
Fituesi i Big Brother Vip, Luiz Ejlli ketë pasdite ka qenë në Shkodër për t’i dhënë mbështetjen e tij kandidati të PS-së për kryetar bashkie, Benet Beci.
Këngëtari shkodran Luiz Ejlli ka postuar fillimisht foton me Becin, të cilin e ka përmendur dhe brenda shtëpisë së Big Brother për ndihmën që i ka dhënë në një moment të vështirë.
Sot ai ka marrë pjesë bashkë me këngëtarin e njohur Frederik Ndoci në një takim të kandidatit të PS me vajzat dhe djemtë e Shkodrës.
“Lart e më lart. Është njeri i mirë, do jetë njeri i mirë. Më besoni do t’ju ndihmojë me të gjitha mundësitë që ka”, dëgjohet të thotë Luizi për kandidatin socialist.
Luizi i bashkohet në këtë mënyrë artistëve të shumë të cilët dalin në krah të kandidatit socialist Beci.
“Kur nuk të ndihmojnë ata që mendon se i ke pasur afër, si mund të pretendosh të të ndihmojë dikush vetëm pse është shkodran. Personi në fjalë quhet Benet Beci, një familje shkodrane që unë e njoh shumë mirë, dhe e kam marrë në telefon. Ma ka hapur telefonin direkt. I thashë çfarë ke mundësi ndonjë vend pune, unë do ta bëj. Më ka ndihmuar, më ka futur në punë direkt dhe i jam mirënjohës gjithë jetën” – ka deklaruar Luizi në Big Brother.