Lajme

Guroret në Tomor, Klosi: Zhbëmë vendimin abuziv të Berishës

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit me fokus diskutimin dhe miratimin e Vendimit për zgjerimin e Parkut të Tomorit, u shpreh se beteja vijon dhe se 10 guroret që kundërshtojnë vendimin do të kalojnë në filtër për aktivitetin e tyre.

Sipas Klosit, nga aktiviteti i guroreve rrezikohet dhe uji në qytetin e Beratit.

“Jemi para vendimit të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, në fakt për të korrigjuar një gabim që, do të thoja, ka plot gjëra korruptive në të. Vendimi i Sali Berishës në 2012 kur ka shpallur zonë të mbrojtur malin e Tomorit ka përjashtuar në mënyrë abuzive këtë zonë e cila më pastaj u krijua si gangrenë, për të gjithë zonën e mbrojtur të malit të Tomorit, ku na kërkohet tashmë të rikuperojmë një gabim që në qoftë se 7 vite më parë do ishte bërë në mënyrë të ndershme nga specialistë apo nga politika e asaj kohe, sot do të kishim një zonë të mbrojtur, një mal me vlera të mëdha ekonomike, siç e shikojmë nga vetë biznesi që mund të krijohet atje në qoftë se guroret nuk do të funksionojnë”, – tha Klosi.

“Do të kishim mbrojtje të kaq shumë specieve endemike që ka mali i Tomorit, dhe do kishim mundësi që kjo zonë të mos ishte një zonë e degraduar siç paraqitet tashmë nga veprimi abuziv i atyre që kanë marrë leje shfrytëzimi edhe brenda zonës së mbrojtur për shfrytëzimin e gurëve të malit të Tomorit, duke e shndërruar atë në një vend turpi për të gjithë zonat e pasurive natyrore dhe turistike të vendit tonë”, – vuri në dukje ministri Klosi.

“Vendimi i vitit 2018 u rrëzua me një vendim absurd nga gjykata që kërkoi që procedura të vinte edhe në KKT. Mali i Tomorit duhet mbrojtur. Kjo katrahurë nuk duhet të vijojë. Mbrojtje do të ketë edhe për basenin ujor të Bogovës, që rrezikon cilësinë e ujit për Beratin dhe Skraparin. Shumë shpejt do të kalojnë në skaner guroret për aktivitetin e tyre, do të kërkojmë të kthejmë në vend padrejtësinë historike që i është bërë këtij komuniteti dhe mali. Qeveria është e vendosur për t’i dhënë fund njëherë e mirë shfrytëzimit pa asnjë kriter të pasurisë natyrore të malit “të shenjtë” të Tomorit”, – tha ministri Klosi.
Qeveria vendosi në vitin 2018 që ta kthente në park kombëtar të gjithë malin e Tomorit, i cili prej disa dekadash po shfrytëzohet për nxjerrjen e pllakave të gurit. Por Gjykata e Apelit Administrativ vendosi më 17 korrik që të shfuqizojë vendimin e Qeverisë, duke i lënë rrugë të hapur kompanive që nxjerrin pllaka në këtë zonë për të vazhduar aktivitetin e tyre.
Këshilli Kombëtar i Territorit diskutoi dhe miratoi, pasditen e së martës, vendimin për zgjerimin e Parkut Kombëtar të Tomorit. Sipërfaqja e Parkut Kombëtar të Tomorit ishte rreth 24 mijë e 800 ha dhe u zgjerua me rreth 1.400 ha, duke shkuar mbi 26 mijë ha.

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button