Lajme

Gjuetia e paligjshme godet edhe Pelikanin Kaçurrel

Gjuetia e paligjshme nuk po kursen as shpendët e rrallë të lagunës së Nartës. Pre e gjahtarëve ka rënë edhe një specie e rrallë siç është pelikani kaçurrel. Një prej tyre është gjetur sot i pajetë nga peshkatarët e Nartës. Ai është qëlluar me armë gjahu gjatë natës. Nga specialistët kjo konsiderohet si një tjetër masakër ndaj shpendëve të rrallë.

Pelikani kaçurrel konsiderohet si simboli i Parkut Kombëtar të Divjakë – Karavastasë. Ky shpend i rrallë gjatë periudhës së tranzicionit rrezikoi të zhdukej për shkak të gjahtarëve të paligjshëm dhe dëmtuesve të çerdheve të tyre. Me shpalljen e moratoriumit të gjuetisë ai filloi të shumohet e të kthehet përsëri në origjinë.

Pelikani Kaçurrel rritet e zhvillohet në lagunë dhe nuk shtegton. Ky shpend ka një gjatësi që shkon deri në 1,9 metra nga sqepi deri tek bishti dhe peshon rreth 20 kg, ka ngjyrë të bardhë me pulla gri, ushqehet me peshq e gjallesa të tjera deti. Shumimi natyral i tij është paksa delikat sepse femra ngroh dhe çel vetëm dy vezë duke i depozituar ato në Kënetë. Vendi ku qëndron ky shpend i rrallë njihet si Ishulli i Pelikanit dhe ndodhet në lartësinë rreth 0.5 m mbi nivelin e detit. ©LAPSI.al

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: