Në tregun e këmbimit valutor vendas, gjatë javës 21 deri 26 shtator, monedha europiane është karakterizuar nga një qëndrueshmëri e vazhdueshme ndërsa dollari forcoi pozitat ndaj lekut.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euroja u këmbye të hënën me 123.99 lekë dhe e ka mbyllur javën në kuotën e 123.77 lekëve, me një ndryshim shumë të lehtë rënie.
Ndërsa monedha e gjelbër amerikane, dollari është ndër valutat që ka shënuar një rritje të ndjeshme të vlerës me gati 1 lekë në shtatë ditët e javës së parafundit të muajit shtator. Këtë fundjavë dollari këmbehet me me 106.22 lekë nga 105.17 lekë që ishte në fillim të javës.
Gjatë kësaj jave franga zvicerane dhe paundi britanik kanë ndjekur kurbën e luhatjeve të lehta. Monedha zvicerane këmbehej ditën e hënë me 114.48 lekë dhe në fundjavë me 114.51 lekë. Ndërsa paundi britanik ka regjistruar lëvizje konstante të vlerës duke u këmbyer në fillim të javës me 135.06 lekë dhe më pas ditën e mërkurë ka rënë në kuotën e 134.57 lekë, për të rikuperuar sërish ditën e djeshme në nivelin e 135.26 lekë.