
Policia e Durrësit ka vënë në pranga një shtetas të dënuar me 20 vite burg nga autoritetet italiane.
Policia bën me dije se është kapur nga shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, shtetasi Alket Hatija, 50 vjeç.
Sipas policisë, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Milano e ka dënuar atë, me 20 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Shtetasi Alket Hatija ka bashkëpunuar me 40 shtetas të tjerë, për trafikimin e lëndëve narkotike. Gjatë periudhës 2003-2004, ky shtetas ka kryer veprimtaritë kriminale të mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndës narkotike heroinë, nga Shqipëria në Itali. 50-vjeçari ka trafikuar nga Shqipëria në Itali, me bashkëpunëtorët e tij, nëpërmjet automjeteve të transportit ndërkombëtar, sasi të mëdha droge (rreth 10 kg heroinë për çdo rast).