Categories Lajme

Hendeku me shifrat e pakove ushqimore në pandemi, ca të nënës e ca të njerkës

Zeliko Alipaj nuk e ka të vështirë të kuptojë se gjatë kohës që vendi ndodhej në karantinë për shkak të Covid-19, nuk mori asnjë asistencë në banesë apo tëpërfitonte pakot ushqimore e joushqimore falas. E moshuara prej 5 vitesh është diagnostikuar me tumor, ndërsa bashkëshorti i saj është në karrocë me rrota. “Ne nuk morëm asgjë, as nuk e kuptuam se kur këto pako u ndanë”,thotëZeliko.

Unë marr pension 10500 lekë, ndërsa burri 16 700 lekë, ndaj po të kishim marrë ndonjë pako, ndihmë do kishte qenë për ne”, shton ajo. Ngjashëm me familjen Alipaj, edhe RamadanDapoli me bashkëshorten e tij nuk përfituan asgjë. 2 pensionistët jetojnë të vetëm, por shpërndarjen e pakove e panë vetëm nga ekrani i televizorit.. “Po ne pensionistët nga një copë bukë hamë, kush mendon për ne”, thotë me ironi Ramadani.

Kreu i Bashkimit të Përgjithshëm të Pensionistëve të Shqipërisë, Faik Xhani rendit dhjetëra familje pensionistësh të vetmuar, që plotësonin kriteret e qeverisë, por që nuk përfituan pako ushqimore. “Unë vetë bëra kërkesë pranë bashkisë për rreth 100 familje, por nuk na u përgjigjën. Edhe kryetarët e degëve hartuan disa lista, por nuk pati reagim”,thotë Xhani. “Bëhet fjalë për familje, që përveçse janë të moshuar kanë edhe probleme të mëdha sociale e ekonomike, por gjithsesi nuk u ndihmuan”, shton ai.

Gjatë daljeve të tij në ekran, kryeministri Edi Rama premtoi se asnjë familje nuk do të mbetej pa u asistuar, por edhe sipas Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë shumë prej anëtarëve të saj nuk u ndihmuan. “Shoqata e të verbërve, me anë të strukturave të saj bëri përpjekje maksimale që gjatë periudhës që pushteti lokal shpërndau ndihma ushqimore për familjet në nevojë, të përfshinte në këto lista edhe të verbrit.

Në fillim pati disa rezultate pozitive në këtë aspekt, duke bërë që në pak qytete që kishin filluar të shpërndaheshin ndihma, të kishte edhe përfitues të verbër, por më pas e gjithë ndihma që u ofrua për qytetarët shqiptarë, u kanalizua vetëm për familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike. Kjo gjë i përjashtoi të verbrit nga përfitimi i ndihmave me pako ushqimore”, thotë Gjergj Smakaj, koordinator i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë. “Shumë prej këtyre familjeve vijnë nga shtresa vulnerabël dhe me të ardhura shumë të pakta ekonomike, pasi kanë vështirësi të mëdha me punësimin. Ndërkohë, pandemia u bllokoi punën edhe anëtarëve të tjerë të familjeve te tyre, shume vende pune u shkurtuan, etj e si pasojë vështirësitë për këtë kategori u rritën”, shton Smakaj.

Ndërkaq, ekspertët e ekonomisë kritikojnë tenderët e zhvilluar nga institucionet për mbështetjen me ushqime të familjeve në nevojë për shkak të situatës së shkaktuar nga COVID-19. “E para ne duhet të ndryshojmë sjelljen sepse ndihmat ekonomike dhe mbështetja nuk ka arsye përse të realizohet drejtpërdrejt me mallra që blihen nga institucionet, por mund të jepet në formën e një ‘voucheri’ dhe të jetë qytetari ai që ta bëjë zgjedhjen dhe të ushtrojë ë drejtën e tij për të blerë ushqime nëpër njësitë e shitjes që ai do të dëshironte”,thotë eksperti Selami Xhepa. “Së dyti, nuk e shoh të arsyeshme që këto procedura të bëhen me prokurim të drejtpërdrejtë sepse ne kemi një mori subjektesh që merren me këtë aktivitet, ndërkohë që zgjedhja e subjekteve të caktuar sigurisht që shtrembëron procesin”, shtoi ai, duke theksuar se këto procedura të hapura mund të kryheshin me sukses në një kohë shumë të shkurtër.

Teksa vendi ndodhej në karantinë, në datën 19 mars qeveria mori vendimin për ofrimin e asistencës në banesë ndaj shtresave në nevojë, ndërkohë që ofrimi i asistencës, përshinte ndër të tjera edhe dërgimin e produkteve ushqimore dhe joushqimore. Vendimi saktësonte dhe kategoritë që do tëkonsideroheshin si shtresa në nevojë, ku u përfshinë:familjet me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara, pensionistët, si dhe të pastrehët dhe ato familje që humbën banesën nga tërmeti. Në funksion të vendimit u ngrit dhe Komisioni Qendror për Ofrimin e Asistencës, i kryesuar nga Ministrja e Mbrojtjes, OltaXhaçka, ndërsa një prej detyrave ishte përcaktimi i masës së produkteve ushqimore dhe joushqimore që do t’u shpërndahej familjeve në nevojë.

Paralelisht, po në datën 19 mars, Ministria e Mbrojtjes hapi një tender me negocim, pa shpallje paraprake, ndërkohë që pas saj edhe institucionet e pushtetit vendor prokuruan përmes tenderëve në tavolinë blerjen e pakove ushqimore, që do të shpërndanin në territoret e tyre administrative.

Ministria e Mbrojtjes shpenzoi 141.5 milionë lekë për blerjen e paketave ushqimore për familjet në nevojë, teksa kontrata u nda në 2 lote. Loti i parë me vlerë 101.4 milionë lekë u fitua nga kompania Euroviash.p.k. ndërsa Lot i 2 me vlerë 40.1 milionë lekë nga kompania XpertSystems. Por, ndonëse institucionet qendrore e vendore zhvilluan tenderë urgjentë për blerjen e ushqimeve, shumë familje nuk përfituan.

Aktualisht, tenderi i ushqimeve i realizuar nga Ministria e Mbrojtjes është pjesë e një hetimi të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, pas denoncimit të bërë nga Partia Demokratike, që akuzoi qeverinë për paracaktimin e fituesit. Shifrat e pakove ushqimore u publikuan nga qeveria pothuajse çdo ditë gjatë izolimit, por mungoi një bilanc i plotë për to. “248 791 familje/ individë shumë në nevojë dhe pensionistë të vetmuar janë ndihmuar me ushqime e barna mjekësore deri tani”, shkruante Rama një postim me video në Facebook më 14 prill.

Por, të njëjtën shifër përmendi dhe ministrja e Mbrojtjes OltaXhaçka në një dalje publike më datë 23 prill, pra një javë më vonë.“Ky program asistence në bashkëpunim të ngushtë me rezervat e shtetit, bashkitë, prefekturat, shërbimin social, sigurimet shoqërore dhe postën shqiptare deri më tani i ka ardhur në ndihmë 171.195 familjeve në nevojë me pako ushqimore në të gjithë vendin. 68.262 pensionistëve u janë siguruar medikamente mjekësore të rimbursueshme dhe 82.793 familjeve, kryesisht pensionistë, me shërbime në familje sipas nevojave”, deklaroi Xhaçka më 23 prill nga salla e Kuvendit të Shqipërisë.

Ajo që vihet re është fakti se nga data 15 prill deri më 23 prill, shifrat ishin të njëjta. Por pothuajse çdo ditë, kryeministri Rama ka publikuar të dhëna ditore për familjet që janë asistuar me ndihma nga bashkitë e vendit, edhe pas datës 15 prill, megjithëse nuk ka publikuar më totalin e familjeve të ndihmuara. Nga shifrat e publikuara nga kreu i qeverisë vihet re se familjet e ndihmuara me ushqime janë rritur dhe pas kësaj date, dhe jo pak, por afro 80 mijë pako më shumë, duke shkaktuar një hendek me shifrat.

Megjithatë, kakofonia e shifrave nuk mbyllet me kaq. Pas përfundimit të karantinës, Ministria e Mbrojtjes publikoi shifrat e reja, ku sipas saj, gjatë karantinës janë ndihmuar 226 mijë familje me paketa ushqimore dhe jo ushqimore. Por, Vlora News verifikoi më tej këto shifra, duke i ballafaquar me ato të njësive vendore dhe qendrore. Sipas të dhënave, nga Rezervat e Shtetit, nga fillimi i pandemisë dhe deri në fund të muajit Maj janë shpërndarë rreth 22 mijë (22. 369) pako ushqimore dhe jo ushqimore.

Ndërkohë, nga të dhënat e prefekturave mësohet se bashkitë kanë shpërndarë 73 mijë e 588 pako. Ndërsa nga donatorët e ndryshëm janë shpërndarë në 12 qarqe mbi 62 mijë pako. Por, po të mblidhen këto tre të dhëna, që përbëjnë totalin e pakove të shpërndara, ato arrijnë në rreth 160 mijë pako, pra në rreth 10 mijë më pak se sa ishin shpërndarë në mes të muajit prill, siç kishte deklaruar Kryeministri Rama. Megjithatë, këto shifra mbeten të vetmet që janë zyrtare deri më tani, kur nuk është bërë asnjë bilanc i plotë publik për ndihmat e shpërndara gjatë muajve të karantinës. Ekspertët e pushtetit vendor rrëfejnë se bashkitë nuk kanë qenë realisht të përgatitura në këtë situatë dhe kjo duket se ka shkaktuar kaos si në shpërndarjen e ndihmave, ashtu dhe në përllogaritjen e tyre. “Bashkitë po punojnë përgjithësisht, megjithëse puna e tyre hera-herës është eklipsuar nga qeveria.

Për ndihma të gjithë bashkitë kanë punuar me strukturat e tyre, nga bashkia më e vogël deri tek bashkia më e madhe. Si njohës i pushtetit vendor jam pak i shqetësuar për statusin e bashkive. Pasi këto institucione në lidhje me këtë situatë duhet të kishin një rol më komandues, më kontrollues të situatës. Duhet të ishin më në qendër të vëmendjes, pasi janë më afër qytetarëve”, tha eksperti Agron Haxhimali. Projekti Bashki të Forta në raportin përfundimtar përsa i përket pandemisë sëCovid 19, në lidhje me këtëçështje tha se: “Në tërësi u vu re një bashkëpunim i mirë midis pushtetit qendror dhe atij vendor në implementimin e nevojave më të menjëhershme për shtresat në nevojë.

Ndihma për familjet në nevojë dhe për pensionistët në nevojë ishte fokusi kryesor në ditët epara të pandemisë, ku bashkitë u mobilizuan gjerësisht për të asistuar këto shtresashoqërore. 233,248 ishte numri i familjeve që morën asistencë ushqimore dhe jo ushqimore. Siç shihet dhe në grafikun me të dhënat e mbledhura nga Ministria e Brendshme ishte bashkia Tiranë, Elbasan dhe Korçë të cilat kanë asistuar më shumë familje gjatë kësaj periudhe”, thuhet në raport.

Burimi:Bashki të Forta.Përgjithësisht, asistenca e dhënë për familjet ka qenë e shpërndarë si në shërbime edhe për ndarje pakosh ushqimore. Në nivel vendi 31.2% ose 22,878 e shërbimeve kanë qenë për asistencë, 67.6% ose 49,560 familje në ndarje pakosh ushqimore dhe 1.2% ose 849 familje në ndarje pakosh ushqimore dhe asistencë. Gjatë periudhës 8 Prill – 29 Maj, kaqenë Bashkia e Gjirokastrës e cila ka raportuar nivelin më të lartë të ditëve me 44 ditë, ndjekur nga bashkia Tiranë dhe Korçë me 32 ditë të raportuara.

Gjatë periudhës së pandemisë disa organizata të shoqërisë civile monitoruan aspekte të asistencës sociale dhe ndihmës në 8 bashki të vendit duke prodhuar një raport përmbledhës. Informacioni bazohej kryesisht nga vendimet e këshillave bashkiak, monitorimi i medias dhe intervista me qytetarë për të vlerësuar perceptimin e tyre. Krahas tyre gjatë kësaj periudhe Shoqata e Bashkive publikuan një vëzhgim studimor mbi mbrojtjen civile dhe Co-Plan nxori studimin mbi aftësitë ripërtëritëse të njësive të vetëqeverisjeve vendore në rastet e rreziqeve dhe fatkeqësive natyrore”, thuhet me tej në këtë raport të Bashki të Forta.

Gjithashtu edhe shoqëria civile, që luan një rol jo të vogël gjatë pandemisë sëCovid 19 për evidentimin e deri nëadvokimin e rasteve në nevojë që të mund të ndihmoheshin me pako ushqimore thonë të pyetur nga Vlora News se shumica e veprimeve dhe nismave përsa i përket kësaj çështje qëndruan thjesht dhe vetëm në kuadër të propagandës, ku mijëra familje mbeten jashtë këtij procesi.

“Ne bëmë të mundur organizimin dhe mobilizimin e komunitetit rom dhe egjiptian, në ditët e para të izolimit të vendit, ë cilët protestuan në zonat e tyre, pasi po përballeshin me mungesën e ushqimeve bazike. Protesta e tyre u mbulua edhe nga media. Ky reagim i komunitetit nxiti bashkinë të merrte masa për t’iu përgjigjur nevojës së tyre. Ditën që pasoi ,bashkia u siguroi pako ushqimore. Por që gjithsesi shumë familje në nevojë mbeten jashtë procesin për fatin e keq”, tregon ErvisÇota nga LRER.

Ndërsa aktivisti Gentian Serjani gjithashtu pohon mangësitë e shumta në shpërndarjen e pakove ushqimore për familjet në nevojë, ku thotë se nëdisa bashki pakot ushqimore janë bërë të mundura vetëm nga OJF-të, të cilat kanëqenë “kamardare shpëtimi” tëpushtetit vendor në situatën e krijuar. “Ne disa bashki ne ishim ata që ndihmuam realisht shumë, pasi imagjinojeni vete se sa do të ishte bilanci i atyre që do të kishin vuajtur urie, jo se ato pako kushedi sa zgjasnin, por ndihmonin për të kaluar disa ditë në atë situatë të keqe.

Ndërsa bashkitë e tjera me anë të këshillave bashkiakë kanë rishikuar buxhetet për të akorduar buxhet për pako, por buxheti akorduar nuk ka mundur të plotësojë nevojat. Problemi tjetër ishte sasia epakove të shpërndara, të cilat në disa bashki ishin qesharake pasi nuk plotësonin as minimumin e ushqimit dhe detergjenteve të paktën për 3 ditë. Problemi i fundit por jo më pak i rëndësishëm ka të bëjë me periudhën që u shpërndanë, mund të themi se u shpërndanë pasi një numër i konsiderueshëm i familjeve kishin javë që nuk siguronin ushqimin”, thotë aktivisti për Vlora News. Ndërsa RominaSefa aktiviste rome tha se pandemia nxori në pah vështirësitë reale që hasin familjet e varfra dhe mbi të gjitha ato familje që janë të papuna.

“E tillë ishte situata dhe për familjet rome dhe egjiptiane por jo vetëm, të cilat prej vitesh të ardhurat i sigurojnë nga puna informale siç janë mbledhja e mbetjeve tëriciklueshme dhe shitja e rrobave të përdorura. Ndihmat që u shpërndanë nga bashkitë nxitën një qëndrim të gjerë nga ana e familjeve të varfra, të cilat dolën duke protestuar për pako të pamjaftueshme ushqimore për të siguruar minimalishtushqimet bazë për familjet e tyre”, tha Sefa për Vlora News.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Dosja “Black Eagle” i “Sky ECC”, jepet pretenca edhe për disa shqiptarë të kërkuar të përfshirë në trafikun e drogës

Ka vijuar sot në Belgjikë seanca e rradhës për një nga proceset “SKY ECC” me…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

‘Puthja e gabuar’ në buzë, trajneri i Fiorentinës dhe gazetarja festojnë golin e kualifikimit. Reagon burri i…!

Trajneri i Fiorentinës, Vincenzo Italiano u bë protagonist i një momenti ëmbëlsie në ndeshjen e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Jeta triumfon: Erdhi në jetë 1750 gramë, fiton betejën Raina e vogël pas ditësh në terapi intensive

Pas disa ditëve në terapi intensive, Raina e vogël e cila erdhi në jetë vetëm…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Aksident masiv te Kthesa e Rinasit

Një aksident masiv ka ndodhur mesditën e sotme në kthesën e Rinasit. Mësohet se në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Fshehin vendndodhjen e nipit 3-vjeçar me gjyshen e tij, lihen në burg gjyshi dhe kunati!

Gjykata e Durrësit ka caktuar masës e sigurisë “arrest me burg” ndaj gjyshit të 3-vjeçarit,…

LEXO ME SHUME