BotaLajme

”Ndaloni luftën dhe Zelensky nuk flet”: Rama tërheq vëmendjen e medias botërore në takimin e KS

Kryeministri Edi Rama drejtoi sot Debatin e Hapur të Nivelit të Lartë në Këshillin e Sigurimit, me temë ”Respektimi i qëllimeve dhe i parimeve të Kartës së OKB-së nëpërmjet multilateralizmit: Ruajtja e paqes dhe sigurisë së Ukrainës”.

Ndërkohë, polemika e kryeministrit Rama me ambasadorin rus në OKB, Vassily Nebenzia gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit tërhoqi vëmendjes e medias botërore:

REUTERS

Kryeministri shqiptar Edi Rama iu përgjigj me një batutë Moskës, e cila prej kohësh thotë se pushtimi nuk është luftë, por një “operacion ushtarak special”.

”Dua të siguroj kolegët tanë rusë dhe të gjithë këtu se ky nuk është një operacion special i presidencës shqiptare”, tha Rama, i njohur për një sens humori shpotitës duke shkaktuar të qeshura nën zë në sallë.

”Ka një zgjidhje për këtë”, vijoi Rama.

”Nëse jeni dakord, ndaloni luftën dhe presidenti Zelensky nuk do ta marrë fjalën”, tha Rama, vendi i të cilit shërben si president i radhës i këshillit.

Nebenzya vazhdoi duke thënë se seanca ishte një shfaqje dhe kritikoi Ramën për atë që ai tha se ishte një qëndrim politik dhe jo një akt i një mbrojtësi neutral të procedurës.

Në përpjekje për të justifikuar pushtimin e saj, Moska ka thënë se ambiciet e Ukrainës për t’u integruar me Perëndimin – duke përfshirë NATO-n – përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare të Rusisë.

”NEW YORK TIMES”

Rama, kryeministri i Shqipërisë, që drejtoi takimin, qortoi vendet ”të cilat refuzojnë të quajnë një agresion brutal me emrin e tij të vërtetë dhe të vetëm”.

Ai shtoi se ”kjo luftë duhet të jetë punë e të gjithëve”.

”THE WASHINGTON POST”

Udhëheqësi i Shqipërisë tha se OKB-ja duhet ta identifikojë Rusinë si agresore në Ukrainë.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama me një ton të mprehtë tha para Këshillit të Sigurimit se ”organi ka shmangur identifikimin e Rusisë si agresore në luftën e Ukrainës dhe ka refuzuar të quajë një agresion brutal me emrin e tij të vetëm dhe të vërtetë: një agresion i krijuar nga njeriu”.

”Tragjedi që po i shkakton vuajtje të patregueshme popullit ukrainas si dhe dëmton rritjen dhe kërcënon miliona njerëz me urinë në mbarë botën”, sipas tij.

”THE GUARDIAN”

Në fillim të seancës, përfaqësuesi i përhershëm rus, Vassily Nebenzya, kishte sfiduar të drejtën e Zelenskyt për të folur i pari në këshill.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në krye të seancës, i tha Nebenzyas se ”ka një zgjidhje për këtë. Nëse jeni dakord që do të ndaloni luftën, presidenti Zelenksiy nuk do ta marrë fjalën”.

IL POST

Gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryeministri Edi Rama, i cili drejtonte Këshillin, u përgjigj në mënyrë sarkastike, por edhe shumë eksplicite.

Rama i tha ambasadorit të Rusisë në OKB, Vassily Nebenzya se vendimi për të lënë Zelenskyn të flasë nuk është për shkak të një operacioni special të presidencës shqiptare, një referencë e qartë për mënyrën se si propaganda ruse flet për luftën në Ukrainë, duke e quajtur atë një ”operacion special”.

Zelensky më pas mbajti fjalimin e tij, ndërsa Nebenzya në mënyrë të dukshme merrej me telefonin e tij duke mos treguar interes.

Zelensky falënderoi Ramën në X duke shtuar se ”ju i keni treguar botës se si ta trajtojë siç duhet Rusinë, gënjeshtrat dhe hipokrizinë e saj”.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Shqipëria ka dënuar publikisht pushtimin rus dhe i është bashkuar shumicës së sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close