Pas përfundimit të takimit 90-minutësh të kreut të qeverisë Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta, deklarata e parë zyrtare ka ardhur nga kryeministria. Në reagim theksohet se takimi vjen pas mosdekretimit të Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm.
“Me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm.
Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës,”thuhet nga burime zyrtare të kryeministrisë.
Takimi vjen një ditë pas refuzimit të Presidentit për të dekretuar Sandër Lleshin në postin e ministrit të Brendshëm. Në arsyetimin e tij,Presidenti tha se ende nuk ka krijuar bindje për kanditaturën e Lleshit. “Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Z.Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”, thuhej në njoftimin e shkutër të Presidencës.
Pas dorëheqjes së Xhafës Rama njoftoi se kishte emëruar gjeneral Sandër Lleshin në postin e ministrit të brendshëm. Meta dekretoi shkarkimin e Xhafajt, por jo edhe emërimin e Sandër Lleshit.