Për t’i paraprirë stinës së shirave bashkia e Kavajës ka vijuar me intensitet punën për pastrimin e kanaleve në gjithë territorin e bashkisë. Kryetari i bashkisë së Kavajës, Redjan Krali ka theksuar se, “në Njësinë Administrative Helmas, pas vitesh të tëra përmbytjeje të zonës, shkaktuar nga përroi i lënë në mëshirë të fatit, ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve/Bordit të Kullimit, realizuan ndërhyrje rrënjësore për rehabilitimin e tij”.
Në Njësinë Administrative Synej, ka shtuar Krali, “kanalet e zonës në Bago, të mbuluara nga bimësia e egër dhe mbetjet e grumbulluara prej 25-vitesh pa vënë dorë, më në fund u pastruan duke eliminuar kështu rrezikun e përmbytjeve nga Përroi i Draxhit”. Sipas tij kjo ka qenë një nga problematikat kryesore për banorët e zonës. “Ndërhyrja totale përfshin 2800 metra gjatësi”, ka nënvizuar Krali.