
Hidhet në erë një makinë në lëvizje në Shkozet. Ngjarja ka ndodhur në orën 13:56 teksa automjeti po lëvizte në një rrugë lagjeje dhe nga pamjet duket se ka pësuar dëmtime të mëdha.
Dyshohet se mjeti është në pronësi të shtetasit Aldi Mustafa, por nuk dihet nëse e kishte në përdorim dikush tjetër dhe nëse ka viktima.
Aldi Mustafa, 37 vjeç, banues në Durrës, nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, me 10 vite burg, në Gjermani.
Mësohet se Mustafa më herët ka qenë anëtar i një bande të njohur në Durrës, ndërsa ka pasur lidhje me ‘Rrumin’, një personazh i njohur dhe i përfolur në ngjarje kriminale, siç ishte dhe atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.
Mustafa u arrestua më 30 gusht 2021 në kuadër të operacionit të koduar ‘Misioni’, bashkë me dy të tjerë, Uran Zykën, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kanosja”, si dhe Tahir Gjinikën, 33 vjeç, banues në Durrës pasi dyshohet se do kryenin një vrasje, kundrejt pagesës.
NJOFTIMI I POLICISE
Rreth orës 14:00, në aksin rrugor Shkozet – Durrës, në automjetin në lëvizje, që drejtohej nga shtetasi A. M., 37 vjeç (i vetëm në automjet), në gomën e pasme, në krahun e pasagjerit, dyshohet se ka shpërthyer lëndë eksplozive.
Nga shpërthimi i lëndës eksplozive nuk ka persona të dëmtuar, por vetëm dëme materiale.
Në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor po vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.