E pyetur nëse do të tërhiqet nga policia, Nuka tha se “kjo është e pamundur. Unë jam shumë privuar nga shumë gjëra të tjera për të qenë në polici. Kjo s’më pengon aspak, madje më jep më tepër forcë”.
“Në fillim kisha vështirësi. Dhimbjet ishin mjaft të mëdha, por ia dola. Falënderoj të gjithë, kryeministrin Edi Rama, mjekët në Turqi, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, ministrin e Brendshëm, kushdo që ka bërë të mundur që të vazhdoja kurimin në Turqi”, u shpreh Ina.
Ina Nuka, efektivja 26-vjeçare, e cila u plagos gjatë protestës për ndërtimin e Unazës së Madhe, me anë të një avio-ambulance të Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë u dërgua disa ditë më parë në Turqi ku mori për trajtim të specializuar mjekësor në Spitalin e Trajnimit dhe Kërkimit pranë Universitetit të Shkencave të Mjekësisë në Ankara./k.s/ /a.g/