
Ish kreu i bandës së “Çoles” në vitin e mbrapsht 1997 në Vlorë, Myrteza (Zani) Çaushi, është rishfaqur sërisht në gjykatën e Korçës duke kërkuar për herën e tretë lirimin me kusht nga qelitë e burgut të Drenovës.
Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Robert Shehut dhe Luan Bedinit në gusht 1999 në Vlorë.
Zani Çaushi kërkon lirimin me kusht nga gjykata me arsyetimin se sipas tij, gjatë qëndrimit në burg ka patur një rehabilitim duke u shfaqur me një sjellë të mirë dhe qëndrimi jashtë, do mundësonte kujdesin ndaj fëmijëve të tij të mitur.
Gjithsesi, prokuroria e Korçës thotë se Zani është dënuar mbi 3 herë për akuzën e “Futjes dhe Mbajtjes në ambientet e burgut të sendeve të palejuara”, elementë këto që faktojnë se ai nuk është rehabilituar. Pasi edhe gjatë qëndrimit të tij në burg, ai ka vijuar të kryejë vepra penale.
Seanca për shqyrtimin e kërkesës së tij pritet të mbahet në 19 Korrik në orën 13:00, teksa gjyqtarja e çështjes është caktuar Luljeta Kola.
Kjo është hera e tretë që Myrteza Çaushi, kërkon lirimin me kusht nga qelia, duke pretenduar se ai ka kryer më shumë se 35 vite qëndrim në burg, duke nënkuptuar se ka vuajtur 3/4 e dënimit të dhënë nga gjykata e Tiranës.