Lajme

“Inflacioni i lartë”- Sejko: Qeveria të shkurtojë shpenzimet joprioritare dhe të mbështesë shtresat më të brishta

Shteti duhet të vijojë të ofrojë mbështetje financiare për shtresat me të ardhura të ulëta të shoqërisë dhe për sektorët më të ekspozuar ndaj goditjes.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha sot në raportimin vjetor para Komisionit Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave se është e domosdoshme që politikat fiskale të mbështesin shtresat më të brishta dhe më të goditur nga vala inflacioniste.

Megjithatë, sipas tij, kjo mbështetje duhet të financohet nga të ardhurat shtesë të siguruara nga rritja e çmimeve dhe nga rishikimi i shpenzimeve joprioritare. Në këtë mënyrë, efektiviteti i ndërhyrjes nuk do të dëmtojë treguesit e borxhit publik.

Sejko tha se sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës ka sjellë një rritje galopante të çmimeve të produkteve bazë në tregjet botërore, duke shtrenjtuar kostot e jetesës së familjeve dhe duke rritur kostot e prodhimit të bizneseve. Për më tepër, konflikti i armatosur ka shtuar pasiguritë dhe ka krijuar pengesa të reja në zinxhirët e furnizimit, të cilët po ndikohen edhe nga kufizimet e vendosura rishtas ndaj valëve të reja të pandemisë në Azi.

Ai përsëriti edhe njëherë se kjo goditje me ndikim të dyfishtë, në rritje për çmimet dhe në rënie për aktivitetin ekonomik, do të transmetohet edhe në ekonominë shqiptare. Ajo pritet të sjellë norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike në Shqipëri krahasuar me vlerësimet tona përpara fillimit të luftës.

Megjithatë, sipas Sejkos, trendi pozitiv i zhvillimit ekonomik të vendit pritet të mbetet i pacenuar në afatin e mesëm dhe të gjatë.

Bazuar në informacionin aktual, Banka e Shqipërisë pret që ekonomia të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 dhe në vijim.

Ky gjykim mbështetet në gjerësinë dhe fortësinë e burimeve të rritjes, në ekuilibrat e konsoliduar ekonomikë dhe financiarë, si dhe në vijimin e një miksi stimulues politikash monetare e fiskale. Nga ana tjetër, ai tha se inflacioni do të mbetet në nivele relativisht të larta gjatë vitit 2022, ndërsa pritet të vijë në rënie gjatë vitit 2023, në linjë me reduktimin e pritur të presioneve në tregjet botërore, dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.

“Këto projeksione mbështeten në tre konsiderata të rëndësishme. Së pari, ato supozojnë mospërshkallëzimin e konfliktit dhe vijimin e rritjes në partnerët tanë tregtarë.

Së dyti, ato faktorizojnë bazat solide në të cilat ndodhet ekonomia shqiptare pas rimëkëmbjes së gjithanshme të vitit 2021. Në mënyrë të përmbledhur, më lejoni të theksoj se ekonomia shqiptare e mbylli vitin 2021 me parametra të përmirësuar ekonomikë e financiarë. Vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit, punësimi u zgjerua dhe rritja e pagave u përshpejtua. Në tërësi, bilancet e sektorit privat u përmirësuan, stabiliteti monetar dhe financiar i vendit u konsolidua, dhe tregjet financiare funksionuan normalisht.

Në veçanti, sektori bankar ruajti tregues të mirë likuiditeti, kapitalizimi dhe rentabiliteti. Së treti, ato kërkojnë rishikimin e vazhdueshëm të miksit të politikave ekonomike. Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, këto politika duhet të vijojnë të ofrojnë mbështetje për procesin e rimëkëmbjes, por pa paragjykuar për asnjë moment stabilitetin monetar e financiar të vendit. Ky stabilitet ka qenë dhe mbetet një parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies së shoqërisë,” tha Sejko.

Guvernatori tha se politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të vijojë të udhëhiqet nga respektimi i objektivit parësor i ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe në këtë frymë vendosi rritjen e normës bazë të interesit në muajin mars, duke e kthyer atë në nivelin e parapandemisë prej 1%./Monitor

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close