Lajme

Ish-Ministri Saimir Tahiri transferohet nga burgu i Fierit në atë të Lushnjës

Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri po transferohet nga burgu i Fierit në atë të Lushnjës. Mësohet se transferimi i Tahirit po kryhet pas kërkesës së familjarëve të tij. Gjykata e Lartë refuzoi më herët kërkesën e ish-zyrtarit të lartë për lirim nga qelia, pasi ky i fundit është dënuar për veprën penale të “Abuzimit me detyrën”.

Institucioni i drejtësisë vendosi për mospranimin e kërkesës së Saimir Tahirit, për pezullimin e ekzekutimit të vuajtjes së dënimit me burgim, dhënë me vendimin nr. 3 datë 04.02.2022, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Saimir Tahiri, është dënuar me 3 vite dhe 4 muaj burg për shpërdorim detyre nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë, më 4 shkurt.

Sipas njoftimit të gjykatës, u la në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë i datës 19 shtator 2019, me ndryshimin që Tahiri u dënua me burg dhe jo me shërbim prove.

Sipas vendimit, vuajtja e dënimit me burgim për ish-ministrin Tahiri filloi nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Ne vendimin e gjykatës theksohej se kundër vendimit të 4 shkurtit, lejohej rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve.

Në shtator të vitit 2019, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë e shpalli fajtor ish-ministrin Tahiri për shpërdorim detyre, duke e dënuar me shërbim prove për një periudhë prej 3 vitesh.

Tahiri u hetua fillimisht dhe gjykua edhe për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, për të cilat u shpall i pafajshëm disa vite më parë.

Fillimisht, hetimet ndaj Tahirit filluan pas publikimit të një dosje me përgjime nga autoritetet italiane, të disa personave që akuzohen për trafik të lëndëve narkotike, ku përmendej edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, ndërsa përfundimisht ai u dënua vetëm për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Saimir Tahiri ka mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë në periudhën 2013-2017.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close