Categories Lajme

Kujtimet e gazetarit dhe diplomatit të njohur për periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës

Nga Bashkim Trenova/ Publikohen kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, ku ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së.

Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, ai u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.

Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, periudha e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, ku atij i’u desh të njihte disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër të publikuar në vitin 2012 me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al.

Me “Armiqtë e Popullit”

Më 10 tetor 1996 kam paraqitur letër-kredencialet pranë Madhërisë së Tij Mbretërore, Dukës së Madh Jean të Luksemburgut, një burrë elegant i brishtë, që dukej sikur tërë jetën kishte “mbjellur” qetësi dhe mirësi.
Më kujtohet, protokolli e kërkonte që të bënim një bisedë të shkurtër kokë më kokë.

Biseda u zgjat, sidomos, për periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri, për jetën dhe njeriun nën diktaturë. Tregova aq sa mund të tregohet në një takim krejtësisht protokollar, ku minutat janë të numëruara dhe bëjnë pjesë në protokoll.

Më kanë bërë përshtypje të paharrueshme fizionomia e Dukës së Madh, si e zhytur në një mister si edhe pyetjet tepër të kujdesshme që më bënte ndërsa unë i flisja. Unë i tregova Atij për një mjerim, që i kishte kaluar kufijtë e mjerimit dhe që po e shtynte furishëm një popull të tërë drejt mos ekzistencës. Në momentin e duhur, protokolli hapi derën për të treguar se takimi kishte përfunduar.

Duka i Madh i Luksemburgut bëri një shenjë me dorë si për të thënë “s’ka gjë, na lini se do të vazhdojmë edhe pak”! Kështu, vazhduam edhe pak. Ndoshta ishte hera e parë që në këtë Pallat nuk u respektua strikt protokolli në takimin me një ambasador!

Me kalimin e viteve kam menduar gjithnjë se Dukës së Madh biseda ime i është dukur si një përrallë nga e kaluara, si një legjendë hijerëndë që vjen nga një botë e paqenë, rivale e ferrit, sa e besueshme po aq edhe e pabesueshme.

Në Tiranë, kryeqyteti i vendit tim të origjinës, Shqipërisë, botova para disa kohësh një pjesë për teatër. Fillimisht e kisha titulluar “Absurdistan”, por më pas e emërova “Çmenduristan”.

Këtë ndryshim e bëra sepse rastësisht, duke kërkuar në kompjuter, pashë se ky titull ishte përdorur nga një autor amerikan për një roman të tij. Fillimisht kisha dëshirë ta botoja në Perëndim, në Belgjikë ose në Francë, por nuk qe e thënë.

“Absurdistan” apo “Çmenduristan”, tregon për egërsinë e tejskajshme të diktaturës komuniste në Shqipëri.

U përpoqa t’i qëndroja sa më besnik kohës dhe trajtova si personazhe persona realë, ngjarje dhe raporte reale në kupolën e komunizmit.

Shpesh vura në gojën e tyre thënie që ata vetë i kanë përdorur dhe që unë i nxora nga arshivat e kohës. U befasova kur kuptova se Perëndimi kishte një tjetër logjikë dhe se kjo logjikë nuk mund të kuptonte dhe as të pranonte, jo më si një realitet, por qoftë edhe si absurde, të vërtetën e jetës sonë, madje as edhe një pjesëz të saj.

Për shtëpitë botuese dhe teatrot në Perëndim, “Absurdistan” i kalonte edhe kufijtë e absurdit, që gjithsesi kuptohet dhe pranohet si i tillë. Pra, absurdi jashtë realitetit ishte i pranueshëm ndërsa mizoria, tirania e një realitet absurd ishin krejtësisht të pakonceptueshëm. Me mjaft mirësjelljeje, p.sh., Shtëpia Botuese pariziane “Art & Comédie”, më shkruante me 6 dhjetor 2008, për “Absurdistan”-in:

“Ky tekst është shkruajtur fort mirë, tema është interesante dhe e trajtuar mirë, por unë nuk e kam të qartë si mund ta përfshijmë në koleksionet tona. Edhe pse ne provojmë të hapim katalogun tonë ndaj të gjitha formave të teatrit dhe në këtë mënyrë edhe ndaj lexuesve, më duket e nxituar të botojmë tekstin tuaj.

Kështu, duke mos parë lexuesin e saj, ne parapëlqejmë për momentin që të mos e botojmë atë”.

Më 29 shtator 2009, Teatri brukselas “Transquinquennal”, të cilit bashkë drejtoresha e Teatrit “Varia” të Brukselit, zonja Sylvie Somen, ia kishte rekomanduar për ta shikuar mundësinë e vënies në skenë të “Absurdistan”-it, më përgjigjet: “Pjesa është e këndshme, e shkruajtur me një stil shekspiro-jarresk…dhe përputhet mjaft mire me atë që pritet nga një pjesë me një subjekt të tillë. Pa dyshim realiteti e ka tejkaluar fiksionin, por ne jemi në pamundësi të gjykojmë…një situatë që nuk e njohim në brendësi”.

Në fund të fundit kishin të drejtë. Sipas një logjike mjaft të thjeshtë, një normal nuk mund të kuptojë kurrsesi një anormal, edhe pse është i ndërgjegjshëm se anormalia nuk është fiksion.

Tani, ndërsa shkruaj këto radhë, kujtoj se jeta ime kaloi e rrëzuar në atë kudhrë mjerimi (për të cilën i pëshpërita paksa Dukës së Madh të Luksemburgut), e presuar nga mizoria apo tirania e një diktature për të cilën shkruajta “Absurdistan”-in. Unë vetë për vite të tëra i besova dhe i shërbeva asaj edhe më shumë se një fanatik fetar Zotit të tij, duke parë tek xhelati engjëllin shpëtimtar.

E pra, unë jetoja pranë kokave të prera, i rrethuar nga mijëra jetë të gjymtuara, nga miliona të uritur e të rreckosur. E shihja realitetin, por mendoja se sakrifikohej për një të ardhme të sigurtë dhe të lumtur. Kështu premtohej pa kursim në parullat e lëshuara nga Kongreset e Partisë së Punës (Komuniste), në fjalimet e diktatorit dhe në shtypin apo propagandën e Partisë.

Fatkeqësisht kjo “e ardhme” nuk do të vinte kurrë. U deshën vite që të shoh qartë atë që dukej dhe atë që fshihej, atë që thuhej dhe atë që nuk thuhej. Nuk ka qenë e lehtë për t’u ndërgjegjësuar dhe për të vlerësuar se: komunizmi ne na servirej si një lloj opiumi i fuqishëm. Ne na duhej detyrimisht ta pranonim atë, ndryshe deklaroheshe si armik i betuar i popullit dhe i vendit tënd.

Refuzimi i një doze sado të vogël të këtij “opiumi” mjaftonte për tu vënë përpara skuadrave të pushkatimit, për t’u internuar në kampe përqendrimi të ngjashme ose edhe më të papërballueshme se ato ku nazistët depërtonin popullsinë çifute dhe të gjithë kundërshtarët e tyre. Kaq mjaftonte për të përfunduar burgjeve së bashku me fëmijët dhe të afërmit, për të pritur aty jo fundin e dënimit, sepse fund nuk kishte kurrë. Shpesh edhe vdekjen s’kishe nevojë ta prisje, sepse ajo vinte e komanduar nga ata që të kishin dënuar, nga patronët e vërtetë dhe të vetëm të jetës dhe të vdekjes tënde.

Nëse me Dukën e Luksemburgut biseda duhej t’i nënshtrohej rregullave të protokollit, pra nuk duhej të zgjatej, me sa më kujtohet, më shumë se 10-15 minuta, me miqtë e mi belgë, Anne Gancberg dhe Mark Van den Dries, kemi folur gjatë viteve, herë pas here, për jetën time dhe të miqve të mi gjatë kohës së diktaturës. Janë këta që më shtynë të shkruaj këto radhë si edhe bashkëshortja ime, Desi dhe fëmijët e mi Bora e Arbëri, që më kërkuan t’u lejë në duar dhe në kujtesë pjesë nga jeta ime.

Fëmijëria dhe rinia e parë

Enver Muça është një shoku im i vjetër. Do të ju flas më pas për të. Një ditë më dërgonte një e-mail ku më shkruante: “Diku lexova se sipas një studimi të amerikanëve, dita, kur fillon me një lajm te mirë (ngjarje, etj.), kalon shumë e mbarë. Me sa më kujtohet, ti ose ke lindur në burg ose ke qenë motak në burg. Pra ti i ke të “justifikuara” vitet e mëpastajme të jetës tënde. Po me ne të shkretët çfarë patën? Ne u lindem në “liri”… !»

Unë kam lindur në vitin 1943 në Sevaster të Vlorës. Sevasteri është një fshat malor në Jug të Shqipërisë. Aty, një nga udhëheqësit e guerileve antifashiste shqiptare, Hysni Kapo, që do të bëheshe pas Luftës dhe deri në vdekje, një nga tre figurat qendrore të politikës shqiptare, më vuri edhe emrin Bashkim. Në regjistrat zyrtarë, figuroj si i lindur në kryeqytet, në Tiranë. Kështu ishte atëherë. Nuk regjistroheshe kur lindje dhe më pas prindërit ose të afërmit, deklaronin vetë datën dhe vendin e lindjes.

Isha fëmija i tretë dhe i fundit në familje. Në të vërtetë, pra, nuk jam lindur në burg, por shoku im ka disi të drejtë. Pa mbushur vitin kam qenë në burg.

Nëna ime u arrestua nga nazistët ndërsa shpërndante ndihma në familjet e partizanëve. Së bashku me të përfundova edhe unë në qeli. Pas Luftës, godina e burgut u shndërrua në shkollë dhe aty unë ndoqa mësimet e para për disa vite. Edhe më pas burgu do të më “kujtonte” se ishte pjesë e jetës sime. Është për të qeshur, por ne gjimnazistëve, në vitin e fundit na duhej të plotësonim një anketë ku, pavarësisht nëse kishim lindur apo jo në kohën e Luftës së Dytë Botërore, na kërkohej t’u përgjigjeshim edhe pyetjeve të tilla si: “A keni marrë pjesë në njësitet e armatosura antifashiste”, “A keni qenë arrestuar, burgosur, internuar nga pushtuesit nazi-fashistë”, “A keni bashkëpunuar me pushtuesit nazi-fashistë ose me organizatat tradhtare bashkëpunëtore të tyre” etj., etj.

Unë jam përgjigjur gjithnjë: “Kam qenë burgosur nga pushtuesit nazi-fashistë” dhe, me që kërkohej të plotësohej shpjegimi me pyetjet “kur, ku, qysh”?, shtoja më pas: “Për shkak të veprimtarisë antifashiste të nënës sime”. Në të vërtetë, nëna më ka thënë se unë, pa e ditur, isha “aktivizuar” në Lëvizjen Antifashiste! Gjatë Luftës ajo kishte nxjerrë ilegalisht nga kryeqyteti Mihal Durin. Për këtë gjë kishin paguar një pajton ku kishim hipur të tre, nëna me mua në krah dhe Mihal Duri si babai im.

Kështu, Mihali, që do të vritej më pas nga nazistët dhe do të deklarohej, pas çlirimit të vendit, ‘Hero i popullit’, mund të kalonte para ndonjë kontrolli të mundshëm fashist si një familjar i rregullt. Dëshmia ishin nëna ime dhe unë. Sigurisht unë nuk isha në burg për këtë “veprimtari” antifashiste.

Të njëjtën anketë si ajo e gjimnazit e kam plotësuar edhe më vonë kur kam filluar punë. Po kështu kur kam bërë kërkesën për t’u pranuar anëtar i Partisë së Punës (Komuniste). Në të gjitha këto raste, pra në një hapësirë kohe shumëvjeçare, unë kam dhënë gjithnjë të njëjtën përgjigje: “Po, kam qenë i burgosur”. Më dukeshin idiote pyetjet të cilave më duhej t’u përgjigjesha, por ky idiotizëm më krijonte edhe njëlloj humori për absurdin që transmetonte.

I kërkohej një të pa linduri ose të porsalinduri në kohën e Luftës, të dëshmonte nëse kishte lindur “pro” ose “kundër” pushtetit, apo sistemit politik të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore! Megjithëkëtë, ajo që dukej si alogjike, ishte krejtësisht e logjikshme dhe jetike për funksionimin e aparatit shtetëror. Mbi të tilla idiotizma dhe absurditete do të mbështetej ai mekanizëm dantesk që do të njihet si “lufta e klasave” dhe që do ta shndërronte Shqipërinë në një Gulag gjigant të mendimit, trupit dhe shpirtit. Për këtë burg shkruan edhe shoku im që, ndryshe nga unë, lindi “në liri”.

Burgun nazist nuk e mbaj mend. Nëna ime, Ismete Peza, më ka thënë se aty në qeli, ajo ishte vendosur me një shoqe tjetër antifashiste, Ela Gjikondi më duket se quhej. Unë isha gëzimi i vetëm i tyre ndërsa prisnin të depërtoheshin në ndonjë kamp përqendrimi në Gjermani, drejt vdekjes. Jetën ajo,ndoshta edhe unë, ja detyrojmë ish prefektit të Tiranës në atë kohë, Qazim Mulletit.

Ai ishte në një miqësi të vjetër me gjyshin tim, Shyqyri Peza. Të dy kishin qenë kundërshtarë politikë të ish-kryeministrit shqiptar Ahmet Zog, që në dhjetorin e vitit 1924, u detyrua të lërë pushtetin dhe të emigrojë në Jugosllavi.

Të dy, Qazim Mulleti dhe gjyshi im, Shyqyri Peza, kishin emigruar, njëri në Itali dhe tjetri në Greqi, pas rikthimit në pushtet të Zogut, që do të vetë deklarohej më pas si Mbret i Shqiptarëve. Të dy u kthyen në Shqipëri në prag të pushtimin të vendit nga Italia fashiste ose njëkohësisht me pushtuesin. Edhe pse në pozicione jo të njëjta politike, ata nuk i prenë urat e komunikimit midis tyre. Qazim Mulleti, për vetë postin që kishte, ishte i mirë informuar për lëvizjen e trupave fashiste në Tiranë dhe në rrethinat e saj. Ai,jo njëherë, e ka lajmëruar gjyshin për përgatitjen e operacioneve ushtarake të pushtuesve në rajonin e Pezës, ku ishin përqendruar forca të shumta partizane, antifashiste.

Sikurse më ka treguar nëna, Qazim Mulleti e ka thërritur atë në zyrën e tij dhe i ka thënë: “Unë do të lëshoj, gjermanët do të zemërohen me mua. Po të kapën edhe një herë tjetër, vendin e ke në Gjermani”. Pas daljes nga burgu, nëna kaloi në ilegalitet dhe u bashkua me forcat partizane.

Në vitet e pasçlirimit është vënë në skenë një komedi e titulluar “Prefekti”. Në të karikaturizohet Qazim Mulleti. Në të vërtetë gjërat as në kohë paqe dhe as në kohë lufte nuk janë gjithnjë vetëm bardhë e zi. Qazim Mulleti ishte vërtet prefekt i kryeqytetit të pushtuar, por unë kam parë në Arkivin Qendror të Shtetit edhe një letër me shkrimin e tij drejtuar Komandës Gjermane. Letra është shkruar pasi trupat gjermane të pushtimit kishin ndëshkuar dhe kishin pushkatuar fshatarë të pafajshëm në rajonin e Petrelës.

Këtë gjë ata e kishin bërë në shenjë hakmarrje për humbjet, që kishin pësuar atje në përpjekje me forcat partizane. Qazim Mulleti distancohet nga ky veprim dhe, madje, shpreh edhe mendimin se operacione të tilla ndaj njerëzve të pafajshëm, nuk mund të jenë tjetër veçse kundër produktive. Në kujtimet të adjutantit të mbretit Zogu I-rë, të botuara vitet fundit nër shtypin shqiptar, dëshmohet se Qazim Mulleti, gjatë Luftës, ka ndihmuar Myslym Pezën nëpërmjet të vëllait të tij, gjyshit tim, Shyqyri Peza.

Myslymi ishte lidhur me Frontin Nacionalçlirimtar që udhëhiqej nga Partia Komuniste. Unë nuk marr përsipër as të rehabilitoj dhe as të gjykoj Qazim Mulletin. Thjesht po tregoj një të vërtetë nga jeta ime dhe po përsëris një dëshmitar të kohës.

Burgimin e nënës dhe lirimin e saj, po të mos mi kishte treguar ajo vetë, as që do t’i dija. Kujtimet e mia janë të disa viteve më vonë. Pas mbarimit të Luftës, babai im, Selim Trenova, edhe ai ish-antifashist, partizan, u ngarkua me organizimin e policisë në qytetin e Kavajës, e më pas në atë të Durrësit, porti kryesor detar i vendit, rreth 40 kilometra larg kryeqytetit. U shpërngulëm të gjithë në Durrës. Në fillim u vendosëm si qiraxhinj në një shtëpi dykatëshe të vjetër qerpiçi pranë qendrës së qytetit, tek teta Kona. Ne banuam në katin përdhese.

Nga kjo kohë më kujtohet vetëm emëri i kësaj gruaje të mirë të veshur krejtësisht në të zeza e që kujdesej për mua “i harruar” nga prindërit të angazhuar në punët e tyre të përditshme shtetërore, ashtu siç isha “harruar” prej tyre edhe gjatë viteve të Luftës.

Në Durrës, si kudo në Shqipëri, atëhere nuk kishte as çerdhe dhe as kopshte për fëmijët. Teta Kona më mbante pranë vatrës së saj që të mos mërdhija rrugëve të qytetit, poshtë ballkoneve apo strehëzave të shtëpive të panjohura, pranë kanaleve ku nuk mungonin të tregonin guximin dhe frikën e tyre minjtë e qytetit bregdetar. Ajo, siç gjykoj tani, ishte besimtare ortodokse.

Njëherë në shtëpinë e saj erdhi një prift ortodoks, që shqiptonte disa fjalë të pakuptueshme për mua dhe tundëte me duart e tij një lavjerrës apo kupolë që nxirrte tym. Në një moment, prifti u drejtua nga unë dhe shikoi teta Konën për të mësuar nëse duhet të më përfshinte edhe mua në këtë ceremoni apo jo!? Teta Kona tundi kokën në shenjë mohimi. Ky, siç duket, ishte për mua leksioni i parë i pakuptueshëm, që do të thoshte se njerëzit u përkasin feve të ndryshme.

Unë, sipas teta Konës, isha mysliman. Prindërit e mi kurrë nuk e kishin parë dhe as do ta shihnin derën e xhamisë. Për ta feja nuk ishte ndonjë domosdoshmëri. Në këtë rrugë do të vazhdoja edhe unë në jetën time. Teta Kona pati të drejtë që më përjashtoi nga bekimi kishtar.

Pasi u larguam nga teta Kona, u vendosëm në një apartament në bulevardin kryesor të qytetit, që lidhte qendrën me portin duke lënë në krah një kala të moçme mijëravjeçare. Apartamenti ishte pjesë e një godine të bukur me mure të pikturuar dhe me dy terrasa që ngriheshin njëra mbi tjetrën mbi katin e sipërm të saj. Terrasa e poshtme e gjelbëruar shërbente edhe si lulishte, ku ishin vendosur disa stola pushimi.
Terrasa e sipërme, më e vogël në përmasa, ngrihej disa shkallë mbi të parën. Nga lartësia e saj shihje të gjithë qytetin dhe hapësirën e pamasë të Detit Adriatik, që ndan Shqipërinë nga Italia. Shkurt, prindërit e mi, të kthyer fitimtarë nga malet, të varfër, u strehuan në një shtëpi borgjeze.

Këtu në këtë shtëpi mora edhe leksionin e parë “ne dhe ata”, “borgjezi dhe popull punëtor”, “luftë e klasave” dhe “armik i popullit”, sigurisht jo me këto përkufizime. Pallati ku u strehuam kishte qenë pronë e një tregtari të madh që quhej Kosturi. Së paku kështu më ka mbetur mua në mendje që nga fëmijëria. Pas Luftës, si çdo pronë që i përkiste të pasurve, u shtetëzua apo sekuestrua edhe ndërtesa e Kosturit dhe u futën në të familje të thjeshta, sidomos familje që kishin marrë pjesë në qëndresën antifashiste apo që e kishin ndihmuar atë.

Ne u vendosëm në katin e dytë të saj. Si fqinjë kishim një familje të ardhur nga jugu i Shqipërisë, nga Kurveleshi malor, një grua e vetme, Saliheja, me katër apo pesë fëmijë dhe një dhi. U miqësuam shumë shpejt me ta. Saliheja më dha, madje, edhe një emërtim të dytë duke më thërritur “viçi”. Pas shumë vitesh jam kthyer edhe një herë në Durrës. Ngjita shkallët e banesës së dikurshme. Doja të takoja Salihenë e dashur dhe të dhimbsur.

Nuk isha i sigurtë nëse ende banonte në të njëjtin apartament. Duke nguruar trokita në derë. Atë e hapi nënë Saliheja, e cila porsa më pa, thërriti “viçi!” dhe më përqafoi si birin e saj.

Në pallatin ku u strehuam, në katin përdhesë gjendeshin disa hyrje të bllokuara dhe të mbyllura me çelës. Për mua si fëmijë kjo mbyllje paraqiste një mister të vërtetë. Kur më duhej të ngjisja i vetëm shkallët e pandriçuara për të arrirë në apartamentin tonë, gjithnjë shpejtoja hapat. Me një ndjenjë frike largohesha sa më shpejt prej “misterit”. Në të vërtetë “misteri” përbëhej nga disa depo në të cilat ishin grumbulluar të gjitha mallrat e sekuestruara familjes Kosturi.

Për vetë Kosturin nuk dija gjë. Në mendjen time, madje, kishte një konfuzion midis emrit Kosturi dhe Kuesturës, policisë fashiste dhe nuk arrija të gjeja lidhjen midis kësaj të fundit dhe konfiskimit të mallrave ose më qartë mbylljes së tyre me kyç sepse konfiskimin nuk e njihja as si term dhe as si praktikë. Do të kalonin vite dhe unë do të njihesha me “të panjohurën”.

Rastësisht, pas disa dhjetëvjeçarësh, në vitet ‘80-të të shekullit të kaluar, kam bërë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit Shqiptar, një botim dokumentesh për përdorim të brendshëm. Dokumentet e përfshira në këtë botim, dëshmojnë mbi konfiskimin, sekuestrimin dhe shtetëzimin e pasurive të tundshme e të patundshme që ju bë në vitet 1945-1948 ish klasave të pasura, borgjezisë, pronarëve të tokave dhe bashkëpunëtorëve të pushtuesve.

Gjatë kërkimit dhe përzgjedhjes së dokumenteve, u njoha edhe me fundin e Kosturit apo më saktë të Idhomen Jovan (Cico) Kosturit. Ai ishte ekzekutuar me 5 nëntor 1943 nga njësiti gueril i qytetit të Durrësit si bashkëpunëtor i nazizmit. Në të vërtetë, ai kishte qenë kryetar i Asamblesë Kombëtare, si të thuash i parlamentit kuisling gjatë pushtimit nazist të Shqipërisë.

Gjithnjë sipas dokumenteve që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, me 21 qershor 1947, atij iu konfiskua pasuria, një shtëpi me 20 dhoma, ndërtesa e shtëpi të tjera, truall, kopshte, dyqan etj. Ne, siç duket, ishim vendosur në atë shtëpinë me 20 dhoma! Në një nga shtëpitë që iu konfiskua atij, u vendos policia e qytetit të Durrësit. Pas rrëzimit të komunizmit, trashëgimtarëve të tij iu kthyen pronat. Nuk e di nëse tërësisht apo pjesërisht, por di që shteti u detyrua të nxjerrë policinë nga godina ku ishte vendosur për t’ia dhënë atë familjes Kosturi.

Kush është Bashkim Trenova?

Bashkim Trenova ka lindur në vitin 1943 në Tiranë. Pas mbarimit të studimeve në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, emërohet gazetar në Radio-Tirana, në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi gjatë viteve 1966-1975. Më pas, gjatë viteve 1975-1983, ai ka qenë gazetar dhe shef i Redaksisë së Jashtme në gazetën ‘Zëri i Popullit’.

Në vitet 1984-1990 ai ka kaluar si kryetar i Degës së Botimeve të Dokumenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri (mars 1991), ai punon si zv/kryeredaktor dhe më pas si kryeredaktor i gazetës Rilindja Demokratike. Në vitet 1994 -1995 ai kalon në Ministrinë e Punëve të Jashtme si Drejtor i Shtypit dhe Zëdhënës i kësaj Ministrie. Më pas, deri në vitin 1997, ai është Ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.

Bashkim Trenova ka qenë bashkëpunëtor i rregullt i gazetës ‘Drita’, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ku ka botuar përkthime në prozë e poezi si edhe artikuj kritikë letrarë e artistikë. Ai ka realizuar, gjithashtu, reportazhe kulturore për Televizionin Shqiptar si edhe për Kinostudion ‘Shqipëria e Re’.

Bashkim Trenova është dekoruar me Medaljen e Artë të Festivalit Kombëtar të Teatrit Amator dhe me Çmimin e I-rë të revistës satirike Hosteni. Ai ka botuar si bashkautor në vitin 1986, përmbledhjen dokumentare ‘Heronjtë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare’. Ai ka botuar, gjithashtu, në vitin 1988, vëllimin dokumentar – ‘Shtetëzimi i Pronës Private në vitet 1945-1948’, botim i brendshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit.

Në vitin 2009, Bashkim Trenova ka botuar pjesën për teatër – ‘Çmenduristan’. Në vitin 2012 ai ka botuar – ‘Armiqtë e Popullit’ (Kujtime) dhe ‘Heronjtë e Popullit’ (Refleksione).

Në vazhdim ai ka botuar në vitin 2014, komedinë ‘Vive les Morts’ (Rrofshin të Vdekurit), në vitin 2016, komedinë ‘Ubu Camarade’ (Shoku Ubu) dhe ‘La Coupole Rouge’ (Kupola e Kuqe – Refleksione). Në vitet 2017, 2018 dhe 2019, ai ka botuar gjithashtu komeditë ‘L’Amour à Louer’ (Dashuria me qira), ‘L’Ennemi-ami Strauss’ (Armik-miku Shtraus), ‘L’Obsédé’ (I Fiksuari) dhe ‘La femme du mari battu’ (Gruaja e burrit të rrahur). Në vitin 2020 ai ka botuar gjithashtu – Ditari i një Ambasadori./Memorie.al

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Vjedhja e 462 mijë eurove të Alda Klosit, nënë e bir dalin në gjyq, çfarë ka vërtetuar Prokuroria

Prokuroria ka dhënë sot pretencën për Alda Klosin, pastrueses së saj dhe të birit të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Zbulohet rrjeti i prostitucionit me të mitura, mes vajzave 5 shtetase shqiptare

Greqia tronditet përsëri pas zbardhjes së në rasti të ri të prostitucionit të të miturve.…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Këmbimi valutor/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar sot një dollar amerikan do të blihet me 94.7…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

“Pasuria ime”, Adriana Matoshi kthehet te fëmijët pasi mposhti tumorin për herë të tretë

Aktorja e njohur dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Adriana Matoshi mposhti me sukses, për…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Tmerri në Krujë, dyshohet se vajza e madhe ndihmoi nënën të hidhte foshnjën në lumë

Detaje të reja tronditëse dalin lidhur me ngjarjen horror në Krujë, ku një foshnje e…

LEXO ME SHUME