Lajme

I nominuari për të drejtuar CIA-n e sheh Kinën si “kundërshtare autoritare”

William Burns, i nominuari i presidentit amerikan Joe Biden për të udhëhequr Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA), u ka thënë ligjvënësve më 24 shkurt se “testi më i madh gjeopolitik” për Shtetet e Bashkuara vjen nga Kina, mirëpo ka deklaruar se edhe Rusia përbën kërcënim. Burns, ish-ambasador në Rusi dhe Jordan, i ka bërë këto deklarata gjatë seancës së konfirmimit të tij në këtë pozitë, para Komitetit të Senatit për Inteligjencë.

Ai e ka quajtur Kinën “të frikshme dhe kundërshtare autoritare”, që është duke rritur fuqinë për të vjedhur pronën intelektuale, për të shtypur njerëzit e saj, dhe për të ndërtuar ndikim brenda Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, ai ka thënë se mund të ketë hapësirë për bashkëpunim me Pekinin, në fushat si ndryshimet klimatike dhe mospërhapja e armëve bërthamore. Ai ka thënë se Rusia vazhdon të përbëjë kërcënim potencial, ndonëse në disa aspekte është duke i rënë fuqia botërore.

“Për aq kohë sa Vladimir Putin është lider i Rusisë, ne do veprojmë në një fushë të ngushtë të mundësive, kundrejt konkurrencës së ashpër të kundërshtarit”, ka thënë ai. Sipas tij, sulmet e fundit kibernetike në departmentet e Qeverisë amerikane, mbrapa të cilave besohet se është Rusia, shpërfaqin rreziqet e nënvlerësimit të Kremlinit dhe shërbejnë si thirrje “e ashpër zgjimi” për dobësitë e zinxhirëve të infrastrukturës kritike. Ai ka thënë se administata Biden do të hartojë së shpejti një raport për të vlerësuar raportet me Rusinë, përfshirë hakimin. Autoritetet ruse kanë hedhur poshtë përfshirjen në këtë incident. Burns, 64-vjeçar, pritet të fitojë konfirmimin dhe të bëhet diplomati i parë i karrierës që drejton CIA-n. Ai është konfirmuar nga Senati pesë herë në të kaluarën, për punën e tij si ambasador në Jodan, Rusi dhe tri pozita të larta të Departamentin e Shtetit.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: