
Gjashtë programe adreson qeveria në mbështetje të shtresave në nevojë për vitin 2019.
Sipas strategjisë së paraqitur nga ministria e Financave, rezultatet që synohet të arrihen për periudhën afatmesme 2019-2021 konsistojnë në zbatimin e skemës së re të vlerësimit dhe programeve të ri-integrimit social që do të sjellë reduktimin e numrit të familjeve dhe individëve në nevojë që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike nga 70 mijë familje aktualisht në 67 mijë familje në vitin 2021.
Numri i përfituesve nga Personat me aftësi të kufizuar (PAK) dhe kujdestarëve të tyre do të rritet nga 160 mijë në 167 mijë në vitin 2021, kjo si rezultat i zbatimit të skemës së re të vlerësimit sipas modelit bio-psiko-social.
Ky sistem i ri shërbimi synon krijimin e një sistemi shërbimesh integruese të cilat kombinojnë pagesat me shërbimet e përkujdesit social.
Konkretisht rritjen mbi 80% të numrit të përfituesve të varfër që marrin ndihmë ekonomike mbi totalin e aplikuesve. Rritjen me 57% të numrit të personave me aftësi të kufizuar që janë komisjonuar përmes sistemit te menaxhimit të informacionit; Rritjen me 12% të numrit të përfituese të grave kryefamiljare që marrin Ndihmë Ekonomike mbi totalin e aplikuesve gra kryefamiljare; Rritja me më shumë se 66 e numrit të grave dhe vajzave në nevojë të ri-integruara pas trajtimit në institucionet e përkujdesit social, bën të ditur ministria e Financave.