Categories Lajme

“Kolumbianët e Kokainës”/ Bashkëpunimi i grupeve kriminale, si bëhet shkëmbimi i trafikantëve

Rruga nga Kolumbia për në Shqipëri është e gjatë. Kushdo që niset nga andej, duhet të ketë një arsye të fortë. E në mos arsye, duhet të ketë marrë garancinë për ndonjë punë, për të cilën do të paguhet mirë.

Vitin e kaluar vendi ynë mund të jetë vizituar nga shumë kolumbianë. Por dy ranë në sy në veçanti. E atëherë kur letrat po kopsiteshin për t’i arrestuar, ata u zhdukën. Në emisionit ‘Gjërat tona’, të gazetares Etleva Delia, në ABC News, u zbulua se për njërin, SPAK dhe Policia kanë të dhëna dhe prova të forta se do të kryente ndarjen e kokainës nga plehu kimik në laboratorin që u zbulua në Frakull të Fierit. Ndërsa tjetri nuk u arrit të identifikohej plotësisht.

Por ajo që dihet me siguri është fakti se, sa herë kokaina do mbërrijë në vendin tonë në formë të ngurtësuar, gjithmonë do ketë nevojë për një laborator për të bërë ndarjen e saj. E sa herë që do lindë nevoja e një laboratori të tillë, prezenca e specialistëve kolumbianë do jetë e pashmangshme.

4 Shkurt 1998

Rasti i parë i trafikut të kokainës

Lidhja e shqiptarëve me kolumbianët është e hershme. Daton më 4 shkurt të vitit 1998. Një ngarkesë boje shkrimi, brenda të cilës ishin fshehur 6 kilogramë kokainë, u nis nga Bogotoa drejt shoqërisë “All Nation Vvide”, me seli në Tiranë.

Dy shqiptarët e parë që u lidhën me kartelet e Eskobarit për të trafikuar kokainën drejt Ballkanit ishin Frederik Durda dhe Arben Bërballa. Ata ishin dy emrat më të lakuar gjatë vitit 2001, teksa gjykoheshin në Gjykatën e Tiranës, në kushtet kur Gjykata e Krimeve të Rënda ende nuk ekzistonte. Në gusht të vitit 2000, në Venezuelë u kap një anije me 6 ton kokainë, destinacioni i së cilës ishte Europa. Ndërsa në Holandë u zbuluan 2 ton kokainë. Në krye të këtij rrjeti trafikantësh ndërkombëtarë, u akuzua se qëndronte Frederik Durda. Në atë kohë, ai ishte 42 vjeç. Durda ishte arratisur nga Shqipëria drejt SHBA-ve, që në kohën e komunizmit, në vitin 1976. Në Amerikë ai u dënua për çështje narkotikësh dhe pas rënies së komunizmit u kthye në Shqipëri. Prokuroria kishte të dhëna vite më parë se Frederik Durda, duke shfrytëzuar lidhjet e tij me Amerikën, kishte nisur punën për riaktivizimin e rrjetit të trafikut të kokainës. Madje gjatë viteve ’96-’97, ai pati forcuar lidhjet me eksponentë të kësaj fushe në Tiranë, duke nisur fillimisht me ndërtimin e një firme importi dhe eksporti të lëndëve të ndërtimit.

Velez Urihe Pedro Joze (Pedro) dhe Guitierrez Sançes Nestor Monuel (Pacho), ishin dy kolumbianët e parë që mbërritën në vendin tonë. Ata shoqëroheshin nga italiania Lida Çestari, për të verifikuar krijimin e një infrastrukture të nevojshme për kryerjen e aktivitetit kriminal.

“Nga ana e të pandehurve, Durda dhe Bërballa me elementët dhe eksponentët kolumbianë të trafikut të drogës, është biseduar për mënyrat dhe rrugët sesi do të realizohej transportimi i lëndëve narkotike. Si rruga më e mirë dhe më e sigurt për ta, është parë ajo e transportit detar. Më 27 shtator 1999, të pandehurit Frederik Durda dhe Arben Bërballa janë paraqitur në Maltë, duke autorizuar me prokurë avokatin e tyre, me emrat fiktivë Nikolla Papa dhe Arben Balla, ku kanë themeluar shoqërinë ‘Privillege Maritime’ L.T.D., në dt. 07 tetor 1999. Pra as edhe një muaj më vonë nga momenti i krijimit të shoqërisë në Maltë, të pandehurit Frederik Durda dhe Arben Bërballa kanë realizuar blerjen e anijes ‘Privilegje’, anije e cila më vonë do të destinohej për transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Shtetet e Amerikës Latine në drejtim të Europës. Të pandehurit nuk sollën asnjë provë bindëse sesi ishte blerë anija me vlerë më shumë se 1 milion dollarë, ndaj edhe Prokuroria theksoi se ‘kjo të forconte idenë se karteli kolumbian i drogës mund ta kishte financuar’”, thuhet në dosjen e Prokurorisë. Në përfundim të procesit të gjatë të çështjes që u quajt dosja “Kokaina”, Frederik Durda u dënua me 16 vjet burg, ndërsa Arben Bërballa me 15 vjet burg.

24 Nëntor 2022

Laboratori i kokainës në Fier

Rasti më i fundit kur shtetas kolumbianë udhëtuan drejt Shqipërisë, si pjesë e një grupi të trafikut të kokainës, ishte ai i datës 24 nëntor 2022.  Një bashkëpunim i DEA-s amerikane, SPAK dhe policisë malazeze zbuloi rreth 430 kilogramë kokainë, të fshehur në 24 tonë pleh organik artificial, të ndarë në 600 thasë. Thasët ndodheshin brenda shtëpisë së ish-kryetarit të komunës Frakull të Fierit, Viktor Çervanaku.  Kokaina kishte mbërritur në Shqipëri nga Kolumbia, duke kaluar transit nëpër dy porte, atë të Pireut në Greqi dhe në Portin e Barit, në Mal të Zi. Vlera e saj, në rast se do të hidhej në treg, përllogaritej afro 40 milionë euro. Hetimet u realizuan mes autoriteteve shqiptare dhe malazeze, si dhe në bashkëpunim me agjenci të huaja ligjzbatuese. Policia malazeze tha se aksioni atje u realizua me kodin “Port”, ndërsa në Shqipëri me kodin “Konsistenca”.

Ndërhyrja e realizuar në bashkëpunim me autoritetet malazeze, ishte finalizim i një hetimi disa mujor. Përgjatë kësaj kohe, të gjitha lëvizjet e ngarkesës, që nga momenti që ajo ka hyrë në territorin shqiptar, janë mbajtur nën mbikqyrje, për të bërë të mundur zbulimin e rrjetit të përfshirë në këtë linjë trafiku. Prokurori Adnan Xholi, tha se të gjithë pjesmarrësit, që nga financuesi, organizatorët dhe pjestarët e tjerë me role të ndryshme, në total, 10 persona, janë arrestuar. Në kërkim është një shtetas kolumbian, i cili do të angazhohej për të bërë të mundur ndarjen e kokainës nga plehu kimik.

Sinjalizimi për sasinë e drogës, kishte mbërritur nga DEA amerikane. Prokuroria shpjegoi se në muajin maj 2022, ngarkesa është nisur nga Kolumbia nëpërmjet një anije transporti, për në portin e Pireut/Greqi dhe ka mbërritur në fillim të korrikut 2022. E prej andej me anije transporti pas 3 ditësh është dërguar në portin e Barit të Malit të Zi, dhe në territorin shqiptar është transportuar me kamion në muajin shtator 2022. Ngarkesa me “pleh organik” është zhvendosur në mjedise të ndryshme, në disa qytete të vendit, për t’u grumbulluar më pas në Frakull të Madhe, në zonën e Fierit, aty ku do të bëhej dhe ndarja e kokainës.

Prokurori Xholi: “Në portin e Kolumbisë ishte ngarkuar një sasi me pleh organik artificial, ngarkuar në kontejnerë me destinacion Pireun e Greqisë, transit për në Portin e Barit të Malit të Zi, me porositës shtetas shqiptarë të Shqipërisë. Pasi sasia me pleh është dërguar në territorin shqiptar në muajin shtator të vitit 2022, kanë vijuar sërish veprimet e zhdoganimit, veprimet e transportit, zhvendosjes së ngarkesës në disa qytete dhe vende të ndryshme në Shqipëri, deri në ditën e djeshme (24 nëntor 2022) që është bërë kontrolli dhe sekuestrimi i kësaj sasie në territorin e Frakullës së Madhe, në qytetin e Fierit. Janë sekuestruar 15 910 euro,  3 armë zjarri automatikë kallashnikovë, 3 armë zjarri të llojit pistoletë, 108 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, 18 celularë, 5 automjete, 2 lap-topë, 2 armë gjuetie…”.

Banesa ku është gjendur droga e fshehur në thasët me pleh, i përkiste ish-kreut të komunës, Viktor Çervanaku, aktualisht i punësuar në një nga ndërmarrjet e sistemit energjitik në Tiranë. Ka qenë vëllai i tij, Zenel Çervanaku, ai që kishte porositur ngarkesën, pasi në janar të këtij viti kishte rregjistruar në emrin e tij një kompani që kishte ndër të tjera si aktivitet edhe “Import-eksport dhe tregtim me shumicë e pakicë të plehrave kimike dhe mallrave të ndryshme”, me adresë në Tiranë. Ndërsa si financues i ngarkesës rezulton të jetë Nikolin Gjolena.

DOSJA ME PËRGJIME

Në dosjen hetimorë të SPAK, janë zbardhur një pjesë e përgjimeve që janë konsideruar si provë që zbërthen mënyrën se si funksiononte grupi kriminal. Nga analizimi i bisedave dhe komunikimeve të përftuara rezulton se, personi nën hetim Zenel Çervanaku, i thirrur Neli, ishte personi në emër të të cilit më datë 19 janar 2022 është regjistruar biznesi me objekt të aktivitetit ndër të tjerave dhe import-eksport dhe tregtim me shumicë e pakicë të plehrave kimike. Gjatë momentit që kontejneri ndodhej në Portin e Barit, në Mal të Zi, brenda të cilit është e përzier edhe ngarkesa me pleh artificial e dërguar nga Kolumbia, personi nën hetim Viktor Çervanaku, i thirrur Tori, është interesuar në vijim për kryerjen e procedurave të pagesave pranë bankës, në emër dhe llogari të vëllait të tij Zenel Çervanaku. Nënshkrimi i praktikës së pagesave nuk është bërë nga Neli, por nga djali i tij, Denilson Çervanaku, me miratim të punonjëses së bankës të quajtur Jona.

Janë evidentuar disa komunikime të zhvilluara gjatë datës 3 gusht 2022 mes Viktor Çervanakut dhe një gruaje të koduar “B”.

Viktori: Të vijë çuni të paguajë një 240 eurosh, po Neli është në punë dhe ne duhet ta nisim sot atë se s’bën.

Ta firmosi vetë ai si thua?

Jona: Por e bën dot si firmën si…

Viktori: Po çfarë flet, pse e vret mendjen ti?

Jona: Mirë

Viktori: Kush do të kërkojë llogari ty moj…

Jona: Mirë, ok

Në komunikimin e Viktorit me një efektiv policie, del në pah numri celular dhe emri i pesonit tjetër nën hetim Nikolin Gjolena.

Nga përgjime telefonike të datës 10 gusht, janë dokumentuar komunikime të tjera të Viktorit me të njëjtin efektiv Policie, në lidhje me interesimet që ai bënte për mbylljen e problemeve që një shtetas ka me agjencitë e zbatimit të ligjit.

Në përgjimet e datës 22 shtator, janë dokumentuar komunikimet e Viktorit me bashkëbiseduesin e quajtur Fredi, me qëllim plotësimin e praktikës së plotë të dokumentacionit që duhej për të analizuar mallin e importuar në territorin shqiptar, moment gjatë të cilit rezulton që ngarkesa ka ardhur në Shqipëri.

Viktori: Kam marrë një maune me pleh edhe do ta bëjmë atë analizën e plehut.

Fredi: Kujt plehu?

Viktori: Po ka sjellë çuni një maune me pleh nga jashtë.

Fredi: Ou? Për ca e përdor Çuni?

Viktori: E do i bëjmë analizën.

Fredi: Aaa ta shesi??

Viktori: Për ullinj, ta shesi. Është pleh i mirë. Është kështu fertilizant Fredi. Pleh shumë i mirë, është me shumë komponentë, shumë i mirë.

Fredi: Ç’a thua ore? I madh je.

Viktori: E po ç’a të bëjmë ore. Hajt t’ua hedhim atyre ullinjve, ta shesi pjesë-pjesë. Ka sjellë shumë ai, ka sjellë 22 ton.

Fredi: Ou, paska sjellë shumë…

Denilson Çervanaku, komunikon me xhaxhain e tij Zenelin, ku e vë në dijeni se po vijnë dhe që të merrte masat të largonte qenin nga oborri i banesës. Për shkak se po vinin personat që do bënin inspektimin e ngarkesës dhe do mundësonin marrjen prej saj të një sasie të vogël për verifikim.

Në përgjimin e datës 12 nëntor, midis Denilsonit dhe të fejuarës së tij, Enxhi Ferhatit, djali i Viktor Çervanakut shprehet i revoltuar se ‘i huaji’ nuk bëri gjë, duke lënë të nënkuptohet se bëhet fjalë për shtetasin kolumbian. Përkthyesi nuk kishte vajtur në takim. Në këtë bisedë të përgjuar Denilsoni i kërkon të fejuarës që të ketë kujdes dhe të mos përmendë emra, por ndërkohë shpreheh ‘se do t’i fuste ndonjë plumbin kokës’, duke nënkuptuar të dyshuarin Klajdi Vrioni, i cili nuk e kishte përfunduar punën.

Nga ana tjetër, edhe Nikolin Gjolena, shfaq shqetësim për zhdukjen e kolumbianit. Më tej ata flasin për provën e vogël që do t’i bëjnë ngarkesës, në momentin që do të sigurohet kimisti.  Në biseda po ashtu të krijohet bindja se për nxjerrjen e kokainës nga plehu priteshin 2 kimistë kolumbianë edhe pse SPAK ka arritur të identifikojë vetëm njërin prej tyre i shpallur në kërkim.

Samir Rosales Rodriguez ka fluturuar nga Athina në Podgoricë ditën kur kontejneri mbërriti nga Pireu në portin bar, çka ka ngritur dyshimet se ai ka shoqëruar ngarkesën nga vendi origjinës deri në destinacionin final. Kolumbiani dyshohet të ketë hyrë ilegalisht në Shqipëri pasi në fillim të nëntorit ai është vëzhguar në Frakull të Madhe ku mbahej droga, i shoqëruar nga Redion Meshi, Bledar Matoshi e Julian Malaj. Të akuzuarit shfaqin shqetësim edhe se malli mund t’i grabitej ndaj për këtë kishin lënë qenin zgjidhur madje nga përgjimet del se një herë është qëlluar në ajër me armë zjarri.

Përgjimet mes Denilson Çervanakut dhe të fejuarës së tij, Enxhi Ferhatit tregojnë se nga puna me financuesin Nikolin Gjolena i thirrur nga ta me nofkat ‘Lushi’ apo ‘lushnjari’ do të fitohej në total 7 ose 8 milion euro ndërsa të rinjtë besonin se do të merrnin 500 mijë euro.

Çifti bën plane që pas kësaj pune të blejnë shtëpi, por flasin edhe për blerjen e automjeteve si “Range-Rover” apo “Smart”. Po ashtu nga hetimet me metoda speciale del se 4 thasë me pleh i ka marrë një person që i kishte ndihmuar gjatë procedurave të zhdoganimit ose transportimit, i cili nuk kishte dijeni që në to kishte drogë dhe i donte për ullinjtë. Duke bërë shaka, të akuzuarit shpresojnë që në këto thasë të mos ketë kokainë, pasi personi që i mori “do ngordhë gjithë kopshtin”.

14 Janar 2015

Laboratori i kokainës në Xibrakë

Në Frakull të Fierit, trafikantët po tentonin të bënin të njëjtën gjë si ata në Xibrakë. Por procesi i veçimit të kokainës dështoi që pa nisur.

Më 14 janar të vitit 2015, Policia e Shtetit në operacionin e koduar “Xibraka” prangosi 9 persona dhe sekuestroi rreth 20 kg kokainë të pastër dhe afro 400 kg përzierës. Hetimet për grupin që trafikonte kokainë nga Shqipëria në Gjermani kishin nisur në muajin mars të vitit 2014. Ishte Prokuroria gjermane që dha detajet e para për këtë çështje. Hetimet kishin filluar nga Prokuroria e Hanoverit, ndërsa ishin bërë disa kontrolle kryesisht në qytezën e Hameln, ku dhe ishin rezidentë dy persona që u arrestuan atje. Pala gjermane kishte të dhëna se grupi kriminal e merrte kokainën në vendet e Amerikës Latine dhe e trafikonte në vendet e Europës Perëndimore.

Prokuroria shqiptare tha në atë kohë se nuk e kishte ditur që në Xibrakë ndodhej një laborator droge dhe se vëzhgimet e përgjimet flisnin vetëm për një grup trafikantësh. Vetëm më 17 dhjetor të vitit 2014, drejtësia gjermane i kërkoi ndihmë Prokurorisë së Shqipërisë, e cila filloi hetimet. Gjatë 30 ditëve, u mbajtën në vëzhgim të dyshuarit që kontaktonin me disa persona nga Shqipëria, të cilët flisnin me njëri-tjetrin për shoqërimin e dy shtetasve kolumbianë, por edhe për pazaret për kokainën. Droga ishte përzier në rrobat e fëmijëve dhe një lëndë për regjien e lëkurëve të kafshëve. Ndërkaq, “mjeshtrit” kolumbianë janë shprehur për prokurorinë shqiptare se në Bogota të Kolumbisë ishin njohur me një person, që quhej Karlos, me origjinë nga Kolumbia, por me nënshtetësi holandeze. Ai e fliste mirë spanjishten dhe i kishte ofruar punë në Greqi. Ata dëshmuan se kanë udhëtuar me aeroplan nga Bogota në Lisbonë, më pas në Romë, Athinë e Janinë, nga ku me autobusin e linjës kishin ardhur në Gjirokastër. Cezar Avila dhe Valther Moreno, ishin dy ekspertët kolumbianë të laboratorit të Xibrakës, të cilët po kryenin procesin kimik të nxjerrjes së kokainës në Xibrakë.

9 Qershor 2014

Kolumbiani i arrestuar në Aeroportin e Rinasit

Më herët, më 9 qershor të vitit 2014, në Aeroportin e Rinasit u arrestua një tjetër kolumbian.  Cesar Augusto Pelaez Triana, 37 vjeç, erdhi nga Spanja dhe u ndalua kur po priste të merrte paratë për 256 kilogramë kokainë, e cila u zbulua nga autoritetet e Malit të Zi dhe që kishte si destinacion Shqipërinë. Triana ishte ndërmjetës në shitjen e kokainës së kapur nga policia malazeze në portin e Tivarit, në një anije tregtare. Ai do të paguhej me 200 mijë euro nga porositësit e kokainës, të cilët mbetën mister. Burime tregonin në atë kohë se Triana u kishte thënë oficerëve se kishte disa numra kontakti në Shqipëri, me qëllim realizimin e shitjes së një pjese të kokainës. Ndërsa shpjegonte se rrjeti fillonte në Kolumbi, për të përfunduar në tregjet e Europës Perëndimore, kryesisht Spanjë. Në vendin dotë ai do të merrte këstin e parë të parave, shumë e cila mund të shkonte deri në 1 milion euro, ndërsa vetë ai do të përfitonte 200 mijë euro.

8 Nëntor 2022

SPAK e Antimafia italiane konferencë për krimin e organizuar

Grupe të krimit të organizuar shqiptar kanë arritur vit pas viti që të fuqizohen dhe të rrisin edhe më tepër sasitë e kokainës që trafikojnë nga vendet e Amerikës së Jugut, kruesisht nga Kolumbia dhe Ekuadori. Ata kanë arritur që të rekrutojnë dhe të bëjnë pjesë të strukturave të tyre edhe shtetas të huaj, në rastet për të cilat kemi të dhëna bëhet fjalë për shtetas kolumbianë. Ata në disa raste kanë shoqëruar ngarkesën e lëndës narkotike që është nisur nga vendi i origjinës dhe ka mbërritur në Shqipëri, e fshehur apo e tretur në forma të ndryshme dhe për këtë arsye ka qenë thuajse e domosdoshme nevoja për të pasur në struktura, kimistë nga Kolumbia.

Ish-kreu i SPAK, Arben Kraja: “Grupet shqiptare kanë rritur ndjeshëm fuqinë e tyre ekonomike në vendet ku operojnë”.

Për bashkëpunimin e grupeve të krimit të organizuar, vjeshtën e vitit të kaluar u zhvillua edhe një konferencë e përbashkët mes SPAK dhe Antimafias italiane, ku u kërkua me doemos bashkëpunim ndërkombëtar për të goditur krimin e organizuar.  Në konferencë u arrit në përfundimim se bashkëpunimt ndërkombëtar të krimit të organizuar, duhet t’i përgjigjemi me bashkëpunim ndërkombëtar të institucioneve ligjzbatuese.

Kryeprokurori Romës: Françesko Levoi: “Kur ata kanë pasur rezultat duke bashkëpunuar, edhe ne mund të kemi rezultat në të njëjtën formë”.

Janar-Mars 2023

Dy hetime nga skuadrat e përbashkëta

Referuar kësaj deklarate të kryeprokurorit të Romës, kërkuam nga Prokuroria e Posaçme disa të dhëna zyrtare sa i pëket bashkëpunimit për goditjen e grimit të organizuar. Në përgjigje të kërkesës, SPAK tha se gjatë periudhës janar-mars të këtij viti po kryhen hetime me 2 skuadra të përbashkëta të reja Hetimore, të cilat janë krijuar në kuadër të hetimeve për veprat penale në fushën e narkotikëve. Lidhur me pjesën tjetër të të dhënave, sa i përket grupeve kriminale dhe vendeve se ku operojnë, SPAK bën me dije se procedimet penale janë në fazën e hetimit paraprak. Bazuar në kërkesat e nenit 279 te Kodit të Procedurës Penale, në këtë moment proçedural dhe në fazën ku ndodhen hetimet, veprimet hetimore dhe aktet hetimore përbëjnë “sekret hetimor”.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thotë se ka një bashkëpunim të shkëlqyer me autoritetet gjyqësore të huaja në luftën kundër grupeve kriminale të cilët janë dedikuar në trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve. Sipas SPAK, krijimi i disa skuadrave të përbashkëta hetimore është një tregues domethënës në luftën kundër këtij aktiviteti kriminal.

Në kuadër të bashkëpunimit, gjatë vitit 2020-2021, Prokuroria e Posaçme ka ndjekur dhe janë duke u vijuar hetimet me 10 Skuadra të Përbashkëta Hetimore.  Nga këto, 7 Skuadra të përbashkëta janë krijuar në kuadër të hetimeve për veprat penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Trafikimit të narkotikëve”, në formën e bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal”.

Për vitin 2022, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është duke ndjekur hetime me 10 Skuadra të Përbashkëta të Hetimore, nga të cilat 6 Skuadra të përbashkëta në kuadër të hetimeve për veprat penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Trafikimit të narkotikëve”, në formën e bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal”.

Operacioni i fundit, ashtu sikurse edhe disa të tjerë, janë realizua fale sinjalizimit të DEA-s. Shtimi i rasteve të trafikut dhe sasia e madhe e drogës, duket se ishte arsyeja e mbërritjes së një agjenti special në Shqipëri, shtatortin e vitit të kaluar. Nëse ishte ky sinjal për hapjen e një zyre të DEA-s në Tiranë apo jo, mbetet për t’u parë. Por edhe kërkesa e fundit që kjo agjenci u nisi shqiptarëve përmes Ambasadës Amerikane, për t’i përcjellë informacione në lidhje me drogën, krimin e organizuar e pastrimin e parave, shihet si një interesim i shtuar.

Për një vend të vogël si ne, është naïve të mendosh se sasitë e mëdha të kokainës së kapur apo laboratorët për ndarjen e përpunimin e saj, janë për të furnizuar tregun vendas. Të gjithë janë të sigurt që Shqipëria është trampolinë për kalimin e drogës diku tjetër. Por se ku shkon kjo sasi kokaine, perherë mbetet mister, ashtu sikurse mbeten mister emrat e atyre që e financojnë trafikun e saj. Deri tani janë arrestuar transportues, pritës, kimistë, ashtu sikurse kolumbianët, por rrallë në ndonjë rast kapet ndonjë porositës i mirëfilltë, përveç disave që shpiken rrugës.

Në Shqipëri vitet e fundit është rritur ndjeshëm edhe turizmi, duke sjellë këtu shtetas nga e gjithë bota, edhe nga Kolumbia. Por ajo që të paktën SPAK di me siguri, është se Samir Rosales Rodriguez, nuk e vizitoi për turizëm Frakullën e Fierit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

SPAK lëshon 9 urdhër-arreste për ish-zyrtarë së Bashkisë Tiranë e biznesmenë (Emrat)

Disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës kanë përfunduar në prangat e policisë me urdhër të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Përplasi makinën me të cilën po transportonte emigrantët e paligjshëm dhe u largua, arrestohet italiani në Korçë

Policia ka arrestuar në Korçë një shtetas italian, Massimo Compagnone, i cili përplasi automjetin me…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Del raporti, “Wiz Air” vonesa dhe anulime me 60 për qind të fluturimeve nga Tirana

Nje raport i fundit tregon se në Aeroportin e Tiranës jatë vitit te kaluar 2023…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Shqiptari arratiset nga burgu në Zvicër

Një i burgosur u arratis nga burgu Uauuilermoos i Lucernit me kusht. Ai ishte dënuar…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

I riu dhunon 44-vjeçarin dhe e bën për spital, largohet nga vendngjarja me makinë!

Rreth orës 11:30, te ura e Cenit, për shkak të një konflikti për motive të…

LEXO ME SHUME