
Në puntatën e kësaj të diele në “1 Herë Mat” ishte rasti i një gruaje shtatzënë, e cila dyshonte se bashkëshorti i saj e tradhtonte. Teksa po i tregonte me detaje dyshimet e saj Shkënda Lilit, ajo tha se i kishte parë në telefon një mesazh dhe ishte një foto e një vajze.
Gjithashtu ajo shtoi se kur e merrte në telefon nuk i përgjigjej, pavarësisht gjendjes së saj.
Historia e gruas:
Gruaja: Është një situatë që po më ngarkon shumë, më ka shqetësuar shumë e gjithë sjellja e bashkëshortit tim kohët e fundit. Është i çuditshëm
Shkënda: Kohët e fundit? E ke vënë re vetëm gjatë kohës së shtatzënisë tuaj apo?
Gruaja: Po
Shkënda: Sa kohë keni me bashkëshortin?
Gruaja: Kam 5 vite me të
Shkënda: Domethënë martesë dhe lidhje?
Gruaja: Po, e gjithë historia.
Shkënda: Çfarë pune bën bashkëshorti?
Gruaja: Punon menaxher shitjesh në një kompani
Shkënda: Oraret, domethënë ka ndryshuar oraret apo? Çfarë ke vënë re konkretisht ti që të ka bërë të dyshosh? Se mbase dhe gjendja jote mund të prekësh më shumë emocionalisht, por diçka ke vënë re ti që…
Gruaja: Po, është e vërtetë, në fakt unë në fillim mendoja që ishte kjo pjesa që jam shumë emocionale, hormonet, edhe gjithë situata ime që po e fajësoja kot, por që në tetë muaj, ai ka ndryshuar shumë. Në fillim të lidhjes sonë ishte shumë i lumtur me mua, kemi kaluar momente shumë të bukura, pastaj kur u martuan ai e priste me shumë gaz që të kishte një fëmijë me mua.
Shkënda: Dëshira ka qenë e të dyve për fëmijë apo jo?
Gruaja: Po, po. Por pastaj kur ngela shtatzënë, nuk e di ndoshta u tremb nga përgjegjësia, filloi të ishte shumë i çuditshëm, rri gjatë gjithë kohës në telefon, edhe mua nuk më lejon fare që t’a prek telefonin e tij, kur është jashtë nuk përgjigjet, vonohet shumë…
Shkënda: Kur thua që është i çuditshëm, si i çuditshëm?
Gruaja: Në këtë aspekt që po them, domethënë është gjatë gjithë kohës i angazhuar me gjërat e tjera dhe me mua nuk më jep atë kujdesin e fillimit…
Shkënda: Mbase është në punë dhe ka ngarkesë pune apo ti mendon që ka diçka që s’shkon?
Gruaja: Jo, mendoj që ka diçka që s’shkon patjetër, se atë punë ai e ka pasur edhe më përpara, nuk është se e ka vetëm sot.
Shkënda: Nuk shfaq entuziazëm që ai po pret një fëmijë? Që do bëhet baba?
Gruaja: Këtë nuk di ta them, po di të them që ka diçka tjetër që po e shpërqendron, edhe mendoj që instikti im nuk gabon se ai është gjatë gjithë kohës i fokusuar në telefon, është gjatë gjithë kohës jashtë shtëpisë. Për më tepër, një ditë që po bënte dush, unë pashë që i erdhi një mesazh, edhe ishte fotoja e një femre tjetër. E pyeta…
Shkënda: I pe një foto në telefon? I erdhi një mesazh dhe ishte fotografi?
Gruaja: Po. Edhe më tha që e pyetën nga puna nëse ishte kandidate e duhur për të punuar me ta.
Shkënda: Për të punuar? Çfarë pune?
Gruaja: Për të punuar te zyra e tyre me shitjet, po nuk besoj që…
Shkënda: Agjente shitjesh mendon?
Gruaja: Kam përshtypjen se po, nuk mendoj se një femër duhet të cilësohet nga pamja e jashtme për… Kështu që është e qartë, normalisht, ndoshta edhe shtatzënia ime ka ndikuar që ai të shohë diku tjetër.
Shkënda: E kuptoj. Atëherë ju doni të bëni një investigim për bashkëshortin për të parë nëse këto dyshimet e tua mund të jenë të vërteta apo jo?
Gruaja: Po
Shkënda: Oraret, si i ka bashkëshorti oraret e punës? Është gjithë ditën? 12 orë në ditë apo është me turne? Si është itinerari i tij?
Gruaja: Është 8 orë, 8 orë në ditë.
Shkënda: Dhe vjen, kthehet në shtëpi? Kthehet në shtëpi pas orarit të punës apo justifikohet që ka orë të zgjatura?
Gruaja: Në fakt kohët e fundit vetëm po justifikohet. Vjen shumë vonë, nuk përgjigjet në telefon, gjë që nuk e ka pas bërë më përpara.
Shkënda: Domethënë kur ju e telefononi, ai nuk përgjigjet në telefon? Edhe mund të kesh një problem, në gjendjen tuaj mund të shfaqesh një problem nga një moment në moment…
Gruaja: Kjo është ajo që më shqetëson më shumë në fakt, se edhe gjendja në të cilën jam unë, në muajin e tetë, një muaj shumë i vështirë. Ndoshta unë mund ta telefonoj edhe për diçka me shëndetin, ai nuk përgjigjet. Kështu që kjo më ka bërë të shtoj dyshimet e mia. Më ka bërë të jem shumë emocionale më tepër se çfarë kam qenë në fillim në fakt se…
Shkënda: E kuptoj…
Gruaja: Më shqetëson…
Shkënda: E kuptoj situatën tuaj, mbase uroj mos të jenë të vërteta këto dyshime që po thoni ju, por… Atëherë ne do ta fillojmë investigimin, por për sa kohë investigim mendon ti që duhet të bëjmë ne?
Gruaja: Nuk e di sa kohë do jetë e nevojshme. Duke qenë se ai është çdo ditë, gati jashtë shtëpisë kam përshtypjen se do… për fat të keq do merret vesh shpejt.
Shkënda: Mirë atëherë, do më thuash pak më me detaje oraret kur del, orarin e mëngjesit dhe kur kthehet në shtëpi, edhe pjesën e makinës, të gjitha detajet me imtësi dhe ndërkohë kemi dhe kontratën, të cilën ne do firmosim.
Gruaja: Jam shumë e shqetësuar. Shpresoj mos të dali ashtu siç e mendoj.