Fshatrat e Lezhës janë mes zonave më të prekura nga pasojat e motit të keq ku 3600 hektarë sipërfaqe janë nën ujë. E njëjta situatë paraqitet në Kurbin ku të përmbytura janë 700 hektarë tokë.
Situata më e rëndë paraqitet në Zadrime, aty ky uji ka hyrë në shtëpitë e banorëve të cilët janë detyruar të evakuohen. Ata i thanë gazetarit Elvis Hila se nuk kanë marrë asnjë ndihmë edhe pse kanë nevojë për ujë dhe ushqime.
“Jam zgjuar në 6, uji më kishe hyrë në dhoma”. Si kjo e moshuar, në Zadrime të Lezhës janë zgjuar dhjetëra familje. Me lot në sy, disa kanë lënë shtëpitë, ndërsa të tjerë përpiqen të shpëtojnë nga uji çfarë të munden.
Banorët thonë se nuk kanë marrë asnjë ndihmë edhe pse kanë nevojë për ujë të pijshëm dhe për ushqim. Në fshatrat e Njesisë Administrative të Dajçit dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme në banesa, por edhe në tokë bujqësore. Në Bashkinë e Lezhës janë nën ujë 3600 hektarë sipërfaqe ndërsa janë evakuuar 27 familje. Në Kurbin janë përmbytur 700 hektarë dhe 3 familje janë evakuuar pasi ishin në rrezik nga prezenca e ujit.