Lajme

EKSKLUZIVE/ “Ku janë setet me diamante që blinte në Stamboll?”/ Pazaret e luksit të Alda Klosit kur negocioi koncesionin e aeroportit të Vlorës

Policia e Shtetit publikoi tre ditë më parë listën e sendeve të vjedhura nga Rozeta dhe Havier Dobi në shtëpitë e të pasurve në Tiranë. Përveç mbi gjysëm milioni euro dhe 8 500 dollarëve u gjetën edhe dhe një sasi e konsiderueshme bishuterish si dhe sende të markave luksoze, të cilat dyshohen se iu përkasin edhe personave të tjerë ku Rozeta Dobi ka punuar si pastruese.

Një burim që e ka njohur nga afër zyrtaren e lartë të qeverisë, tha për tpz.al se bizhutë Swarovski dhe floriri janë një pjesë e papërfillshme e pasurisë që Alda Klosi krijoi vitet e fundit, duke u shprehur se ajo prej disa vitesh blinte sete me diamante.

Zyrtarja e lartë e qeverisë, kur ishte drejtoreshë në Drejtorinë e Koncesioneve në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë që drejtohej nga Arben Ahmetaj, përveç firmës së hedhur në një shkresë të hartuar prej saj drejtuar ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, më 6 prill 2017, për inceneratorin e Tiranës, është marrë me anën financiare të negocimit me disa kompani turke për koncesionin e qeverisë shqiptare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Në kuadër të negociatave, Klosi, në shumicën e rasteve ka udhëtuar bashkë me Krislen Kerin, asokohe drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil, dhe blinte nga 2-3 sete stolish me diamante në një fabrikë në periferi të Stambollit dhe kishte privilegjin të kalonte pa kontrolle doganore në aeroportin e Stambollit dhe në atë të Rinasit, edhe pse ishte e pajisur me pasaportë shërbimi.

Mendohet se zonja Klosi ka bërë shumë udhëtime dhe blerje të tilla edhe pse koncesioni në vitin 2019 dështoi, pasi nuk u arrit marrëveshja mes konsorciumit turk të tre kompanive “Cengiz”, “Kalyon” dhe “Kolin Construction” me qeverinë shqiptare.

Sipas studimit të fizibilitetit, vlera e investimit për të ndërtuar Aeroportin e Vlorës ishte 98 milionë euro, ndërsa në 3 vitet e para parashikohej një fluks prej 600 mijë udhëtarësh në vit.

Aeroporti i Vlorës që do të ndërtohet në Akërni, me distancë 10 minuta larg rrugës nacionale Fier-Vlorë ishte kundërshtuar nga disa vende anëtare të BE-së. Ish-Komisioneri për Negociatat e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Johanes Hahn, deklaroi më 4 prill 2019 se Komisioni kishte planifikuar një hetim mbi respektimin e kuadrit ligjor të prokurimeve publike dhe të ndihmës së shtetit nga qeveria shqiptare, përmes angazhimeve teknike të ndryshme në vend, pasi kishte patur ankesa për shkeljen e Marrëveshjes së Atabilizim-Asocimit ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së në lidhje me procedurat për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, dhe të linjës ajrore “Air Albania”.

Më pas qeveria shqiptare ia dha koncesionin e ndërtimit të aeroportit konsorciumit që përfshin konglomeratin Turki “YDA Construction Industry and Trade”, drejtuesi i të cilit mendohet se ka lidhje të afërta me partinë e presidentit Erdogan, AKP,  “Mabetex Group” që zotërohet nga një prej miqve të Ramës, biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli dhe “2A Group” sh.p.k, në pronësi të Valon Ademit, i cili deri në Korrik 2019 ka qenë Konsull Nderi i Shqipërisë në Kosovë.

Sipas marrëveshjes, shteti shqiptar do t’i duhet t’i paguajë konsorciumit deri në 138.2 milionë euro (145.4 milionë dollarë), rreth një e treta më shumë se kostoja e ndërtimit, duke krijuar një kosto të madhe financiare për buxhetin e shtetit.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close