
Industria e bimëve mjekësore aromatike (BMA) mundëson sot punësimin e mbi 100 mijë familjeve rurale në zonat e thella të vendit, të cilat sigurojnë të ardhurat kryesore nga aktiviteti i vjeljes dhe grumbullimit të BMA-ve.
Por mundësia për të përfituar mbështetje financiare nga programi IPARD II, që financon mbi 60% të vlerës së investimit për shtimin e mbjelljeve të reja apo masa për përpunimin e BMA, do t’i japë një zhvillim të ri këtij sektori.
Filip Gjoka, sipërmarrës në fushën e BMA-së tha për ATSH- në, “mbështetja për industrinë e bimëve mjeksore, nuk është vetëm ndihmë që i jepet biznesit, por edhe një mision kombëtar, pasi nxit punësimin e të rinjve në zonat rurale, ku e vetmja mundësi të ardhurash janë BMA-të”.
Gjoka theksoi se, potenciali i BMA-së është më i lartë nëse investojmë në teknologji të reja dhe përmirësojmë cilësinë e produktit.
Ky sektor është kontribuesi kryesor në ekonominë shqiptare veçanërisht në eksportet që realizon në shumë shtete të ndryshme, tha ai.
Shqipëria është një vend i pasur me këto bimë dhe ka resurse të rralla, që e pozicionojnë vendin tonë, në një aktor kryesor në tregjet ndërkombëtare për një sektor të veçantë biznesi që bart.