fbpx
Lajme

Halle mbi halle! Shqiptarët që jetojnë në çadra pas 26 nëntorit

E vetmja gjë që e ngushëllon Zame Gjergjin, 75 vjeç, është pasja e dy çadrave. Në dimër menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit ata morën një çadër vere, por brenda saj bënte ftohtë dhe më vonë autoritetet u dhanë një tjetër që përballonte më mirë temperaturat e ulëta.

Por në një kohë kur moti po ngrohet dhe kur përtej premtimeve të qeverisë rindërtimi i shtëpive duket ende larg, gruaja i ka kthyer sërish sytë nga çadra e verës, në të cilën po bën plan të qëndrojë gjatë muajve të nxehtë bashkë me të shoqin dhe të birin. Situata e krijuar prej epidemisë i ka zbehur shpresat e saj për një rindërtim të shpejtë të shtëpisë së shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa i duhet të kalojë vetëizolimin në hapësirën e ngushtë të çadrës dhe në mungesë të kushteve deri minimale të higjienës.“Do përdorim sërish çadrën e verës,” thotë Zame Gjergji, 75 vjeçe, banore e fshatit Rad, në Njësinë Administrative Manëz, në Bashkinë e Durrësit. “Ku do shkojmë tjetër, tani që ndodhi kjo sëmundja, kush do mendoj për ne,” pyet ajo.

Tërmeti i 26 nëntorit preku direkt dhe indirekt mbi 202 mijë persona ndërsa shkaktoi 51 viktima, 17 mijë të shpërngulur e të pastrehë dhe rreth 985 milion euro dëme. Zona më e dëmtuar ishte Durrësi dhe rrethinat e tij përfshi fshatrat e Manzës. Në një mbledhje me videokonferencë të transmetuar ditën e mërkurë, ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj tha se kantieret për të rindërtuar shtëpitë e prishura do ishin të gjitha të hapura në fund të korrikut, që për shumë familje nënkupton që do duhet të kalojnë edhe këtë verë në çadra.

Përveç se vuan mungesën e strehimit në çadër, Zame Gjergji njëkohësisht duhet të bëjë seanca kimioterapie dhe është në grupin e atyre që rrezikohen veçanërisht nga COVID-19. Ajo thotë se i ka varur shpresat te ajri i fshatit, pasi mundësitë për karantinë në çadër janë minimale. “Ndihemi si në burg brenda saj,”  thotë Zame Gjergji mes një trishtimi që duket se ka zënë vend në jetën e saj. “Nuk i bëjmë ne dot këto masat që thonë për tu mbrojtur nga kjo sëmundja, por të paktën qëndrojmë pak jashtë në fresk, sepse s’janë mbledhur të gjitha të këqijat për ne dhe ndoshta ajri i fshatit na shpëton nga sëmundja,” shtoi ajo. Rreth e rrotull ngrehinës së shtëpisë së Zames ende ka pjesë të shiritit që u ndalon rreptësishtë hyrjen, por oborri është i mbushur me trëndafila të sapoçelur dhe çifti i moshuar e kalon kohën aty.

E përballur me sëmundjen, me paaftësinë e bashkëshortit që ka probleme dëgjimi dhe jetën e vështirë të djalit që s’po përballon dot divorcin, familja Gjegji, nuk di asgjë se çfarë do të bëhet me shtëpinë e tyre dhe nëse do të mund të përfitojnë ndhihmë nga shteti. “Kemi një mal me halle. Jam me mjekim, me kimioterapi, djali më është divorcuar nga gruaja dhe se ka kaluar mirë këtë që i ndodhi, ndaj lus Zotin që të bëhet mirë se vetëm tek ai më kanë ngelur shpresat”, thotë gruaja mes lotësh.

Familja e saj nuk është e vetmja që përballet me vështirësitë e jetesës në çadër. Pak metra më tutje Flutura Gjergji, 60 vjeçe, jeton në çadër me bashkëshortin, nënën e tij, 90 vjeçe, ndërsa djali përballet me rrezikun, duke fjetur në shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti. “Ku mund të flemë katër veta në një çadër, kaq është vendi, mirë në dimër se ishte ftohtë, por tani në verë nuk mund të rrish ditën se është shumë vapë”, thotë 60-vjeçarja. Ajo thotë se ka frikë për djalin e vogël që fle tek shtëpia e dëmtuar, por se nuk ka çfarë të bëjë. Çadra ku Flutura dhe tre pjesëtarët e tjerë të familjes qëndrojnë, është vendosur përkrah banesës së dëmtuar nga tërmeti, e cila ka rrezik shembje në shumë pjesë të tavanit.

“Ne nuk lëvizëm dot as për të gjetur shtëpi me qira, sepse kam vjehrrën plakë, djalin tjetër me gruan dhe vajzën e vogël që jetojnë në kontenier, ndaj zgjodhëm që të rrimë në çadër, me shpresën se gjërat do të rregulloheshin, por tani që ndodhi kjo epidemia, këtu kemi për të ngelur,” tha Flutura. Banorët e këtushëm, para situatës së COVID-19, ndiqnin çdo lajm që lidhej me tërmetin, ndërsa tani që kanë humbur shpresat për ndihmë nga shteti, u është zbehur çdo interes dhe janë përqendruar në punët e përditshme në arat e tyre dhe pse nuk e fshehin frikën nga virusi.

Flutura dhe bashkëshorti i saj, sapo janë kthyer nga tokat e tyre rreth mesditës, ku kanë punuar gjithë paraditen dhe si të zënë në faj, shprehen se higjiena, distancimet, nuk janë masa që mund të merren prej tyre, pasi thjeshtë është e pamundur në kushtet ku ndodhen. “Tualeti është në shtëpinë e dëmtuar. Enët lahen jashtë në oborr, ne rrimë dhe flemë në këtë çadër të vogël, çfarë masash mund të marrin ne për tu mbrojtur nga virusi,” thotë me trishtim Flutura. Megjithë sfidat që po përballet, Flutura nënvizon që vështirësitë e disa prej bashkëfshatarëve të saj janë edhe më të rënda. “Zame, është e sëmurë, i duhet të shkojë për mjekim në Tiranë dhe është në hall sepse në muajin maj ka kurën tjetër, por s’di se si do ja bëjë tani që nuk të lënë as të lëvizësh,” thotë Flutura, gjithë shqetësim për fqinjën e saj. Në Shkallë, fshati ngjitur me Manzën, dy familje të tjera vazhdojnë të jetojnë ende në çadra, duke u përballur me shumë vështirësi dhe mungesë informacioni se çfarë do të bëhet me të ardhmen e tyre.

Lulzim Gërdeci, banor i këtij fshati, jeton sëbashku me bashkëshorten në çadër që pas tërmetit të 26 nëntorit. Çadra është përballë me shtëpinë e tij të shembur, muret e hapura të së cilës dallohen edhe nga jashtë. “Këtu po jetojmë. Në këtë çadër, ku tjetër,” pyet Lulzimi. “Muret e shtëpisë time bien nëse i jep një shkelm, se janë gati dhe ne nuk mund të rrezikojnë të rrimë brenda,” shtoi ai. Në çadër megjithatë është shumë nxehtë, ndërsa brenda saj ka vetëm dy krevate dhe një tavolinë për të ngrënë dhe asgjë tjetër.“Ujin e kemi tek banjo e shtëpisë së dëmtuar,” shpjegoi Lulzimi. “E marrim atje me kova dhe e nxjerrim jashtë, kjo është karantina jonë”, shtoi ai, në pamje shumë i lodhur nga gjithë kjo situatë.

Ai nuk ka asgjë të qartë se çfarë do të bëhet me shtëpinë e tij, ndaj thotë se do të jetojë gjatë në çadër, sepse nuk shikon shpresë tjetër. “Kur na i sollën në fillim, falenderuam Zotin se ishim jashtë, po tani që po bëhet me keq nga kjo sëmundja, si do bëhet me ne, ngelëm në çadër,” ankohet Lulzimi.Shtëpia e tij, i është nënshtruar dy herë ekspertizës dhe ende nuk ka asgjë të qartë se çfarë do të bëhet, nëse do të rindërtohet, apo riparohet.

“Erdhën një herë, më thanë që ka dëmtime të rënda, por dokument s’më dhanë,” tregoi ai. “Më thanë do  vijmë prapë. Erdhën prapë, më thanë, që rregullohet, dëmet janë të riparueshme, kaq di unë për shtëpinë, s’di gjë tjetër,” përfundoi Lulzimi. Pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, qeveria ka organizuar një fushatë pët të ndihmuar me paketa ushqimore familjet në nevojë.  Flutura Gjergji thotë që ndihmat për ta u harruan që pas tërmetit dhe më pas askush nuk u kujtua më. “Kemi marrë disa pako me ushqime,” kujtoi ajo. “Na i sollën ata të komunës, por më pas, askush s’u kujtua më për ne,” shtoi Flutura.

Si familje e madhe, familja Gjergji mundi që të siguronte veç çadrës dhe një kontenier për familjen e re të djalit,  Eltonit, i cili jeton aty sëbashku me bashkëshorten dhe vajzën 10 vjeçe. Kontenieri është vendour në oborrin e shtëpisë dhe Eltoni, 38 vjeç, me aftësi ndryshe, ndihet me fat që ka një vend të mirë për të jetuar, siç e quan ai kontenierin, por ka një shqetësim të vazhdueshëm, të cilin ja komunikon çdo kujt që rastis të takoj.

“Mirë jam, ma sollën këtë kontenierin, por kam vajzën në klasë të katër, është dhjetë vjeçe, por nuk i ndjek dot mësimet se interneti mbaron shumë shpejt”, thotë ai, duke kërkuar interent falas nga shteti për familjet me fëmijë në nevojë. “Të na jepnin internet pa lekë, vajza si bën dot të gjitha detyrat,”  përsërit disa herë kërkesën 38-vjeçari. Ndërkohë për Xhevrie Gërdecin, 56 vjeçe, hall është bllokimi i të birit në Bergamo, Itali. “Djali, 28 vjeç, më ngeli i bllokuar në Itali, në Bergamo, shkoi për punë sezonale, por ndodhi kjo sëmundja dhe u bllokua atje,” ankohet ajo. “Na kërkon që të kemi kujdes me sëmundjen, sepse po shikon keq atje, por ne s’na gjen gjë këtu në fshat, merakun e tij kemi,” përfundoi Xhevrija./BIRN

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button