Lajme

Fotot e trupave të Kobe Bryant dhe vajzës në gjyq, detaje të zbuluara nga akuza

Në gjykatë ka nisur gjyqi për padinë e ngritur nga Vanessa Bryant kundër qarkut të Los Angeles për cenim të privatësisë dhe neglizhencë në publikimin e fotove të aksidentit tragjik ajror, që iu mori jetën dy njerëzve të saj më të dashur.

Më 26 janar 2020, Kobe Bryant dhe vajza e tij Gianna (13 vjeçe) vdiqën në një aksident me helikopter, në të cilin u ndanë nga jeta edhe shtatë persona të tjerë.

Luis Li, avokati i Vanessa Bryant, denoncoi në gjykatë se një “kulturë e pandjeshmërisë institucionale i shtyu tetë agjentë të qarkut të Los Angeles të bënin foto me celularët e tyre dhe t’i shpërndanin ato të trupave të Kobe Bryant e viktimave të tjera të aksidentit ajror”.

“Pamjet u ndanë në mënyrë të përsëritur me njerëz që nuk kishin absolutisht asnjë arsye për t’i marrë ato foto. Ata i nxorën fotot për të qeshur, sikur të ishin kujtime”, – argumentoi Li.

Avokati i Vanessa Bryant i përshkroi fotot e tmerrshme si “imazhe të trupave të shfytyruar, pamje nga afër të gjymtyrëve dhe mishit të djegur”.

Luis Li shpjegoi se gruaja e një prej detektivëve të qarkut, e cila pa pamjet në celularin e bashkëshortit, i përshkroi fotot si “të grumbujve të mishit”.

Nga ana e tij, J.Mira Hashmall, avokati i palës kundërshtare në gjyq argumentoi se fotografitë u morën si një mjet thelbësor për ekipet e urgjencës, për të shkëmbyer informacione që kërkojnë të shpëtojnë jetë.

Luis Li shpjegoi se Vanessa Bryant, e cila ishte e pranishme në gjyq dhe qau gjatë debatit të avokatit të saj, mësoi ekzistencën e këtyre fotove një muaj pas vdekjes së bashkëshortit dhe vajzës së saj dhe kjo ia rëndoi vuajtjet.

Avokati ka paraqitur prova vizuale të personave që kanë bërë fotot e kufomave të aksidentit me helikopter, duke i treguar teksa po pinin në një lokal apo në një banket.

Avokati i Vanessa Bryant kërkoi që të gjitha kopjet e atyre fotove të gjenden dhe të digjen, në mënyrë që e veja e Kobe Bryant dhe vajzat e saj të mos mund t’i shohin kurrë.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close