
Arritjet dhe sakrificat e një dekade për këpucët “Made in Albania” u rrënuan vitin e fundit, nga ulja e porosive, nënçmimi i Euros dhe rritja e kostove të punës. Operatorët e mëdhenj të prodhimit kanë pezulluar planet për investime, teksa po ulin fuqinë punëtore. Njësitë më të vogla të prodhimit po falimentojnë, kurse pritshmëritë për rikuperim janë të largëta. Si po ndryshon kriza ekonomike dhe stili i jetesës në tregun e këpucës. Fabrikat shqiptare të ekspozuara ndaj tregut italian tani në mbijetese.
Industria e prodhimit të tekstileve dhe këpucëve ka hyrë në një cikël të ri krize, ku të ardhurat po ulen nga rënia e porosive dhe fitimet po tkurren nga forcimi i Lekut.
Eksportuesit e këpucës janë më të prekurit pasi rënia e urdhrave të punës ka qenë më e mprehtë se për veshjet.
Një kërkesë e lartë nga kompanitë porositëse, që u shfaq pas pandemisë në vitin 2021 krijoi stoqe në magazina, të cilat nuk po tregtoheshin nga pakica prej rritjes së kostove të jetës nga inflacioni i lartë dhe moti i ngrohtë, që uli kërkesën për këpucët e dimrit nga konsumatori fundor.
Gjatë 9-mujorit 2023, të ardhurat nga eksportet e tekstileve shënuan rritje vjetore me 2,3%, ose 11,6 milionë euro në vlerë, teksa eksportuesit e këpucëve u përballën me rënie vjetore të shitjeve me rreth 45 milionë euro ose 10%.
Kriza
Operatorët e mëdhenj të prodhimit kanë pezulluar planet për investime dhe po përpiqen të mbajnë në punë fuqinë punëtore, ndërsa njësitë më të vogla të prodhimit po falimentojnë.
Skënder Pashaj, i cili zotëron linjat e prodhimit të këpucës “Fital”, tha se porositë nga jashtë kanë pësuar rënie me mbi 30% këtë vit, të ndikuara nga shumë faktorë, por më kryesori është inflacioni. Fabrikat shqiptare prodhojnë për klientë italianë.
Z. Pashaj tha se inflacioni i lartë, i kombinuar me normat më të larta të interesit të kredive ka rritur koston e jetesës në Itali. Siç kanë treguar edhe krizat e mëparshme, kur konsumatorët preken nga inflacioni, tkurrja e konsumit e prek së tepërmi këpucën.
Frenimi i porosive ka nisur që vitin e kaluar dhe ka vazhduar gjatë gjithë këtij, viti duke i bërë të vështira projeksionet e biznesit për rikuperim.
Operatorët e mëdhenj të prodhimit kanë pezulluar planet për investime dhe po përpiqen të mbajnë në punë fuqinë punëtore, ndërsa njësitë më të vogla të prodhimit po falimentojnë.
Eva Laro, e cila zotëron fabrikën e prodhimit të këpucës “Prodyn”, tha se, goditjet e shumëfishta me të cilat u përball industria në dy vitet e fundit do ta bëjnë të vështirë rimëkëmbjen.
Sipas saj, pritet përmirësim i porosive në mars të vitit 2024, por në shtator të vitit që vjen, kjo mund të reflektohet në volume më të larta të punës.
Këpucët “Made in Albania” dhe fasoni në përgjithësi në dekadën e fundit ishin në rritje të shpejtë. Forca punëtore në Shqipëri është me përvojë dhe prodhon produkte cilësore për tregjet e Bashkimit Europian, kryesisht Italisë.
Pas pandemisë COVID-19 kur zinxhirët e furnizimit u përballën me ndërprerje nga kufizimet pandemike, interesi i klientëve për të transferuar prodhimin në Europë u rrit.
Në gjysmën e dytë të vitit 2021, Shqipëria u përball me një kërkesë të lartë, aq sa fabrikat po refuzonin të merrnin punë edhe nga mungesa e fuqisë punëtore. Për të zbutur varësinë nga krahu i punës, shumë fabrika rinovuan teknologjinë dhe investuan në robotikë.
Pagat në sektor u rritën me rreth 20%% në vitin 2021, teksa shumë njësi nisën përpjekjet për mbylljen e ciklit dhe kalimit në një hallkë më të lartë të vlerës së prodhimit.
Mirëpo të gjitha arritjet u përmbysën në disa muaj. Në muajin gusht, Leku u mbiçmua me rreth 10% në këmbim me Euron. Për çdo njësi veshjesh dhe këpucësh të shitura në vitin 2023 janë arkëtuar 10% më pak se më 2022, vetëm nga kursi i këmbimit.
Eksporti i këpucës, 85% varësi nga tregu italian
Sa herë që Europa goditet nga krizat ekonomike, Italia, e cila është partneri kryesor tregtar i vendit tonë është reflektuesi më i hershëm i problemeve.
Sipas të dhënave nga tregtia e jashtme, 85% e këpucëve që prodhohen në Shqipëri eksportohen në Itali. Në 9-mujorin 2023, vlera e eksporteve drejt Italisë ra me 10.4%.
Totali i eksporteve të këpucëve arriti në 9-mujor, 43 miliardë lekë, nga të cilat 36.8 miliardë lekë kishin destinacion tregun italian. Pas Italisë, partnerët më të rëndësishëm tregtarë për eksportet e këpucës janë Gjermania dhe Hungaria, me pak më shumë se 1% secila.
Të gjitha vendet e tjera kanë një peshë të ulët me rreth 12% të totalit të eksporteve të këpucëve.
Varësia ndaj tregut italian, si për këpucët edhe veshjet, e bën sektorin me vulnerabël. Shuma analiza me fokus industrinë i këshillojnë fabrikat të diversifikojnë klientët në vende të tjera për të mos “importuar” të plotë çdo luhatje që përjeton Italia. Mirëpo këtë vit, pothuajse e gjithë Europa është në kushte të njëjta krize.
Konsumi ka pësuar rënie më të madhe edhe në Gjermani, e cila këtij viti ka përgjysmuar porositë në Shqipëri. Ndonëse një treg i vogël që vitet e fundit po rritej me shpejtësi, eksportet me Gjermaninë u goditën nga kriza dhe rritja e kostove në Shqipëri.
Kompania “Prodyn”, e cila është eksportuesi kryesor në Gjermani i këpucës, sqaroi se marka e njohur në Gjermani “Josef Seibel” tërhoqi porositë nga Shqipëria.
Me rritjen e pagës minimale dhe rritjen e kostove që erdhën nga shumë burime, vendi ynë u bë jokonkurrues, duke bërë që Gjermania të transferonte prodhimin.
Për të mbrojtur të ardhurat, shumë fabrika nisën të gjejnë tregje jashtë Europës. Ndonëse në sasi shumë të vogla, pati eksporte të këpucës në Meksikë, Bahamas dhe Gana.
Ndërkohë që u tentua për një zgjerim më të madh në vende ku më parë nuk kishte eksporte. Eksportet në Austri u 15-fishuan gjatë 9-mujorit 2023, me vlerë totale 1,4 milionë euro, duke kontribuar me vetëm 0.3% të vlerës totale të eksporteve të këpucëve.
Ndonëse në vlera të vogla u vu re rritje e eksporteve drejt Bullgarisë, Polonisë, Zvicrës, Kroacisë, Turqisë.
Inflacioni rëndon më shumë mbi këpucën
Prodhuesit vendas të këpucës pohojnë se inflacioni që përjetoi Europa një vit më parë është faktori kryesor që ka ndikuar në uljen e porosive.
Z. Pashaj, nga kompania “Fital”, tha se kushtet ekonomike në Itali janë rënduar nga inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit të kredive.
Vitin e kaluar, inflacioni në pjesën më të madhe të vitit ishte në një mesatare mbi rreth 12% në të gjithë BE-në, teksa ka një zbutje të ngadaltë deri në 4,9% në fund të shtatorit. Një ecuri të ngjashme kishte edhe ecuria e inflacionit në Itali.
Z. Pashaj tha se kjo krizë ekonomike dhe sidomos normat e larta të interesit kanë goditur të gjitha kategoritë e konsumatorëve që nga niveli i ulët tek ai i luksit, duke sjellë rënie të shitjeve dhe për rrjedhojë, rënie të prodhimit për të gjitha kategoritë e konsumit.
“Për momentin kam pezulluar të gjithë planet për investime dhe kam ndërprerë marrëdhëniet me kontraktorët. Jemi në një situatë ku porositë kanë rënë mbi 30% dhe rikuperimi do të jetë shumë i vështirë” tha z. Pashaj.
Ndërsa znj. Laro, e cila të gjithë prodhimin e shet për vende jashtë Italisë, në Gjermani dhe në Britani, tha se rënia e porosive ishte po kaq e madhe.
Kriza e vazhdueshme e kostos së jetesës dhe inflacioni i lartë kanë ndikuar në shpenzimet e konsumatorëve në sektorë të ndryshëm, përfshirë modën.
Rritja e kostove të lidhura me prodhimin, materialet dhe shpërndarjen kanë rritur çmimet e shitjes me pakicë edhe të këpucëve. Inflacioni i lartë goditi në mënyrë të dyfishtë shitjen e këpucëve në Europë. Kur çmimet në përgjithësi rriten, konsumatorët e shmangin blerjen e produkteve jojetike dhe të padomosdoshme. Nga sektori modës, këpuca është më e prekura, në raport me veshjet.
Znj. Laro tha se inflacioni i lartë me të cilin u përball Europa vitin e kaluar i ka dhënë efektet në prodhim këtë vit. Duke qenë se këpucët që u prodhuan për sezonin e dimrit të kaluar nuk u shitën, magazinat janë plot dhe shitësit kanë ulur porositë për këpucë për sezonin e dimrit 2023-2024.
Raporti i Qëndrueshmërisë në Tregun Global të Veshmbathjeve nga GlobalData, që u publikua më herët këtë vit, sugjeron se pothuajse gjysma e konsumatorëve (49%) po blejnë më pak veshje dhe këpucë, për shkak të krizës së kostos së jetesës.
Sondazhi mujor i konsumatorëve në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se më pak se një e treta (30.4%) raportuan se nuk do të ndryshonin zakonet e tyre të blerjes së veshjeve dhe këpucëve, 32.1% deklaruan se do të blinin më pak artikuj dhe 13.1% do të ndalonte blerjen e tyre krejtësisht, duke theksuar ndikimin që do të kishte rritja e kostove në tregun e përgjithshëm të veshjeve dhe këpucëve.
Ekonomia e pasigurt globale po ndikon në sektorin e veshjeve dhe këpucëve kryesisht në Europë dhe SHBA.
Një sondazh i publikuar në nëntor nga “AlixPartners” zbuloi se 43% e femrave dhe pothuajse një e treta e meshkujve e kanë hequr si përparësi blerjen e këpucëve, për shkak të problemeve me inflacionin.
Në mars të këtij viti, një fabrikë këpucësh në Vietnam, e cila prodhon për markat sportive “Nike” dhe “Adidas” shkurtoi 6000 vende pune për shkak të kërkesës së dobët të konsumatorëve.
Nga markat e veshjeve sportive dhe prodhuesit tradicionalë të këpucëve, bizneset po përpiqen për të gjetur dizajne të reja dhe praktike për të mënjanuar humbjet.
Në përgjigje të shitjeve të pakta, drejtuesit e kompanive të këpucëve kanë bërë disa shkurtime në muajt e fundit. Një studim i vitit të fundit zbuloi se 87% e të anketuarve ekzekutivë raportuan shitje më të ulëta.
Rënia nisi që në 6-mujorin e dytë të vitit 2022 dhe ka vijuar gjatë gjithë këtij viti. Dy të tretat e të anketuarve në sektorin e këpucës pohuan se kishin shkurtuar punonjësit dhe kanë pezulluar investimet.
Rënia e kërkesës po ndikohet jo pak edhe nga ndryshimet klimatike. Temperaturat e larta që karakterizuan Europën dhe sidomos Italinë deri në fillim të janarit 2023 kanë penguar shitjet e veshjeve të dimrit, pasi në temperatura që shkuan mbi 25 gradë në Krishtlindje askush nuk do të donte të blinte pallto e xhupa të rëndë dhe këpucë të stinës, nëse nuk e dinin se kur do t’i vishnin.
Znj. Laro tha se shitësit e pakicës janë plot me stoqe, gjë e cila do të ndikojë në një kërkesë më të ulët për të prodhuar veshje të reja për sezonin e dimrit të ardhshëm.
Ngrohja e motit, që është kthyer në shqetësim për shumë sektorë të jetës, sidomos për ushqimin, tashmë është një problem edhe për biznesin e veshjeve. Një situatë e ngjashme ishte 5 vite më parë kur dimri i ngrohtë rriti stoqet e këpucëve duke sjellë rënie të porosive në vitin paraardhës.
Kjo situatë pritet të përsëritet këtë vit dhe do të ushtrojë për porositë në fabrikat shqiptare. Ngjarjet ekstreme të motit gjithashtu po bëhen shkak për reduktimin e prodhimit të lëndës së parë si pambuku dhe leshi i merinos.
Stili i jetesës ka ndryshuar kërkesën për këpucë, pandemia e thelloi
Më herët këtë dekadë, ndryshimi i stilit të jetesës i dha goditje tregut të këpucës klasike. Udhëtimet në të gjithë globin filluan të bëhen tendencë dhe u rrit qasja ndaj aktiviteteve sportive. Kjo tendencë çoi në krizë prodhuesit e këpucës, pasi pati një zhvendosje të menjëhershme nga këpucët drejt atleteve.
Këpucët sportive dhe atletet që më parë kishin përd orim shumë të kufizuar u bënë pjesë e eventeve dhe dominuan përditshmërinë në të gjitha grupmoshat. Prodhuesit nisën të përshtaten me trendin e ri, me modele dhe dizajnë. Por duket se pandemia Covid-19 e përshpejtoi më tej këtë trend.
Kufizimet dhe izolimi në shtëpi ndërgjegjësuan konsumatorët për blerjet e tepërta. Gjatë pandemisë këpucët ishin pjesa më e panevojshme e veshjeve.
Shumë fabrika që prodhonin këpucë në Shqipëri gjatë pandemisë prodhuan pajisje për spitalet. Me kalimin e pandemisë, stili i jetesës ndryshoi më tej. Udhëtimet pas kufizimeve në Europë, nuk mbajtën të lartë interesin për këpucë, si për mallrat e tjera.
Markat e njohura ndërkombëtare tani po përpiqen të sjellin dizajne dhe lloje që i përshtaten kërkesës. Në korrik të këtij viti, “Nike” dhe “Vibram” u bashkuan për të prodhuar një këpucë posaçërisht për vrapuesit e shtigjeve, e quajtur “Nike Ultrafly Trail” dhe përdorën teknologjinë për t’iu siguruar vrapuesve kontrollin e nevojshëm për të pushtuar shtigjet sfiduese në një mënyrë të shpejtë, por të rehatshme.
Disa komani në Britani filluan të prodhonin këpucë “Unisex” për të mbajtur kërkesën të gjallë.
Gjatë 300 viteve të fundit, industria e këpucëve ka evoluar nga porositë individuale të modeluara për banorët e hershëm nga artizanët dhe tani me këpucë nga ikonat e modës, Jimmy Choo, Manolo Blahnik dhe Christian Louboutin.
SHBA ka tregun më të madh të këpucëve në mbarë botën, duke sjellë më shumë se 100 miliardë dollarë vetëm në vitin 2021, sipas “The NPD Group”.
Në një pjesë të mirë të këtij tregu janë gjigantët e industrisë si “Foot Locker”, “New Balance” dhe “Clark’s”. Për shembull, shitjet e “Nike” ishin 44.5 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Forcimi i Lekut ul fitimet e fasonit
Ulja e porosive ka sjellë rënien e xhirove, ndërsa rënia e Euros ka rrënuar fitimet e eksportuesve. Në janar të vitit 2022, kursi mesatar i këmbimit të Bankës së Shqipërisë ishte 121.5 lekë, ndërsa në dhjetor me 114.9 lekë dhe në tetor 2023, arriti në 105 lekë.
Në vjeshtën e këtij viti, Euro rezulton gati 10% e nënçmuar ndaj Lekut në krahasim me fillimin e vitit 2022.
Florian Zekja, nga Shoqata Pro-Eksport, thotë se rënia e eksporteve çdo muaj është dyshifrore dhe do vazhdojë e tillë dhe në muajt në vazhdim, dhe kursi i këmbimit është ndër shkaktarët kryesorë.
“Ne si eksportues i kemi dërguar një letër të detajuar, që në fillim të shtatorit, Kryeministrit, Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Komisionit të Ekonomisë, Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, por nuk kemi as përgjigje dhe as reagim”, – tha z. Zekja.
“Në letrat tona, ne kemi detajuar si shkaqet, po ashtu dhe zgjidhjet për këtë situatë që po shkatërron prodhimin vendas, por me sa duket, institucionet nuk kanë dëshirë të përballen me aktualitetin e hidhur”, – shtoi ai.
Eksportuesit janë të shqetësuar se ekonomia shqiptare është duke u bërë gjithnjë e më shumë jokonkurruese për sektorin e prodhimit. Evdin Prençe, nga Shoqata Pro-eksport, tha se humbjet e eksportuesve, për shkak të kursit të këmbimit, janë bërë të qëndrueshme, pasi rënia po vijon me ritme të larta nga viti në vit.
Në pranverën e vitit 2016, 1 euro kushtonte rreth 140 lekë. Që nga ajo kohë, Euro është nënçmuar ndaj Lekut me 35%. Po në këtë masë, kanë rënë edhe të ardhurat e eksportuesve.
Pjesa më e madhe e eksportuesve shqiptarë punojnë me kontrata. Nga dorëzimi i mallrave e deri te pagesa kalojnë zakonisht 4-6 muaj.
Por gjatë kësaj periudhe po ndodh që Euro të nënçmohet me 3-4 lekë. P.sh., nëse nga një faturë eksporti 10 mijë euro në janar 2022 përfitoheshin 1,215,000 lekë, në dhjetor vetëm 1,149,000 lekë dhe gusht të këtij viti, 1,000,000 lekë.
Ndërkohë që planet financiare bëhen duke marrë në konsideratë një logjikë normale të kursit të këmbimit, mbiçmimi jashtë çdo parashikimi i Lekut po i tensionon prodhuesit.
Industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve me gjithë vështirësitë që sollën çmimet e larta të lëndëve të para dhe mungesat në fuqinë punëtore arriti të integrohet në një shkallë më të lartë të zinxhirit të vlerës vitin e kaluar, por goditjet nga kërkesa këtë vit kanë rrënuar përparimin e tre viteve.
E gjithë industria, në vështirësi
Nënçmimi i Euros në këmbim me Lekun, rritja e kostove nga paga minimale dhe frenimi i kërkesës në tregjet e huaja ka përkeqësuar të ardhurat në sektorin e industrisë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se, të ardhurat në bizneset e prodhimit të këpucëve shënuan rënie vjetore me 12.7% sipas krahasimit të indeksit të shitjeve në vlerë.
Situata ishte pak më pozitive në fabrikat e veshjeve, ku indeksi i shitjeve në vlerë shënoi rritje vjetore 3.2% në tremujorin e dytë.
Sektorë të tjerë të industrisë përpunuese ishin me rënie të fortë të të ardhurave.
Fabrikat e prodhimit dhe përpunimit të drurit shënuan rënie vjetore me 12.5% të indeksit të shitjeve në vlerë në prill-qershor 2023 dhe po në të njëjtën përqindje pësuan rënie edhe fabrikat e prodhimit dhe përpunimit të letrës.
Bizneset në sektorin e prodhimit po kalojnë një periudhë të vështirë prej nënçmimit drastik të Euros në këmbim me Lekun këtë vit.
Në njërën anë, humbjet nga kursi i këmbimit dhe në tjetrën, rritja e pagës minimale po i bëjnë prodhimet shqiptare për eksportet jokonkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Humbjet nga kursi i këmbimit kapën 10% të xhiros në muaj të caktuar të vitit 2023, ndërsa paga minimale nga 32 mijë lekë në prill 2022, arriti në 40 mijë lekë në prill 2023.
Përkeqësimi i sektorit të prodhimit dha ndikime negative edhe në punësim. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 3-mujorin e dytë, punësimi në sektorin e industrisë shënoi rënie me 2,7% për të dytin tremujor radhazi.
Punësimi në bizneset e industrisë hyri në krizë që në tremujorin e tretë të vitit 2022 ku rënia nisi me 0.2%, pas një rritje me rreth 7% gjatë gjithë vitit.
Përveç këtyre vështirësive, sektori i industrisë po vuan mungesën e fuqisë punëtore. Për shkak të kushteve më të vështira dhe pagave rreth niveleve minimale, punonjësit e industrisë po zhvendosen drejt sektorëve të tjerë me paga më të larta.
Ngjarjet pas luftës në Ukrainë, përveç çmimeve të larta kanë rritur ndjeshëm kostot e prodhimit në Europë dhe tashmë, shumë klientë europianë po kërkojë ta zhvendosin prodhimin në vende të tjera si Uzbekistani, India dhe Afrika e Veriut.
Kjo tendencë ka sjellë, si pasojë, uljen e porosive në fabrikat shqiptare, duke bërë që disa nënkontraktorë në industrinë e tekstilit të këpucëve të falimentojnë./Monitor