Lajme

Inceneratori i Elbasanit, SPAK ngre akuzë për korrupsion dhe pastrim parash për Mirel Mërtirin

Prokuroria e Posaçme akuzon zyrtarisht biznesmenin Mirel Mërtiri për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit.

“Shtetasit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, kanë konsumuar veprat penale të korrupsionit aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” kryer në bashkëpunim dhe “pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim”, thuhet në aktakuzën e SPAK.

Mërtiri pritet të shpallet në kërkim, ashtu sikurse më herët është shpallur partnerja e tij Gugallja dhe biznesmeni tjetër Klodian Zoto.

Ndërkohe që nën sekuestro pritet të vihen disa asete. Në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit, SPAK akuzon për shpërdorim detyre edhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako. Më herët, ai dyshohej vetëm për inceneratorin e Fierit, por tashmë më ketë akuzë të re, pozita e tij përballe drejtësisë rëndohet së tepërmi.

“Nga tërësia e akteve të këtij procedimi penal provohet fakti dhe krijohet bindja se Alqi Bllako në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, në Bashkëpunim me shtetasit Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Bardhul Çabiri e Serafin Papa në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të dhënies së koncesionit si dhe në bashkëpunim me Lefter Kokën në cilësinë e ministrit të Mjedisit, kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës”, thuhet më tej në dokumentin e Prokurorisë së Posaçme.

Lefter Koka ndërkohë është njohur me akuzat, ku krahas shpërdorimit të detyrës, ai do të përgjigjet edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close