
Një çift të rinjsh janë shoqëruar në Komisariatin e Sarandës, pasi kanë fotografuar fletën e votimit gjatë procesit të votimit.
Incidenti ka ndodhur në një qendër votimi në Xarrë të Konispolit, KZAZ 92.
Në videot e shpërndara nga momenti i incidentit ata mohojnë ta kenë fotografuar votën për një arsye të caktuar duke pretenduar se e kanë bërë për qejf. Por pak momente më vonë pranojnë si u janë premtuar 50 mijë lekë për 2 vota me kushtin që të fotografonin votën e tyre.
Këtë 14 maj, qytetarët u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e bashkive si dhe anëtarët e këshillave bashkiak për 4 vitet në vijim.
Xarrë, Sarandë Fotografuan fletët e votimit, arrestohet një 37-vjeçar, procedohet në gjendje të lirë bashkëshortja e tij. Komisariati i Policisë Sarandë ka marrë njoftim nga shtetasi O. Sh., vëzhgues në Qendrën e Votimit nr.4731, Xarrë, se dy shtetas kishin fotografuar fletët e votimit dhe më pas kishin dalë jashtë Qendrës së Votimit. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë menjëherë kanë njoftuar prokurorin e gatshëm, për këtë rast.
Dy bashkëshortët dhe vëzhguesi janë paraqitur me vullnetin e tyre, në Prokurorinë e Sarandës. Në vijim të veprimeve u arrestua shtetasi L. T., 37 vjeç, banues në Xarrë, Konsipol dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e tij, shtetasen E. T(C)., për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”. Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.