Lajme

Kuotat dhe kriteret për studimet “Master” te Ekonomiku

Nis konkurrimi për pranimet e reja të ciklit të dytë “Master” në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Sikundër ka ndodhur edhe gjatë viteve të shkuara, autoritetet bëjnë me dije se aplikimet për kuotat e reja të 2023 në programet “Master profesional” dhe “Master shkencor” do të zhvillohen me anë të dosjes. Kështu çdo student që ka kryer ciklin “Bachelor” mund të vijojë me procedurat e aplikimit për programet e ciklit të dytë, duke dorëzuar dosjen e dokumenteve të përcaktuara.

Drejtuesit e këtij institucioni të arsimit të lartë publik, bëjnë me dije se: “Aplikimet në programet e studimit të ciklit të dytë “Master i Shkencave” dhe “Master Profesional” mund të kryhen çdo ditë duke filluar nga data 7 shtator ora 09:00-14:00 në Zyrën e Procesit Mësimor, kati II, pranë sallës A201, ku çdo kandidat i interesuar duhet të paraqitet për të dorëzuar dosjen e dokumenteve të kërkuara”. Procesi për dorëzimin e aplikimeve do të vijojë deri në muajin tetor, ndërkohë që janë përcaktuar edhe kuotat, kriteret dhe kategoritë që do të kenë prioritet në përzgjedhje për secilin program studimi.

Numri dhe kushti për renditjen e preferencave

Katër është numri i preferencave me të cilat çdo kandidat do të mund të hyjë në garë për kuotat e reja të pranimeve të ciklit të dytë në këtë Fakultete. Autoritetet sqarojnë se duhet t’i kushtoni kujdes renditjes së preferencave, e cila duhet të jetë duke nisur nga dega më e preferuar, e deri tek preferenca e katërt që është edhe më pak e preferuara.

“Gjatë plotësimit të formularit të aplikimeve studenti rendit deri në 4 preferenca për studimin në master duke nisur nga ai më i preferuari deri tek dega e katër më pak e preferuar”, saktësohet në Formularin e Aplikimit që do të duhet të plotësoni për të ndjekur studimet në këtë cikël përgjatë vitit të ri akademik 2023-2024.

Konkretisht në degët e studimet “Master profesional” që realizohen me 120 kredite mund të garohet në tetë programe të ndryshme studimi që janë: “Menaxhim Turizmi, Marketing, Administrim Publik, Administrim Biznes, Sisteme Informacioni në Ekonomi, Kontabilitet dhe Financë, Analizë dhe Administrim Fiskal. Për programet “Master profesional” me 90 kredite procedurat e konkurrimit do të zhvillohen për dy degë që janë: Teknologjia e Informacionit në Menaxhimin e Proceseve të Biznesit, si dhe në degën Financë, Kontabilitet dhe Auditim.

Sipas autoriteteve, gara për kuotat e nivelit të dytë “Master shkencor” do të zhvillohet në 11 programe që janë: Ekonomiks, Menaxhim Turizmi, Marketing, Administrim Publik, Administrim Biznes, Sisteme Informacioni në Ekonomi, Siguria e Informacionit, Statistikat Zyrtare, Kontabilitet auditim, Financë, si dhe Menaxhim Risku.

Dosja e aplikimit që duhet të dorëzoni

Në dosjen e aplikimit duhet të përfshini formularin e aplikimit, në të cilin duhet të rendisni 4 degët ku do të garoni për të vijuar ndjekjen e studimeve të nivelit të dytë. Krahas plotësimit të të dhënave personale dhe degëve ku do të garoni, në formular, kandidati duhet të deklarojë se nuk po ndjek ndonjë program tjetër studimi në institucione të tjera të arsimit të lartë, dhe se nuk do të ndjek njëkohësisht një program tjetër studimi deri në përfundimin e programit të studimit ku po aplikon. Në dokumentet e aplikimit duhet të jenë edhe: diplomë dhe listë notash të ciklit të parë, të njehsuara me origjinalin, dëftesë pjekurie ose diplomë dhe certifikatë notash e shkollës së mesme, të njehsuara me origjinalin, 2 fotografi standarde personale, fotokopje të mjetit të identifikimit, si dhe certifikatën e mbrojtjes së gjuhës së huaj që duhet vetëm për

Për aplikantët që do të garojnë për kuotat e miratuara në programet e studimit të nivelit “Master i shkencave. Për programet e nivelit shkencor çdo aplikues duhet të zotërojë të paktën në nivelin B 1 (të vërtetuar me dokumentin përkatës) një nga gjuhët e huaja të vendeve të Bashkimit Europian (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht)”. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara edhe kuotat e miratuara për secilin program studimi të ciklit “Master” për vitin e ri akademik 2023-2024.

Përzgjedhja e fituesve

Më herët është konfirmuar edhe formula zyrtare me prioritet që do të zbatohen për shpalljen e fituesve në secilin program studimi. Konkretisht, sa i takon përzgjedhjes së fituesve të rinj të 2023, tre janë prioritet e përcaktuara që do të aplikohen. Prioritet në përzgjedhje do të kenë fillimisht kandidatët që kanë kryer studimet e larta të ciklit të parë në degët e këtij fakulteti, të cilët garojnë edhe për vijimin e studimeve të ciklit të dytë. Ndërkohë që më pas përzgjedhja do të vijojë me kandidatët që kanë mbaruar studimet e larta po në degë të njëjta, por në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat vendas dhe të huaj.

“Do të pranohen diplomat Bachelor të fakulteteve të tjera ekonomike të shkollave publike dhe jo publike, vendase e të huaja, pasi të jetë bërë njohja e tyre sipas rregullave përkatës”, sqarojnë autoritet e këtij fakulteti. Më tej, nëse do të ketë sërish kuota të lira, përzgjedhja do të vijojë me kandidatët që kanë mbaruar studimet në degë të përafërta me degët ku do të vijojnë studimet e ciklit të dytë. Studentët fitues në secilën degë do të përzgjidhen mbi bazën e mesatares së arritur në studimet e ciklit të parë (Bachelor) dhe tre preferencave të deklaruara më lart.

Programet e studimit “Master i shkencave” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në: programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike. Programet e studimeve “Master profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 90 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close