Lajme

Ekspertiza për aksidentin me 5 viktima/ Ekspertët “shfajësojnë” 22-vjeçaren

Aksidenti i ndodhur mesjavën e shkuar në Qafën e Muzinës ku humbën jetën pesë persona dhe u plagosën disa të tjerë, duket se po hyn në një etapë të re hetimesh.

Sipas ekspertëve, në momentin e ndodhjes së aksidentit ka pasur reshje të pakta shiu, çka ka favorizuar rrëshqitjen e mjeteve. Përplasja mes furgonit me pasagjerë dhe fuoristradës ku udhëtonin tri vajza, ka qenë tangenciale dhe kjo është përcaktuar edhe nga pozicionimi i automjetit tip “Range Rover”, dy metra larg vendit ku u regjistrua përplasja.

Gjurmët e frenimit në vendngjarje mungojnë, çka do të thotë se s’ka pasur fare frenim dhe, nëse do kishte, mbi atë bazë do përcaktohej edhe shpejtësia e mjetit të dytë, ndërsa furgoni me pasagjerë përfundoi në humnerë, duke u marrë jetën katër prej tyre dhe shoferit. Ekspertët konfirmojnë se nëse do të kishte përplasje frontale, përgjithësisht energjia e çliruar nga të dyja mjetet do të varej nga pesha e secilit mjet dhe në këtë rast, pasojat do të ishin veçse me lëndime.

“Por në rastin në fjalë me përplasjen tangenciale një pjese e energjisë e përthith goditja, kurse pjesa tjetër e ruan lëvizja”, thuhet në raport. Dyshimet ngrihen mbi respektimin e shpejtësisë nga të dy mjetet prej 30 km në orë, në një aks ku janë regjistruar aksidente të shumta.

Vajza 22-vjeçare, Rexhina Çelhakaj, që drejtonte mjetin tip fuoristradë, ka deklaruar në vijimësi se nuk është ajo shkaktare e aksidentit. Nga Spitali i Burgut të Grave në Tiranë, ku ndodhet pas caktimit të masës së sigurisë  “Arrest me burg” nga Gjykata e Gjirokastrës, Çelhakaj ka deklaruar se ka qenë furgoni i aksidentuar që udhëtonte me shpejtësi, në një aks nuk mund të kalohen 30 km në orë.

Në gjendje të rënduar psikologjike si pasojë e asaj që ndodhi, e reja ka thënë se  udhëtonte brenda normave të lejuara, duke akuzuar viktimën Bardhi Proda si shkaktar të aksidentit. “Furgoni me pasagjerë erdhi me një shpejtësi skëterrë, aq sa nuk e pandeha se nga erdhi”, mësohet të ketë deklaruar ajo. Në ditët në vijim, grupi i ekspertëve nga Tirana do të përcaktojë edhe konkluzionet që do t’i shërbejnë organit të akuzës për të zbuluar shkaqet reale të aksidentit ku humbën jetën 5 persona, mes të cilëve edhe drejtuesi i furgonit të pasagjerëve.

Burime  konfidenciale nga grupi hetimor konfirmojnë se drejtuesja e “Range Roverit”,  Rexhina Çelhaka, udhëtonte me automjetin e djalit të xhaxhait të saj nga Tirana në drejtim të Sarandës e mandej drejt destinacioneve të tjera. Çelhaka, nën shoqërinë e  shoqeve të saj, kishte përshkuar rrugën nga bregdeti jonian me ndihmën edhe të GPS në celular pasi ishte një terren i panjohur për të.

NGJARJA

Aksidenti tragjik u regjistrua pasditen e 26 gushtit në  aksin nacional SarandëGjirokastër në vendin e quajtur Muzinë. Ishte ora rreth 15:30 minuta, kur furgoni taksi, i drejtuar nga shtetasi Bardhi Proda, po ngjitej për në Muzinë drejt Sarandës, kur është përplasur me një  mjet tip “Range Rover”. Furgoni përfundoi rreth 25 metra në greminë, duke u marrë jetën pesë nga gjashtë personat që ndodheshin brenda tij. Viktimë e aksidentit mbeti shtetasi Bardhi Proda, 51 vjeç, shoferi i furgonit, si dhe pasagjerët Fiqiri e Drita Korçari, 77 dhe 72 vjeç dhe çifti nga Ukraina, Olesander dhe Tetiana Fediaieva, 53 dhe 48 vjeç. Ata kishin ardhur në vendin tonë për të kaluar pushimet. Vetëm një vajzë 25-vjeçare nga Tirana, e quajtur Greta Daberdini, arriti të mbijetonte me plagë të lehta. Të plagosura lehtë mbetën edhe tri vajzat e mjetit tjetër tip fuoristradë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: