Lajme

Gjiknuri e prezanton si drejtues politik në Fier, Balla: Do të bëj më të mirën

Fieri ishte ndalesa e radhës e Sekretarit të Përgjithshëm, Damian Gjiknuri në kuadër të turit të takimeve prezantuese të drejtuesve politikë të qarqeve, pas vendimeve të marra në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Gjatë takimit me strukturat e PS në këtë qark, Gjiknuri prezantoi Taulant Ballën si drejtues politik të qarkut Fier ku u shpreh se: “Taulanti është një drejtues me shumë eksperiencë që ka arritur rezultate shumë të mira”.

Më tej numri dy i Partisë Socialiste theksoi rëndësinë e riorganizimit të PS dhe nevojën e një analize të thellë në mënyrë që në zgjedhjet vendore Qarku i Fierit të marrë rezultatin maksimal.

“Në zgjedhjet e fundit fatkeqësisht nuk morëm rezultatin e duhur, prandaj është e nevojshme një analizë shumë e thellë, me qëllim që në zgjedhjet vendore të arrijmë atë rezultat që duhet. Së bashku do përmirësojmë dhe ato gjëra që s’kanë qenë shumë të mira në këtë qark”, përfundoi fjalën e tij Gjiknuri.

Në fjalën e tij, Balla tha se Fieri është qarku ku PS e Shqipërisë ka më shumë detyrime se në shumë qarqe të tjera dhe është qarku nga ku buron mbështetja më e madhe për Partinë Socialiste.

Gjithashtu, Balla tha se do të vijojë puna bashkë me grupin e deputetëve, me kryetarët e bashkive për të përmbushur të gjitha angazhimet që ne kemi marrë.

“Secili prej nesh, anëtarëve të Partisë Socialiste e ka ëndërr që në një moment të karrierës së tij të jetë drejtuesi politik për PS në qarkun e Fierit. Është qarku ku PS e Shqipërisë ka më shumë detyrime se në shumë qarqe të tjera dhe është qarku nga ku buron mbështetja më e madhe për Partinë Socialiste”, tha Balla.

Balla tha se ne do punojmë bashkë me grupin e deputetëve, me kryetarët e bashkive për të përmbushur të gjitha angazhimet që ne kemi marrë.

“Janë më shumë se 92 mijë banorë të këtij qarku që na kanë dhënë besimin e tyre me votë të vlefshme sepse nëse fusim edhe votat e pavlefshme është një numër edhe më i madh dhe natyrshëm ne do të vazhdojmë të rrisim vëmendjen e qeverisë. Investimet në Fier kanë qenë të mëdha dhe do të vazhdojnë të jenë të atilla. Vëmendja e qeverisë për Fierin si një nga qarqet me ekonominë më të madhe në vend do të vazhdojë të jetë.

Unë do synoj të ndërtojmë një marrëdhënie shumë të fortë mbështetëse për sipërmarrjen e Fierit. Komuniteti i biznesit të Fierit ka një nivel të lartë të pagesës dhe detyrimeve që burojnë nga aktiviteti i tyre, por natyrshëm që edhe roli i një deputeti dhe i një drejtuesi politik është të krijojë një lobim në mbështetje të qytetit të Fierit”, deklaroi ai.

Balla foli edhe për objektivat.

“PS e Shqipërisë në qarkun Fier është e rëndësishme të theksohet që ka marrë një rezultat të mirë. Kemi pas një objektiv më të lartë, i cili është vendosur pas zgjedhjeve të vitit 2017, por përsëri unë mendoj që ne kemi marrë një mbështetje shumë të madhe në këtë qark edhe në vitin 2021. Kështu që do të ecim hap pas hapi. Kam ardhur në Fier për të rritur më shumë vëmendjen e qeverisë, Parlamentit ndaj Fierit dhe jam shumë i kënaqur që vij të drejtoj Partinë Socialistë të Fierit, pasi atë e ka drejtuar prej 12 vitesh me radhë personaliteti më i rëndësishëm i PS, Gramoz Ruçi”, deklaroi Balla.

Sipas tij, Gramoz Ruçi është i pazëvendësueshëm. “Unë do të bëj më të mirën”, shtoi Balla. /j.p/r.e/

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: