fbpx
Lajme

Evropa në vitin 2021, dhe sfidat që ka përpara

Për Evropën, 2021-i do të jetë viti i “post”:post-Brexit, post-Trump, post-Covid, por edhe post-Merkel. Është një vit, gjatë të cilit do të duhet të merremi me trashëgiminë e dy viteve të tmerrshme, 2020 dhe 2016, për të krijuar një normalitet të ri, dhe për të parë më në fund përpara.

Viti 2020 nisi dhe mbaroi me Brexit, megjithëse nga mesi kjo çështje u la në shije nga pandemia dhe zgjedhjet në SHBA. Pak para Krishtlindjeve, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar arritën më në fund një marrëveshje, duke shmangur Brexit-in e frikshëm “pa marrëveshje”. Ndërsa të dyja palët e kanë shpallur veten fituese, dhe shumica e ekspertëve i kanë qëndruar besnikë narrativës së një Brexit si një lojë ku humbës janë që të gjithë, politikanët evropianë mund t`a kthejnë më në fund faqen e kësaj historie të pafundme.

Sigurisht, ka kaq shumë çështje të rëndësishme të mbetura pezull,si edhe ato që tashmë janë mbyllur, por Britania e Madhe nuk është më pjesë e BE-së. Por shumica e njerëzve nga të dyja palët e kishin cilësuar të mbyllur këtë çështje. Para vitit 2020 ata e kishin pranuar Brexit, dhe ishin fokusuar në çështje më konkrete, nga arsimi te strehimi, dhe më pas te shëndeti publik.

Në Britani, kryeministri Boris Johnson do të argumentojë se e ka mbajtur premtimin e tij të fushatës, ndërsa laburistët do të vazhdojnë të përpiqen të gjejnë një pozicion të qëndrueshëm, edhe nëse jo popullor mbi Brexit. Megjithatë, shumë shpejt do të jenë të dukshme kostot e largimit nga BE, edhe pse disa mund të fshihen nën maskën e krizës së Covid-19, ndërsa të tjerat, siç janë çështjet rajonale, do të jenë në qendër të vëmendjes.

Së pari, zgjedhjet parlamentare skoceze në maj 2021 do të kenë Brexit në krye të rendit të ditës, pasi Partia Kombëtare Skoceze (SNP) e kryeministres popullore Nicola Sturgeon do të bëjë fushatë për një referendum të dytë për pavarësi, duke premtuar një Skoci të pavarur dhe  brenda BE-së. Së dyti, marrëdhëniet midis komuniteteve katolike dhe protestante në Irlandën e Veriut, si dhe midis Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, do të testohen fort, pasi askush nuk e di se si marrëveshja e vitit 2020 BE-Britani përshtatet me atë të së Premtes së Madhe të vitit 1998, e cila u dha fund përplasjeve disa dekadëshe.

Përveçse duhet të përcaktojë detajet e shumta përfundimtare të marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar, BE do të duhet gjithashtu të fillojë të ri-mendojë marrëdhëniet e saj me Londrën. Ajo duhet të fillojë të kapërcejë qëndrimin e partnerit ngurrues, madje edhe“mosmirënjohës”, dhe të zhvillojë një lloj marrëdhënieje të re të bazuar në varësinë e ndërsjellë dhe sovranitetin.

Trashëgimia e dytë e vitit 2016 është e lidhur me presidentin amerikan në largim, Donald Trump. Me gjithë akuzat, Trump do të largohet nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar, dhe do të zëvendësohet nga presidenti i zgjedhur Joe Biden. Në Bruksel dhe në shumicën e kryeqyteteve evropiane, do të ketë një psherëtimë kolektive lehtësimi,me disa përjashtime (sidomos Budapesti, Lubjana dhe Varshava), teksa do të rivendoset shpejt ndjenja e një kthimi në normalitet.

Por Biden nuk do të jetë një Barack Obama i ri (dhe vetë Obama nuk ishte presidenti që kujtohet tani). Me gjithë 4 vitet e një debati politik të ashpër, trashëgimia e Trump ka të ngjarë të jetë e vogël, veçanërisht në lidhje me marrëdhëniet BE-SHBA. Është e qartë se elitat evropiane ia kanë falur gjithçka amerikanëve, dhe po presin me padurim që të kthehen në raportet e dikurshme. Por edhe nëse presidenti Biden mbështet BE-në, dhe kërkon një bashkëpunim më të ngushtë me aleatët e tij tradicionalë evropianë për t’u marrë me Kinën, Iranin dhe Rusinë, ai nuk do t’i zgjidhë problemet e politikës së jashtme të BE-së.

Me Shtetet e Bashkuara që e kanë fokusin më shumë në Paqësor sesa në Atlantik, BE do të duhet të zhvillojë politikën e saj të jashtme, ose të bëhet thjesht një vasale e Uashingtonit. Pasi, me gjithë prirjen transatlantike të Biden, presidenca e tij do të përcaktohet nga mënyra se si Shtetet e Bashkuara merren me shtetet “e këqija”, dhe nga fakti që shumë amerikanë mbështesin një politikë të jashtme “Amerika e Para”, edhe pse në një formë më të moderuar nga ajo e Trump.

Nuk është 100 për qind e sigurt nëse Evropa – dhe bota – do t’i japë fund pandemisë shumë shpejt. Teorikisht, shumica dërrmuese e evropianëve duhet të vaksinohen deri në fund të këtij viti,dhe kjo duhet të na lejojë të vendosim një normalitet të ri ekonomik dhe shoqëror. Por kostot ekonomike do të vazhdojnë të ndihen të paktën edhe për një vit, dhe presionet për t’i ndarë këto kosto në mënyrë të barabartë midis vendeve evropiane do të vazhdojnë t`a përçajnë unionit.

Situata do të ndërlikohet më tej nga disa zgjedhje të rëndësishme, sidomos në Holandë (mars) dhe Gjermani (shtator), dy vende që shpesh kanë mbështetur politikat e kursimit në nivelin e BE-së. Por përballë pasojave ekonomike të Brexit dhe Covid-19, shumë shtete të Evropës Veriore do të ndiejnë një presion në rritje për të shpenzuar më shumë në shtëpi sesa “jashtë”, dhe e tillë mbetet ende BE për shumicën e evropianëve.

Së fundmi, ky vit do t’i japë fund karrierës politike të Angela Merkel, e cila nuk do të rizgjidhet më në detyrë. Kancelarja gjermane ka marrë së fundmi vlerësimet e merituara, teksa shpesh iu mohuan meritat pas vitit 2016. Përballë narcizistëve të djathtë populistë si Johnson dhe Trump, media ndërkombëtare ka filluar të vlerësojë qetësinë dhe kompetencën e Merkel, pasi e kishte injoruar atë që kur u bë kancelare në vitin 2005.

Tashmë ka një konsensus të gjerë evropian,se tërheqja e Merkel do të lërë pas një boshllëk të madh në zemër të politikës evropiane. Madje, disa argumentojnë se pa “liberalen” Merkel, demokracia liberale është në rrezik në të gjithë Evropën. Ajo ka qenë udhëheqësja e shtetit më të fuqishëm të BE-së për më shumë se një dekadë e gjysmë. Gjithsesi, ajo nuk ka qenë kurrë një udhëheqëse e fortë evropiane, dhe as nuk ka mbrojtur me vendosmëri demokracinë liberale brenda BE-së (dhe më gjerë).

Angela Merkel ishte një kancelare e qasjes “Gjermania e Para”, e cila privilegjoi interesat gjermane mbi solidaritetin evropian në shumicën e krizave të mëdha, nga recesioni i madh, tek e ashtuquajtura “krizë e refugjatëve”. Gjithashtu, ajo ndihmoi që kryeministri hungarez Viktor Orban të krijojë një shtet autoritar brenda BE-së, me mbrojtjen e CDU-së së saj, dhe me industrinë gjermane të makinave që i sigurojnë Orbanit dhe klikës së tij sukses ekonomik dhe marrëveshje të mira.

Sigurisht, kjo nuk do të thotë që Merkel ishte problemi i Evropës. Por sigurisht, ajo nuk ishte as shpëtimtarja e Evropës. Për më tepër, pasardhësi i saj në krye të CDU, dhe thuajse me siguri në kancelari, sigurisht që do të ndryshojë paksa nga ajo.

Për Gjermaninë, BE-ja është mirë ashtu siç është, dhe në këtë vend ashtu si në çdo vend tjetër të BE-së ka një rezistencë të madhe kundër një lidershipi më aktiv evropian. Nëse do të ketë një realitet vërtet të ri evropian, i cili do të shkojë përtej kthimit thjeshtë në një situatë pak të rregulluar si “para 2016”, kjo do të vendoset nga zgjedhjet më të rëndësishme të vitit 2021 në Evropë:ato për udhëheqjen e CDU-së në datat 15 dhe 16 janar.

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button