Covid-19Lajme

Ilir Alimehmeti e thotë troç: Shumica dërrmuese e të imunizuarve janë ata që kanë kaluar Covid-19

Mjeku i njohur Ilir Alimehmeti, ka folur sa i përket imunitetit të krijuar pasi është kaluar Covid-19. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se shumica e qytetarëve në vend që janë imunizuar janë ata të cilët sipas tij, kanë kaluar Covid-19. Ai theksoi se të paimunizuar janë edhe ata të cilët nuk kanë kaluar Covid dhe po ashtu nuk kanë bërë as vaksinën.

“Të imunizuar janë shumica dërrmuese e të shëruarve nga SARS-Cov-2 dhe të vaksinuarve kundër tij. Fatmirësisht! Të paimunizuar janë të gjithë ata që as e kanë kaluar dhe as janë vaksinuar. Këshilla është të vaksinohen, sidomos nëse janë në risk për shkak të moshës dhe/ose sëmundjeve.

Të paimunizuar janë edhe një pakicë që nuk monton dot një mbrojtje imunitare pas vaksinimit apo shërimit sepse kanë sistem imunitar të dobët ose të pafuqishëm”, tha ai. Ndër të tjera, mjeku u shpreh se fakti që të vaksinuarit dhe të pavaksinuarit po diferencohen sipas tij, kjo është zhargon politik.

“Të diferencosh në të imunizuar dhe të paimunizuar është zhargon shkencor! Të diferencosh në të vaksinuar dhe të pavaksinuar është zhargon politik! Pse? Shumë thjesht! Këshilla është të vaksinohen për të përforcuar përgjigjen imunitare sado pak të jetë e mundur! Të mos pranosh termin imunitet natyror nga sëmundja e kaluar është politikë, jo shkencë! Të mos vaksinohesh nëse je person në risk dhe nuk e ke kaluar sëmundjen nuk është as politikë dhe as shkencë! Është thjesht pa kuptim”, tha ai.

Shifra të larta nga Covid

Ndërkohë, numri i të infektuarve dhe jetëve të humbura nga Covid, gjatë javëve të fundit në vend ka qenë i lartë. Kjo për shkak edhe të variantit të ri të Covid, Delta i cili ka hyr në vendin tonë dhe që ka një transmetueshmëri të lartë në krahasim me variantet e tjera. Kështu gjatë 24 orëve të fundit, Ministria e Shëndetësisë bën me dije se janë kryer 5106 testime, nga këto 959 raste të reja kanë rezultuar pozitive me Covid dhe 6 qytetarë kanë humbur jetën.

Po ashtu, bëhet me dije edhe numri i pacientëve që po marrin trajtim nga të cilët në gjendje të rënduar janë 30 pacientë. Numri më i lartë i personave të infektuar është në qytetet si Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora, Shkodra, për të vijuar me qytete të tjera, si Kukës, Sarandë, Berat e Pukë. “Ju informojmë për situatën në 24 orët e fundit, si vijon: Janë kryer 5106 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, 959 qytetarë.

Janë 12,910 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin. Aktualisht në spitalet Covid po marrin trajtim 215 pacientë, nga të cilët 30 janë në gjendje më të rënduar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar betejën me Covid-19 gjashtë qytetarë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve. Janë shëruar 891 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 145,845 që nga fillimi i epidemisë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: