Lajme

Flet Klodian Elqeni: Lidhja me boksin, familja suedeze dhe fotoja me Ramën

Deri para dy ditësh ai ishte një i ri i panjohur, por pas mesditës së 25 Prillit, Klodian Elqeni u kthye në kryefjalë për shkak se parandaloi sulmin me makinë në sheshin “Skënderbej”. I ftuar në studion e ABC përballë gazetarëve Enkel Demi dhe Sibora Bitri, Elqeni tha se ndodhej rastësisht në zonën ku ndodhi incidenti i papritur.

“Isha rastësisht në shesh, po shëtisja aty. Isha shumë larg kur pashë makinën që erdhi vrullshëm. Bëri një zhurmë të madhe dhe të gjithë ishim të shokuar. Ishte shumë afër qendrës së vaksinimit. Njerëzit iu afruan. Policia hapi derën dhe e goditi. Ai vazhdoi të bëjë ato veprimet e rrezikshme. Mendova të vetmen mënyrë për ta ndaluar është t’i hidhesha nga dritarja. Mendova se ishte akt terrorist por kur makina ndali thashë ky paska humbur kontrollin. Kur policia shkoi ai filloi të tregojë agresivitet.

Dëgjoja policët që thonin distancohuni se ka armë me vete. Unë merrem me stërvitje por jo me arte marciale. Për të qenë profesionist i arteve marciale duhet shumë trajnim. Njerëz të zakonshëm kanë diçka që e kanë nga shpirti dhe zemra”, deklaroi Elqeni.

Por kush është Klodian Elqeni përtej aktit si një profesionist i arteve marciale? Në ABC ai tregoi se prej vitit 2015 është larguar për të jetuar në Suedi si emigrant. Pas pandemisë ai ka vendosur të kthehet sërish në Shqipëri ku punon në një kompani private. Ai shprehet se prindërit e tij janë ndjerë mjaft krenarë kur e kanë parë të bëjë atë gjest, por edhe të frikësuar pasi ka rrezikuar edhe jetën përballë një sulmi të papritur.

Klodiani thotë se pret falënderime nga familja e Arben Memës pasi në rast se ai do të kishte shkaktuar viktima, dënimi i tij do ishte akoma më i madh se në rastin konkret. I riu sqaron edhe komentet në rrjet se e gjitha mund të qetë e inskenuar në ditën e zgjedhjeve, duke deklaruar se diçka e tillë do të ishte e pamundur.

“Frikë nuk kam. Nuk ekziston për mua frika. Jam një emigrant që kam ikur nga Shqipëria që prej vitit 2015 drejt Suedisë. Që prej rënies së pandemisë kam ardhur këtu dhe jetoj me familjen, prindërit. Nuk e di çfarë do bëhet sepse edhe në Suedi shumë biznese tani nuk janë më. Do dojë kohë që gjithçka të shkojë në vendin e vet. Aktualisht punoj në një kompani private dhe ndihem shumë mirë.

Unë kur shkova tek shtëpia të gjithë e kishin marrë vesh. Mami qaj e qesh. Ishte e lumtur sepse të gjithë flisnin mirë për mediat. U ndjenë krenar por edhe të frikësuar. Ishte foto e bërë atë ditë. Më shoqëruan për te kryeministri. Më thanë që kryetari të kërkon. Unë personalisht kam marrë falënderime nga të gjithë. Ndihem shumë mirë sepse po marr një përkrahje dhe urime të përzemërta.

Mund edhe të jetë folur që mund të ishte një skenë e përgatitur. Por nuk është e vërtetë. Të gjithë njerëzit e shikojnë sepse aty vërtetë rrezikoheshin njerëz”, shprehet Klodiani. Hedhja si një profesionist i arteve marciale, nuk është rastësi në rastin e Klodianit, pasi thotë se dëshira e tij ka qenë që të bëhet boksier, por për këtë është penguar nga familja me të cilën jeton në Suedi.

“Dëshira ime ka qenë të bëhem boksier. Por nuk m’u lejua. Edhe në Suedi kam një familje që jetoj me ta dhe më mbajnë si fëmijën e tyre. Gjatë stërvitjeve u dëmtova pak në qafë. Kisha ndeshje në Norvegji profesionale. Nuk m’u dha leje të shkoj atje. Dhe nuk ua prish dot atyre se më kanë ndihmuar shumë. Kur jam atje kam ata. E flas suedishten dhe e lexoj rrjedhshëm. Ka shumë pak ngjashmëri me gjuhën gjermane.

Më thanë që mund të bëhesha aktor dhe të bëja një film. Kjo ishte para një viti e gjysmë. Shkrova dhe krijova një skenar filmi. Ai ka mbetur aty sepse ka qenë e pamundur për të bërë një film. Pak nga pak, ishte një bombë për mua. U bë përnjëherë. Të njihesh për pak sekonda në të gjithë Shqipërinë është e veçantë. Familja ime në Suedi janë pa fjalë. Thonë ku e gjete guximin. Mënyra, precizioni, ngjarja.

Thonë që janë shumë krenarë. Unë i kam parë nëpër media, motrat e autorit që kanë treguar pakënaqësinë e tyre. I them atyre që po marr falënderime nga gjithë Shqipëria dhe bota. Pres falënderimin tuaj. Nëse do të kishte shkaktuar viktimë dhe do kishte një dënim më të rëndë. Unë e mbrojta atë”, u shpreh ai.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: